Félix TOURNACHON (1820-1910), me pseudonimin “Nadar”, ishte i biri i një tipografi nga Lioni. Që nga viti 1846 ai publikon karikatura në disa gazeta satirike dhe në 1854 realizon “Panthéon Nadar”, një seri prej dy litografish gjigante me karikatura të të famshëmve parizienë.
Vitin më përpara, në 1853, Félix i jep leksione fotografie vëllait të tij, Adrien, në studion e mjeshtit Gustave Le Gray. Dy vëllezërit prodhojnë një seri të “Figures d’expression de Charles Deburau en Pierrot” që pati shumë sukses në Ekspozitën Universale të 1855. Pas një grindjeje, Adrien që përdor pseudonimin “Nadar i Ri”, dëshiron të shkëputet nga i vëllai e të vazhdojë karrierën i vetëm, por Félix e hedh në gjyq për ekskluzivitetin e përdorimit të këtij pseudonimi dhe e fiton atë.
Félix, i cili ka gjetur te fotografia një fushë tjetër eksperimentimi, vazhdoi në këtë drejtim. Mes miqve të tij radhiten figurat më në zë të asaj kohe si: Baudelaire, Nerval, Dumas, Gautier, Rossini, Berlioz, etj. Në vitin 1859, entuziazmi për “portretin si kartvizitë” shuhet pas formulës së depozituar nga Disdéri e kjo shënon edhe fundin e kësaj vepre artizanale. Si rrjedhojë e kësaj, në vazhdim Nadar do të merrej vetëm me aktivitetin e tij fotografik në studion e re të “Boulevard des Capucines”, atelieri i mëparshëm i Gustave Le Gray.
Nadar, që realizonte në atë kohë portret si ata të Sarah Bernhardt apo George Sand, orientohej drejt zhvillimeve teknolgjike, siç është balona me ajër të ngrohtë. Në 1858, ai realizon pamjen e parë ajrore mbi Petit-Clamart, e fotografuar me dritë elektrike, duke vijuar më pas me katakombet (1862) dhe rrjetin e kanalizimeve të Parisit gjatë 1864-1865 .Në 1886, së bashku më të birin Paul, ai realizon, intervistën me Eugène Chevreul, me rastin e 100 vjetorit të kimistit të famshëm. Fotografitë e marra në këtë okazion publikohen në “Le Journal Illustré”.
Material i marrë nga: “La Médiathèque de l’architecture et du patrimoine dhe Encyclopaedia Britannica”
Paul NADAR, është një ndër figurat më të rëndësishme për fotografinë, i lindur më 8 shkurt 1856 në Paris, Paul angazhohet që në moshë shumë të re në studion fotografike të të atit. Shumë shpejt, ai apasionohet pas fotografisë e në moshën 18-vjeçare bëhet drejtori teknik dhe artistik i atelierit parizien. Pasi thyen rregullat e estetikës së kthjellësisë së të atit, Paul realizon një sërë portretesh me shumë artifice, siç janë ata të aktorëve në skenat e teatrit.
Në 1885, shpalos angazhimet e tij artistike duke u bërë anëtar i “Shoqërisë Franceze të Fotografisë”. Me vendosmërinë për t’u bërë i pavarur, ai krijon “Zyrën e Përgjitshme të Fotografisë” e cila merrej me furnizimin e materialeve fotografike, me aparate të shpikura prej tyre si; “Detektivi Nadar” në 1887 dhe “Letra Albumine Nadar” në 1889.
Pas suksesit të aparatit të tij “Express-Detective Nadar”, në ekspozitën universale të Parisit në 1889, ai ndërmerr një ekspeditë fotografike në Turkmenistanin Rus. Fotografitë e marra gjatë këtë udhëtimit të tij në Lindje, përbëjnë një dëshmi të rëndësishme të veçantisë së këtij fotografi.