I keqkuptuar dhe i injoruar gjatë gjithë jetës së tij artistike dhe personale, Vincent van Gogh mbarti superfuqinë që e ndryshoi përgjithmonë botën e artit, duke u kthyer kështu në një prej artistëve me më shumë impakt në artet pamore.
Kontributi i tij në lëvizjen post impresioniste është i pashlyeshëm. Gjithashtu, ndikimin e tij e shohim edhe në ekspresionizëm.
Elegance hedh një vështrim në jetën e gjeniut që lindi në shekullin e gabuar, por sërish ia doli të ekzistonte në çdo epokë.
Vincent van Gogh përbuzte tregun e artit.
Në rininë e tij, artisti punoi për 8 vite në një galeri arti të quajtur “Goupil & Cie”, fillimisht në Hagë, më pas në Londër dhe Paris, derisa u pushua nga puna për shkak se nuk bashkohej me idenë se një vepër arti mund të trajtohej, shitej dhe blihej si mall. Më 1888, shkoi në Arles dhe krijoi “Atelier du Midi”, shtëpinë e famshme në ngjyrë të verdhë dhe në të njëjtin vit krijoi një komunitet artistësh, të cilët së bashku eksperimentuan duke thyer kufijtë tradicionalë të tregut të artit.
Ka qenë pastor.
Pasi u pushua nga puna në galerinë e artit, Van Gogh u rikthye në Angli dhe thirrja shpirtërore e lidhën me religjionin. Fillimisht punoi si mësues në një shkollë lokale dhe më pas u bashkua me kishën, ku u punësua si asistent. Gjatë 1877-1878 ai studio për teologji në Amsterdam, më pas në Bruksel, por nuk ia doli të finalizonte shkollën, andaj nisi të plotësonte botën shpirtërore nëpërmjet lutjeve si pastor. Përgjatë periudhës së gjatë ku depresioni kaploi një nga mendjet më brilante, Van Gogh përfundimisht u dedikua në pikturë.
Përdori auto-portretin për të eksperimentuar me teknika të tjera.
Për 3 vite, saktësisht 1886-1889, Van Gogh pikturoi më shumë se 20 auto-portrete, zakonisht në formate të vegjël, gjatë kohës kur qëndroi në Paris. Duke pikturuar tiparet e tij, artisti lëvroi metoda dhe teknika të ndryshme më pikturë, çka solli dhe evolimin që shohim në 37 pikturat e tjera (të cilat sot i gjejmë në muzeun “Van Gogh” në Amsterdam; në “Orsay” në Paris, si dhe në “Metropolitan Museum of Arts” në New York).
Një prej auto-portreteve të tij është piktura më e shitur në botë.
Bëhet fjalë për “The Self-Portrait with a Hairless Face”, i finalizuar në 1889. Kjo pikturë u shit në vitin 1998 për 71.5 milion dollarë, duke kryesuar listën e pikturave më të shitura në botë.
Sa ishte gjallë, ka shitur vetëm një pikturë.
Adhurimi për Vincent van Gogh ka arritur kulmin pas vdekjes së tij, pasi sa ishte gjallë, u injorua masivisht, edhe pse talenti i tij ishte i pamohueshëm. Piktura e vetme që shiti kushtoi vetëm 400 franga dhe u ble nga Anna Boch falë “marketingut” të Thèo van Gogh, vëllait të vogël të artistit. Pas vdekjes së piktorit dhe të vëllait të tij, pikturat u trashëguan te vejusha e Thèo-s, e cila filloi t’i shfaqte te koleksionuesit dhe të apasionuarit pas artit. Piktori Edgar Degas ishte ndër të parët që u impresionua nga krijimet e Van Gogh dhe bleu shumë prej tyre.
Kaloi 1 vit në spitalin psikiatrik “Saint Rèmy de Provence”.
Në vitin 1889, depresioni kronik i artistit duket se triumfoi sërish duke e kolapsuar mendjen dhe shpirtin e tij. Pikërisht kjo ishte arsyeja pse kaloi 1 vit në spitalin psikiatrik “Saint Rèmy de Provence”, derisa i vëllai e inkurajoi të zhvendosej në “Auvers-sur-Oise”. Nga dhoma e spitalit Van Gogh vëzhgoi edhe lulediellit që zunë një vend shumë të rëndësishëm në një seri pikturash. Pavarësisht krizave të shumta që përjetoi gjatë kësaj periudhe, Van Gogh ishte shumë produktiv, duke na dhuruar piktura të jashtëzakonshme.
E preu veshin pas një zënke me Paul Gauguin.
Episodi i prerjes së veshit ka sjellë një sërë polemikash dhe rrëfimesh të cilat i afroheshin dhe i largoheshin së vërtetës. Realisht, ky episod ka ndodhur pas një zënke mes Van Gogh dhe mikut të tij piktor Paul Gauguin, i cili ishte edhe pjesë e komunitetit të ideuar nga Van Gogh. Ajo që është konfirmuar është fakti se veshi u shkëput nga trupi i artistit pas një grindjeje, por teoritë janë dy:
1. Pas zënkës, Van Gogh u pushtua nga një valë çmendurie dhe preu veshin me brisk.
2. Versioni tjetër gjendet në librin e dy akademikëve gjermanë, Hans Kaufmann dhe Rita Wildegans, të cilët shprehen se Paul i ka prerë veshin mikut të tij.
Vincent van Gogh kishte një korrespondëncë shumë të pasur.
Më shumë se 800 letra të dërguara në adresën e vëllait të vogël Thèo, me të cilin artisti kishte një marrëdhënie shumë të ngushtë. Korrespondenca e tyre frymëzoi edhe një prej filmave më të bukur, dedikuar jetës dhe vdekjes së artistit hollandez, “Van Gogh, painted with Words”, i mbështetur krejtësisht në piktura të stilit të Van Gogh dhe me subjekt të ndërtuar nga letrat e shkëmbyera mes vëllezërve.
U influencua nga printet japoneze.
Në gjysmën e shekullit XIX, arti japonez mbërriti në Europë dhe frymëzoi shumë artistë, mbi të gjitha Van Gogh, i cili e risolli teknikën në piktura të ndryshme si “Almond Blossom”, e cila u përfundua në të njëjtin vit kur artisti i dha fund jetës. Studimi i tij mbi peizazhet japoneze i dha një hov shumë të madh edhe lëvizjes impresioniste.
Van Gogh vuajti gjatë gjithë jetës nga depresioni kronik.
Gjithë jeta e piktorit të famshëm mund të përshkruhet si një torturë mes artit dhe depresionit, derisa ky i fundit e kapitulloi shpirtin e tij. Van Gogh kreu vetëvrasje me një plumb në kraharor, duke u larguar përfundimisht nga agonia e mendimeve të tij, gjithashtu, duke çelur një derë të re në art, e cila vijon të na inspirojë.