Në ciklet e veprave të tij, nga skulptura, në qeramikë apo pikturë, ai ka krijuar idenë e një gjeometrike imagjinare, ku figura njerëzore është dominuese. Art i lëvruar në thuajse një dekadë, mes ekspozitave të ndryshme në Itali e Shqipëri, e bëjnë Viktor Ferrajn sot një ndër emrat e njohur të artit figurativ
Viktor Ferraj ka lindur në Tiranë, në 1 Janar të vitit 1965. Është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në kryeqytet, në profilin e Skulpturës Monumentale në vitin 1989. Ai filloi të ekspozonte krijimet artistike në vitin 1990 në Galerinë Kombëtare, deri kur në vitin 1991 do të largohej nga Shqipëria për t’u vendosur në Itali, ku ka pasur një aktivitet të ngjeshur artistik me ekspozita të çelura në periudha të ndryshme kohore. Shpesh herë ai ka qenë protagonist me artin e tij edhe këtu në Tiranë, si pjesëmarrës në ekspozita në grup, apo edhe ato personale.
Forma me të cilën prezantohet mund të përkufizohet lehtësisht si klasike post moderne, sepse një artist i kohës së sotme, i cilësdo rrymë a medium jeton kohën e vet.
Mes kësaj rryme, ndalesa parësore e Viktor Ferrajt është figura njerëzore, në fokus të të gjithë zhanreve artistike, nga piktura, tek skulptura, qeramika, etj. Ngjan sikur gjithçka është një vërtetësi ndjenjash, që artisti i materializon mandej në punime artistike individuale, plot vlera. Paleta e pasur kromatike, nis e çlirohet gradualisht nga format e rënduara, duke krijuar kushte dhe atmosferë artistike të favorshme, qasje për të cilën, ai ka investuar bindshëm ndër vite.
Linja të pikturuara me ngjyra të forta, dhe evidentuese, duke krijuar hapësira të volitshme drejt një perspektive të caktuar; tablo, imazhe njerëzore që transmetojnë gjendje dhe konkluzione artistike, të cilat përcillen mjeshtërisht nga piktori Viktor Ferraj në ekspozitat e njëpasnjëshme të tij, si ato individuale, ashtu edhe kompeticione artistike ndërkombëtare.
Ekspozita “Udhët 4”, ku gërshetimi i zhanreve të ndryshme të artit figurativ, nga piktura, te skulptura, tablotë e fotografitë, bën bashkë disa nga artistët dhe emrat më të njohur të artit në Shqipëri. Na flisni pak më shumë rreth krijimeve me të cilat u prezantuat.
E vërteta është që ka disa vite që jam prezent në Shqipëri pasi punoj si pedagog pranë Universitetit të Arteve, ndërkohë gjatë këtyre viteve jam përpjekur të jem aktiv për sa i përket aktiviteteve artistike domethënë ekspozitave kolektive të realizuara në “FAB”, te galeria “Kalo”, etj. Për sa i përket ekspozitës kolektive “Udhët 4” u paraqita me një skulpturë në qeramikë, të titulluar “Disku”.
Është një figurë portret në reliev që i brendashkruhet një forme të përgjithshme ovale, figura krijon një lloj paralelizmi me imazhin ikonografik të shenjtit në pikturën mesjetare, ku aureola apo forma ovale bëhet pjesë e portretit domethënë shkrihet me të. E gjitha kjo stilistikisht dhe plastikisht e dhënë në formën e një relikeje apo mbetjeje arkeologjike. Një lloj alegorie midis një figure shpirtërore, etere dhe anës materiale të konsumuar nga koha.
Si është zhvilluar ndër vite stili juaj i krijimeve artistike nga piktura, skulptura, teknika mikse, etj?
Jo rrallë, më ndodh të vështroj punët e mia të hershme nëpërmjet fotove të stampuara, katalogë të vjetër deri te fletë të zverdhura të vizatuara në periudhën e universitetit dhe pas tij, këto imazhe kanë vlerën të të zgjojnë bashkë me nostalgjinë e pashmangshme dhe idenë e një kontrasti vlerësimesh. Nga njëra anë të duken të dobëta, të papërpunuara, naive, nga ana tjetër vështron në to diçka që me kalimin e kohës mund të ketë humbur ose pjesërisht e spostuar në vetëdijen tënde dhe që presin vetëm momentin të vijnë në sipërfaqe. Është fjala për gjenuinitetin, pafajësinë, natyrshmërinë. Ju do të thoni ç’lidhje kanë me stilin dhe me evolucionin e tij, por është pikërisht aftësia për të parë qartësisht dhe me sinqeritet në qelizat e krijimtarisë tënde, sidomos asaj të hershme që përcakton një rritje stilistike të shëndetshme, të natyrshme dhe mbi të gjitha autentike.
Në krijimtarinë time, kam lëvruar pa u preokupuar që nga vizatimi i thjeshtë mbi letër, skulpturën mbi dru, teknika të grafikës mbi dru, xham, bakër dhe shumë materiale të tjera, shpesh të provuara në mënyrë eksperimentale; shpesh këto teknika grafike kanë qenë përzier dhe me teknikën e vizatimit dhe sidomos të pikturës me vaj ose akrilik mbi sipërfaqe mikse. Ky lloj kursi ka prodhuar me kalimin e viteve një vepër mikse ndërtuar me materiale të ashtuquajtura të varfra, letër, stuko, pluhur druri, stof, ngjitës të ndryshëm, të gjitha këto të finalizuara për të krijuar sipërfaqe të sheshta apo në reliev mbi të cilat përcillen me mjetet e vizatimit apo të pikturës imazhet e zgjedhura nga unë në një lojë iluzive dhe tre dimensionale.
Pjesën qendrore të krijimtarisë sime e zë skulptura në qeramike apo gres, pikërisht në këtë material të vyer me mjete ekspresive të jashtëzakonshme, m’u dha mundësia ta njihja në Itali, ta punoja dhe të eksperimentoja në baltërat e pjekura në temperaturat e larta, mbi 1200 gradë.
Janë një numër i madh punësh, cikle të ndryshme në këtë material që kanë themeluar, përfaqësuar dhe prezantuar në një numër të madh ekspozitash nga viti 1992 deri me sot.
Çfarë specifikisht ju udhëheq në artin figurativ që ju lëvroni?
Unë operoj shpesh nëpërmjet imazhit të figurës së njeriut ose nëpërmjet lëvizjes së tij në një hapësirë të caktuar, por kjo hapësirë edhe pse ka elemente reale është një hapësirë imagjinare, ku këto personazhe qëndrojnë në vend apo lëvizin pa ndonjë finalitet logjik, apo të udhëhequra nga disa rregulla të pashpjegueshme si në një lojë absurde.
Shpesh kjo hapësirë në figurat simbolike, portretet, figurat përgjysmë, teknika mikse apo qeramike, shtrihet dhe brenda imazhit duke luajtur shpesh me një figuracion abstrakt, jo të menduar por spontan dhe të rastësishëm, por gjithmonë duke kërkuar një lidhje të natyrshme me të tërën. Në një cikël veprash në skulpturë e qeramikë, unë kam punuar duke krijuar idenë e një gjeometrie imagjinare të kësaj hapësire, ku vepra ndahej në seksione sipas numerologjisë mistike, ose të ashtuquajturit numrat perfekte. Këtu i përkasin ciklit “Darka e të dymbëdhjetëve”, “Tregim me tre figura”, “Gjeometria e njeriut”, etj.
Pjesa më sfiduese për ju në procesin krijues?
Të qenit i vërtetë! Mos më keqkuptoni, kjo nuk do të thotë t’i përkushtohem realitetit, unë mendoj që arti ekziston me realitetin, por i mëvetësishëm nga ai. E imagjinoj si ajo bota perfekte e Platonit, bota e formave dhe e harmonisë perfekte dhe e artistëve si disa misionarë që kërkojnë deriçkën për të prekur këtë parajsë. Bukuria e kësaj aventure qëndron në faktin që secili nga ne kërkon një rrugë të vetën, askush nuk të shpjegon dot se ku është dalja, do ta gjesh vetë dhe do vendosësh firmën tënde. Më vjen në mendje thënia e një njeriu të urtë: “I vetëm në pyll më dolën përpara dy rrugë, njëra e gjerë dhe plot me gjurmë hapash dhe tjetra e ngushtë plot me shkurre. Unë zgjodha të dytën”.
Një teknikë ndryshe, alternimi i pikturës me skupturën, ndërthurja e elementëve të këtillë krijon një profil artistik të veçantë. Si ia arrini të keni një profilizim dinjitoz të punimeve tuaja?
Krijimtaria ime që nga fillimet ka qenë një bisedë me materien, madje edhe kur vizatohej mbi një fletë të thjeshtë, rrokullisjet e pluhurit të grafitit mbi letër, mbetjet e njollave nga fërkimi duarve mbi të, zverdhja e letrës, rrudhjes së saj i bashkangjiteshin subjektit të projektuar si mendja dhe duart e një autori të padukshëm që punon pranë teje dhe të pëshpërit të vërtetat e saj. Nuk ekzistojnë teknika të palëvruara në historinë e artit, skulptura e pikturuar janë imazhi më themelor në historinë e artit primitiv në qytetërimin antik, në artin mesjetar, Rilindja e më tej deri në shprehjet e artit kontemporan.
Problemi është si i përçon ti këto elemente, si i filtron në psikikën tënde dhe më vonë në krijimin tënd, si i vendos në harmoni. Gjëja që më ka kuriozuar në veprat e mëdha të artit, përveç magjepsjes prej tyre, ka qenë veprimi i kohës mbi to. Erozioni, zbehja, njollëzimi, tymosja, errësimi, janë penelatat që koha vendos mbi veprat dhe kur autori nuk është më si për të nënvizuar që vepra i përket asaj. Ne përpiqemi ta ndalojmë duke i ruajtur, izoluar, etj, por për fat të mirë apo të keq ajo determinon me ndërhyrjen e saj kapriçoze. Ky reflektim mbi kohën dhe efektet e saj ka ndikuar në krijimtarinë time, proceset e materializimit të krijimeve të mia ka ndikuar tek subjektet, stili, konceptimin e veprës së artit si një entitet që përmbledh trashëgiminë artistike dhe veprimin e kohës mbi të.
Çfarë realisht simbolizojnë portretet në punimet tuaja dhe a reflektojnë ato një pjesë të natyrës suaj artistike?
Me shaka do thoja se jam unë, ose shumat e vetvetes, por e vërteta është se arti ishte dhe mbetet antropomorfik, edhe kur vizatojmë ngjarje e veprime, ne vizatojmë një njeri të vetëm edhe kur realizojmë vepra abstrakte apo konceptuale, ne realizojmë një njeri të vetëm, por për absurd dhe kur realizojme njeriun ne nuk bëjmë thjesht portetin e tij, por mendjen, psikikën e tij, apo refleksin e botës mbi të.
Megjithatë, zgjedhja apo zgjidhjet e mia janë krejt të natyrshme duke menduar që një pjesë e mirë e studimeve të hershme i janë dedikuar figurës e portretit në veçanti. Vetëm se kjo lloj dhuntie i ka shërbyer kërkimit tim artistik për ta transformuar apo përpunuar imazhin dhe shprehjen njerëzore në një imazh me sakral që të personifikojë të panjohurën, misterin universal të ekzistencës të mendjes dhe imagjinatës njerëzore.
Simbolet që mbizotërojnë në gamën e krijimeve tuaja ndër vite?
Të gjitha krijimet e mia kanë karakter simbolik, dhe të përshkuara nga simbolet, por sipas meje do të ishte e gabuar të kërkosh nënkuptime apo zgjidhje të rebusit si në një fjalëkryq. Më vjen në mend diçka interesante, shpesh në inagurimet e ekspozitave në Itali shumë vizitorë ose artdashës të kërkojnë kuptimin e veprës, por si të ishte një lloj kutie që ti e hap dhe nxjerr prej andej kuptimin.
Natyrisht, kjo të vendos në një pozitë të vështirë ku ti kërkon të shpjegosh dhe të interpretosh simbolet, mirëpo simbolet kanë karakter emocional dhe për këtë shkak përmbajnë një lloj ambiguiteti, shumëkuptueshmërie, sipas personit, sensibilitetit, kulturës etj.
Mendoni se arti ka fuqi të krijojë realitetin?
Në jetën e përditshme ka shumë paragjykime që e shohin artin si jo thelbësor, si diçka plus, por sidomos si diçka që i largon njerëzit nga realiteti. E vërteta është se arti e krijon realitetin. Bota ka qenë e mbushur me vizionarë që nuk i konsideronte askush, por është falë këtyre vizioneve të kahershme që sot kemi kryevepra ku njerëzit mbajnë radhën për t’i parë ose përdorin mjetet që ata kanë shpikur. Arti nuk mund t’i thotë të gjitha, por ai mund të orientojë shpirtin dhe mendjen drejt gjithçkasë. Religjioni dhe shkencat i afrohen Zotit, por arti shëtit tinëz pranë tij, pa e ditur.
“Arti nuk mund t’i thotë të gjitha, por ai mund të orientojë shpirtin dhe mendjen drejt gjithçkasë”