Skulptori Tony Cragg, fituesi i çmimit “Turner”, ka një stil unik dhe identifikues, i cili vendos në dyshim artin, gravitetin dhe skulpturën tradicionale.
Materiale si bronzi, hekuri, xhami, guri dhe druri janë të preferuarit e tij dhe për skulptorin e famshëm, fakti që i jep formë materialeve të tilla është një ndjesi sublime.
Cragg njihet në artin bashkëkohor si një pioner i cili theu barrierat e skulpturave tradicionale, të cilat nuk kanë ritëm dhe lëvizje. Me forma të gërshetuara dhe krijime uraganesh, Cragg definoi sistemin e estetikës në skulpturën kontemporane.

“Dua që materialet të jenë dinamikë, të shtyhen, të lëvizin dhe të rriten”.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Jeta
Tony Cragg ka lindur në Liverpul, më 9 prill të 1949-ës. Ka studiuar art në kolegjin e artit dhe teknologjisë “Gloucestershire” për 2 vite (1968-1970) dhe për pikturë në shkollën e artit “Wimbledon”, Londër. Sigurisht, formimi i tij akademik nuk përfundoi këtu, pasi në vitin 1973 vijoi studimet për skulpturë në “Royal College of Art”, në Londër.

Karriera
Ndonëse shtetas britanik, i cili jeton në Gjermani, skulptori gjenial, ka pasur si frymëzim shtetin grek dhe një numër të madh krijimesh i ka kryer pikërisht në Greqi.
Kur ishte student, stili i tij anonte nga larmia e ngjyrave, të cilat transmetonin shumë pozitivitet dhe shpresë te publiku, duke vijuar me fragmente të krijuara me materiale të përziera.
Në 1977, Cragg u zhvendos në Gjermani dhe çeli shumë ekspozita personale, duke përfshirë: “Lützowstraße Situation” në Berlin (1979); “Künstlerhaus Weidenallee” në Hamburg (1979). Në të njëjtin vit mbajti edhe ekspozitën e tij në Londër dhe pas një viti, emri i tij u shqua nëpër botë, duke përfaqësuar shtetin gjerman në Bienale si ajo e Venecias.

Britania e parë nga Veriu
1981 ishte viti kur skulptori vizionar krijoi “Britania e parë nga Veriu”, e etiketuar si një nga punët e tij më identifikuese, e punuar me materiale të ndryshme, shumëngjyrëshe. Britania e paraqitur në një mënyrë tejet artistike, kundrohet nga një person i cili mbart të njëjtat ngjyra, por faktikisht, vepra është një “homazh” për vështirësitë sociale dhe ekonomike gjatë periudhës së “Thatçerizmit”, problematika të cilat u ndjenë më së shumti në veri të vendit.

Shtatë vite më vonë, Cragg do të fitonte çmimin “Turner” në galerinë “Tate”, Londër. Ky vlerësim shërbeu si një shtysë shumë e madhe për karrierën artistike të skulptorit, i cili më 1990 do të na prezantonte “Format e Hershme” dhe “Qenie Racionale”, dy punë voluminoze dhe fantastike.

Format e Hershme
“Format e Hershme” është një mësim i vyer i mundësive të manipulimit të materialeve, duke na rrëfyer metamorfozën në vende të ndryshme. Skulptura përmban materiale të tilla si: enë kimike, shishe plastike dhe gëlqere. Sipërfaqja e krijimit na tregon se skulptura sjell forma të pavarura, të cilat lëvizin mes hapësirës. Kjo skulpturë fantastike zhvillohet në linja dhe konture të reja, duke vënë përballë pozitiven dhe negativen. Nëpërmjet enëve kimike, fusha e gjerë vihet në funksion të ndryshimit të qelizave, organeve, organizmave dhe trupave. “Format e Hershme” mund të karakterizohet si një tranformim unik, i cili përmirëson skulpturën organike, estetikën dhe kualitetin.

Qenie Racionale
“Qenie Racionale” mund të përshkruhet si një korpus i cili përbëhet nga fibra karboni dhe polystyrene. Këto skulptura rrjedhin nga vizatime të ndryshme, të cilat Cragg i ka “përkthyer” në tredimensionale, duke përdorur disqe të trasha, rrethore dhe ovale, të vendosura më së shumti në pozicion vertikal, të ngjitura së bashku dhe të mbuluara me lëkurë.
Pjesa e strukturës së skulpturës dhuron ndjesinë e prekjes së lëkurës dhe tensionin e membramës, duke reflektuar edhe trupin dhe organet e qenieve natyrore.

Cragg ka krijuar një numër të konsiderueshëm kryeveprash, të cilat janë prezantuar në ekspozita anë e mbanë botës dhe janë vlerësuar me një sërë çmimesh.

Ekspozitat:
Bienalja e Venecias (1993).
Pallati Mbretëror i Caserta, Itali (1994).
Galeria Kombëtare, Pragë (1995).
Akademia Mbretërore, Londër (1999).
Galeria “Tate”, Liverpul (2000).
MACRO, Muzeu i Arteve Bashkëkohore, Romë (2003).
Shtëpia e Artistëve, Moskë (2005).
Muzeu i Louvre, Paris (2011).
Muzeu CAFA, Beijing (2012).

Vlerësimet:
Cragg është përzgjedhur mes shumë artistëve për të përfaqësuar Mbretërinë e Bashkuar në Bienalen e Venecias, në vitin 1988 dhe po në të njëjtin vit, ka fituar prestigjozin “Turner”. Në vitin 1990 është vlerësuar me çmimin “Chevalier des Arts Lettres” dhe më 1994 ka qenë i pranishëm në “Akademinë Mbretërore”, Londër.
Në vitin 2001 rrëmbeu çmimin “Shekspir” nga fondacioni “Alfred Toepfer”, në Hamburg. Një vit më vonë, ishte i ftuari i nderit në “Listën e Vitit të Ri”, duke fituar edhe çmimin “Piepenbrock për Skulpturën”.
Viti 2007 do t’i dhuronte “Praemium Imperiale” në Japoni.
Që prej vitit 2010, Cragg ka firmosur bashkëpunimin e nderit në Universitetin e Arteve të Londrës, ka rrëmbyer medaljen e “Artistit të Nderit” në Rusi, si dhe ka në rezymenë e tij edhe “1st Class Order of Merit” nga Republika Federale e Gjermanisë.

error: Content is protected !!