Prej kohësh punimet handmade janë kthyer në një trend shumë të pëlqyer, duke sjellë edhe vlerësimin e mundit dhe kreativitetit të artistëve. Vendi ynë është mbushur me artizanë të rinj, të talentuar, të cilët shpalosin krijimet e tyre në mediume të ndryshme, kryesisht në Instagram. Ne në Elegance, jemi gjithmonë në kërkim të krijimeve handmade, ndaj këtë herë ju sjellim punimet e “VigArt”, një dyqani virtual, i cili prezanton punime unike dhe të personalizuara. Sugjerim: duhet ta keni parasysh për dhuratën e radhës.
Si e zbulove talentin dhe dëshirën për të krijuar punime handmade?
Talentin për të krijuar punime handmade e kam zbuluar rreth 12 vite më parë, kur punoja në një kompani italiane e cila merrej me krijimin e bizhuterive. Fillimisht, nisa me punime handmade, kryesisht me materiale të ricikluara, për kënaqësi vetjake.
Kur vendose ta transmetoje pasionin tënd në sipërmarrje?
Gjatë kohës që punoja në kompaninë që përmenda, kam bërë punime të ndryshme artistike, të cilat u pëlqenin shumë dhe shpesh kërkonin që t’u realizoja një krijim të personalizuar, si dhuratë për dikë, apo edhe për ta pasur vetë. Kështu lindi edhe ideja për t’i dhënë tashmë një identitet punimeve të mia dhe duke krijuar një brand. Kështu lindi “VigArt”.
Cilat janë vështirësitë që has një sipërmarrje e tillë në Shqipëri?
Një sipërmarrje e tillë ka disa vështirësi, duke nisur nga mungesa e programeve të shtetit, të cilat mund të shërbejnë si stimul për t’i dhënë një shtysë artizanëve. Gjithashtu, ka vështirësi edhe gjetja e materialeve.
Çfarë të pëlqen më së shumti në punën tënde dhe të motivon të sjellësh përherë punime fantastike?
Ajo që më pëlqen, por edhe më motivon te punimet e mia është se çdo punim është unik dhe gjithmonë ka diçka të re për të eksploruar. Gjithashtu, më pëlqen fakti që çdo punim “VigArt” ka një histori, apo një ndjesi që përcillet te klienti dhe në vazhdimësi, duke qenë se të gjitha krijimet janë të personalizuara.
Çfarë të frymëzon?
Ajo që më frymëzon dhe ka qenë si indicie për fillimet e “VigArt” është vlerësim që njerëzit kanë për punimet e mia.
Si mund ta përshkruash rrugëtimin tënd në artin e handmade?
Ka qenë një rrugëtim pak i vështirë dhe sfidues, por gjithashtu më fal shumë kënaqësi.
Me cilat materiale punon?
Materiali me të cilin punoj kryesisht është metali, por nuk kufizohem vetëm me këtë material. Gjithashtu, bëj punime me dru, letër, apo edhe karton, në varësi të kërkesave të klientit.
Cilat janë proceset që ndjek që nga ideja deri te forma përfundimtare e një produkti?
Fillimisht është dizenjimi i punimit në bazë të kërkesave të klientit dhe proceset e tjera janë në varësi të materialit, si për shembull: saldimi i metalit, punimi i drurit, ose edhe punimi i argjilës.
Cilat janë ndjesitë që të kanë përshkruar me porosinë e parë dhe me reagimin pozitiv të klientit?
Jam ndierë pak në siklet, sepse mendoja se nuk mund ta shisja artin tim, por e gjitha ndryshoi kur pashë entuziazmin dhe vlerësimin e klientit për porosinë. Këto shërbyen për të rritur vetëbesimin tim për punimet handmade.
Si ka ndikuar situata e COVID-19 në sipërmarrjen tënde?
Faktikisht, duke qenë se gjatë periudhës së karantinës, njerëzit kanë qëndruar në shtëpi dhe kanë menduar më shumë mbi dekorin e shtëpisë, si dhe duke marrë parasysh faktin që “VigArt” operon online, nuk ka pasur ndonjë ndryshim, krahasuar me periudhën para Covid-19. Madje, mund të them që ka pasur një rritje të lehtë.
Si funksionon porosia në “Vigart Shop”? Klienti ka një ide të qartë se çfarë dëshiron, apo ju i sugjeroni punime që keni krijuar?
Porositë variojnë në bazë të klientëve. Disa prej tyre kanë parë një punim të caktuar dhe kërkojnë një të tillë; disa të tjerë duan një punim që kanë parë, por shtojnë edhe detaje për ta personalizuar atë punim. Ka edhe krijime të tjera të cilat kryehen në bashkëpunim me klientin, prandaj, çdo eksperiencë është unike.
Cilat janë planet për të ardhmen?
Objektivat e mia për të ardhmen, lidhur me “VigArt”, kanë të bëjnë me hapjen e një studioje ku mund të reklamohen punimet e mia artistike dhe për të qenë më pranë klientit. Gjithashtu, aspiroj ta bëj “VigArt” një brand ndërkombëtar.