Që prej revolucionit industrial, korporatat dhe shoqëria janë dy elementë që bashkë-ekzistojnë në shoqërinë moderne. Me shtimin e ndërgjegjësimit të sektorit privat, ka ndryshuar edhe sjellja e tyre kundrejt shoqërisë. Kjo reflektohet në kontributin që kompanitë japin në komunitetet ku operojnë si edhe në kujdesin që bëjnë kundrejt gjurmës që lënë në mjedis, përmes punës së tyre. Ky aspekt njihet si Përgjegjësia Sociale e Korporatave. Në Shqipëri, ky është një koncept i 20 vjeçarit të fundit, dhe shumë pak kompani e kanë të strukturuar këtë si sektor më vete në organogramë. Një prej kompanive shqiptare që njihet në shoqëri për investimin në komunitet dhe në mjedis është operatori One Telecommunications. Për të na treguar si funksionon kjo fushë relativisht e re, kemi intervistuar një prej punonjësve të sektorit të Përgjegjshmërisë Sociale të One, Verdi Norja. Angazhimi i tij në sektorin social ka filluar që para 10 vitesh, pasi është kthyer nga studimet e tij jashtë vendit, dhe prej 6 vitesh punon në One si specialist për procedurat e mbështetjes sociale.
Si funksionon Përgjegjësia Sociale e një korporate? Pse është e rëndësishme për kompaninë dhe publikun?
Përgjegjësia Sociale në një korporatë si One funksionon në mënyrë shumë të strukturuar. Ashtu siç e ka edhe përkufizimin klasik, përgjegjësia sociale në One është e integruar në çdo operacion biznesi të kompanisë. Qëllimi ynë është që të krijojmë vlerë të shtuar për kompaninë tonë, duke u kujdesur njëkohësisht për mjedisin shoqëror ku operojmë. Praktikisht, përgjegjësia jonë e korproratës është e fokusuar në disa shtylla të rëndësishme si: çështje që kanë të bëjnë me kujdesin ndaj mjedisit, shëndetësia, teknologjia në shërbim të grupeve në nevojë, arsimi dhe kultura.
Kompania jonë nuk e shikon punën e saj të përditshme dhe veprimtarinë e saj ekonomike të shkëputur nga shoqëria. Në këtë kuptim ONE i jep rëndësi programeve të kontributit në komunitet dhe mjedisit, të cilat i kemi të shpallura edhe në faqen tone web, si shtylla mbi të cilat aplikojmë veprimtarinë tonë sociale.
Çfarë prioritetesh ka One Telecommunications në aspektin social?
Kontributi në aspektin shëndetësor ka qenë dhe është edhe më i rëndësishëm tani. Ndër vite, One ka kontribuar në infrastrukturën IT në disa spitale publike. Synimi ynë është rritja e kapaciteteve spitalore me pajimin e tyre me aparatura mjekësore shumë të nevojshme për diagnostikimin dhe trajtimin e pacientëve. Duke iu referuar periudhës së pandemisë, One ka dhënë një kontribut me aspiratorë, me linja këshillimi për të prekurit, dhe me njësi komunikimi falas për mjekë dhe pacientë.
Një mënyrë tjetër e kontributit tonë vazhdon të mbetet edhe promovimi i kulturës së vullnetarizmit tek punonjësit tanë, ashtu si edhe duke mbështetur iniciativa të jashtme të grupeve vullnetare apo organizatave jo-fitimprurëse. Këto iniciativa besoj se kanë ndihmuar një sërë institucionesh të rëndësishme e si rrjedhojë, kanë ndikuar pozitivisht edhe në zhvillimin e kulturës së përgjegjshmërisë sonë si qytetarë.
Si një sektor shumë i rëndësishëm për zhvillimin e vendit, edhe arsimi nuk ka qenë jashtë fokusit tonë. Vlen të përmënd kontributin e vazhdueshëm dhe të suksesshëm në përmirësimin e infrastrukturës IT dhe godinave ekzistuese në disa universitete të vendit, si Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti Bujqësor i Tiranës etj.
Për studetët, One ka zhvilluar programe të praktikës mësimore, duke u dhënë atyre mundësinë që të fitojnë përvojë pune dhe të zhvillojnë aftësitë e nevojshme për të performuar sa më mirë në punët e tyre të ardhshme. Ndërsa disa prej tyre janë punësuar në kompaninë tonë.
Cilat janë arritjet tuaja në lidhje me mjedisin?
Kujdesi ndaj mjedisit zbatohet në dy drejtime kryesore. Së pari, parandalimi i çdo impakti negativ që mund të shkaktohet nga veprimtaria jonë, duke menaxhuar mbeturinat, rinovuar teknologjinë me pajisje më efiçente, përdorur makina që nuk ndosin mjedisin, etj. Gjithashtu, kërkojmë nga bashkëpunëtorët tanë çertifikata që vërtetojnë të njëjtën qasje ndaj mjedisit.
Së dyti, arritjet tona në lidhje me mjedisin kanë të bëjnë me projektet që kemi mbështetur të cilat kanë patur si synim impaktin pozitiv në mjedis. Mund të përmend që çdo vit One angazhohet në mbjelljen e pemëve dhe ka pasur një kontribut konkret në shtimin e sipërfaqeve të gjelbërta. Aksionet per pastrimin e zonave të ndotura dhe projektete sensibilizuese janë gjithashtu në fokus të punës sonë për mjedisin.
Mendon se një profil më i mirë social ndikon që klientët t’ju zgjedhin ju, më shumë se konkurrentët?
Mendoj se një profil i mirë social e shoqëron kompaninë tonë për shkak të punës sonë të përditshme për t’i qëndruar pranë abonentëve dhe bashkëpunëtorëve tanë. Kjo është ajo që ka rëndësi për ne. Në qoftë se kjo shoqërohet me një interes të shtuar për One, kjo na bën që të punojmë akoma më shumë për pjesëmarrjen tonë në komunitet.
Cilët kanë qenë disa nga shembujt që ju keni kontribuar në komunitet, përmes projekteve?
Duke qenë se shembujt janë të shumtë, po mundohem të përmend vetëm disa prej tyre. Si projekte me impakt të gjerë mendoj se vlen të përmend bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës për ndërtimin e këndit të forcës tek liqeni artificial dhe i disa këndeve rekreative brenda lagjeve, si ai pranë Komunës së Parisit. Çdo vit kemi i kemi dhuruar pediatrisë pranë QSUT pajisje diagnostikuese për fëmijët e shtruar si edhe plotësimin e dëshirave të tyre për fundvit. Por, nuk kemi lënë pas dore as aspektin kulturor, ku mund të përmend paisjen e bibliotekave të lagjeve të Tiranës me një sasi të konsiderueshme librash për qytetarët. Gjithashtu, kemi kontribuar edhe përmes fushatave ndërgjegjësuese si për shembull për anti-bullizmin ose për edukimin se si të shmangim infektimin nga COVID-19. Këto janë vetëm disa shembuj të kontributeve tona në komunitet.
Çfarë elementi duhet të ketë një projekt social që të marrë mbështetjen tuaj?
Në përgjithësi nuk kemi kritere përjashtuese për propozimet që na vijnë për mbështetje. Procedura jonë e sponsorizimeve është e mbështetur në ligjin shqiptar për sponsorizimet dhe donacionet. Mjafton të jetë kërkesë nga sektori publik ose ai i OJF-ve, të jetë brënda shtyllave tona të përgjegjshmërisë sociale dhe të ketë një impakt sa më të gjerë social.