Anila Kaba Bashllari sjell ndryshime rrënjësore në jetën tuaj

Jeta jonë është një rrugëtim i pandalshëm drejt përmirësimit dhe dëshirës për të qenë versioni më i mirë i vetvetes. Në fakt, të gjithë punën drejt suksesit e bën mendja jonë. Ajo është zanafilla e gjithçkaje, sepse çdo mendim i yni gjen vend dhe manifestohet në realitet. Pra, një “dietë” mendore dhe monitorimi i mendimeve tona gjatë të gjithë ditës është hapi i parë për të transformuar rrënjësisht jetën. Tashmë, njerëzit janë bërë shumë më të vetëdijshëm për fuqinë që mbartin dhe kërkojnë që të bëjnë hapa konkretë në përmirësimin e jetës. Për këtë ju vjen në ndihmë Anila Kaba Bashllari, coach, mentore dhe trajnere, me një karrierë të gjatë dhe eksperiencë mbresëlënëse në fushën e zhvillimit personal.
Suksesi i saj është i padiskutueshëm dhe këtë e kanë rrëfyer historitë e suksesit të klientëve të saj, të cilët ia kanë dalë të realizojnë ëndrrat e tyre.
Elegance ju sjell intervistën ekskluzive me coach, mentoren dhe trajneren e jashtëzakonshme.

Anila, si ka nisur interesi yt për një fushë relativisht të re në Shqipëri? Çfarë të shtyu ta sjellësh këtë mendësi dhe realitet të ri në vendin tonë?
Ka filluar pa kuptuar… thjesht isha në kërkim të disa përgjigjeve për veten në një moment të jetës sime kur fillova të ndihem e lodhur dhe shumë e stresuar nga marrëdhueniet në punë. Atëhere nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte…ndieja lodhje dhe një mungesë energjie që s’më kishte ndodhur më parë. Sapo kisha mbushur 40 vjeç dhe shumica e quanin “krizë” të moshës se mesme! Më vinte çudi pasi deri atëherë nuk kisha menduar asnjëherë për “plakjen”, aq më pak të ndjeja frikë! Por e vërteta është se kisha filluar të ndieja boshllëk dhe mungesë “përkatësie”. Trishtimin më të madh e ndieva kur edhe muzika nuk më depërtonte më shpirtin…

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Mjekët e quanin “ankth” pasi çdo kontroll dhe analizë mjekësore rezultonte në rregull me përjashtim të faktit që unë nuk ndihesha ashtu.

Kjo situatë zgjati dhe për çudinë time, gjërat sa vinin dhe ktheheshin “kundra meje” sikur donin të më rrisnin intensitetin e gjendjes në të cilën ndodhesha.

Në përgjithësi personat që merren me zhvillim personal ndajnë histori të dhimbshme nga fëmijëria apo adoleshenca: varfëri, abuzim seksual, bullizëm, braktisje etj., etj. Historia ime është ndryshe…Jam rritur në një familje me një gjendje ekonomike si kushdo në kushtet e regjimit komunist, ku babai intelektual dhe nëna parukiere gjatë gjithë jetës së saj. Jam rritur me shumë dashuri dhe përkujdesje, ndoshta më shumë se ç’duhej, por jo e “llastuar”. Babai ka qenë idhulli në jetën time për mprehtësinë, karakterin dhe dashurinë që na jepte, edhe pse punonte shumë. Nëna, një grua e urtë e cila kishte një përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj neve – fëmijëve dhe që rrezaton edhe sot e kësaj dite veç mirësi.

Pra, kam kaluar një fëmijëri relativisht të shëndetshme; adoleshencë të përqendruar te shkolla dhe rezultatet e larta në mësime dhe një rini të kombinuar midis shkollës dhe argëtimeve. Me bashkëshortin u njoha gjatë viteve të fakultetit, dhe pothuajse rininë dhe argëtimet i kemi kaluar së bashku, natyrisht aq sa na lejonte sistemi. Krijuam familjen tonë dhe Zoti na bekoi me djalin tonë, Keltin.

Vitet e para mbas mbarimit të studimeve të larta i kaluam në stazhin e komunizmit: në Lushnjë dhe më pas në qytetin e vogël të Gramshit. Por edhe pse jashtë Tiranës, ndihesha mirë me familjen time të vogël. Tranzicioni na kapi në Gramsh, por shumë shpejt u kthyem në Tiranë për të rifilluar aty ku e kisha lënë, por tashmë me Arjanin (bashkëshortin) dhe Keltin.

Kanë qënë vite sfiduese të përshtatjes me ekonominë e tregut dhe tranzicionin, por edhe u “rritëm”. Mendoj që për mua jeta në Gramsh ishte shkolla e parë e jetës. E them këtë pasi ne rritemi fizikisht dhe mentalisht (pasi shkollohemi), por emocionalisht mbetemi ende të parritur. Këtë e kam kuptuar vonë dhe mendoj kjo ka qenë arsyeja pse u futa në rrugën e zhvillimit personal edhe pse pa e kuptuar. Sot e shikoj qartë dhe për t’u kthyer te pyetja juaj mbi rrugëtimin tim në fushën e zhvillimit personal: fillimisht nisi si një nevojë personale për të adresuar ato mangësi brenda vetes dhe më pas, duke parë rezultatet te vetja mendova se kjo duhet ndarë edhe me të tjerët. Kështu filloi edhe angazhimi im në fushën e zhvillimit personal si coach për jetën dhe biznesin; mentore dhe trajnere. Për rreth 9 vite kam trajnuar me mijëra individë në lidhje me Mendësinë e Rritjes; Inteligjencën Emocionale; Komunikimin Efektiv; Të folurën në publik; Si të jemi të qëllimshëm në jetën tone; Harmonia punë-familje; Si të tejkalosh veten; Rritja është maratonë dhe jo sprint; Si të mendodh dhe bëhesh i pasur dhe shumë tema të tjera.

Kështu lindi edhe rrugëtimi im në fushën e zhvillimit personal në një kohë kur ende nuk perceptohej çfarë ishte dhe pothuajse të gjithë ishin skeptikë për më tej.


Në kërkim të studimeve dhe hulumtimeve të ndryshme, ti ke udhëtuar shumë, duke realizuar edhe trajnime të ndryshme. Si kanë ndikuar te ti këto eksperienca?
Më ktheve pas në kohë… Unë kam udhëtuar shumë gjatë karierrës sime (pasi rreth 20 vite kam qenë drejtuese në institucione shtetërore, organizata ndërkombëtare financiare dhe zhvillimi, si dhe biznes privat) dhe transformimi im i parë filloi në vitin 1993 kur përfundova Masterin për Administrim Biznesi në International Bled School of Management- Slloveni. Ajo ishte shkolla e dytë e jetës pas punës në qytetin e Gramshit. Kur u ktheva në Shqipëri ndihesha si një person tjetër dhe fillova të kem një perceptim tjetër mbi punën dhe jetën. Udhëtimet e punës më kanë ndihmuar shumë për rritjen time profesionale, por edhe më hapën sytë. Sidoqoftë, transformimi im i vërtetë filloi me udhëtimin tim në Kinë në vitin 2011, udhëtim i cili shënoi dhe fillimin e një karriere të re për mua. Gjatë udhëtimit me avion lexova librin e Eckhart Tolle: “A New Earth -Awakening to Your Life’s Purpose” të cilin ma dhuruan një ditë para udhëtimit. Nuk e ekzagjeroj nëse ju them që e “përpiva” si libër. Kur erdha nga trajnimi në Kinë (që përfshinte ChiGong si disiplinë dhe gjithçka mbi mënyrën e të menduarit dhe stilin e jetës) më dukej sikur më ishte aktivizuar syri i “tretë”. Ka qenë një periudhë shumë intensive studimi dhe përfshirjeje në fushën e zhvillimit personal, aq sa shpesh më dukej vetja si Sahara, që sado ujë të marrë përsëri nuk i mjafton! Pastaj gjithçka ka rrjedhur aq shpejt dhe me aq përfshirje sa mund të them kam jetuar në një “vortex” rritjeje dhe zhvillimi. Por ndjesia që kisha atëherë gjatë gjithë kohës ishte shumë e bukur: ndihesha energjike si kurrë më parë, vitale dhe totalisht e motivuar për të mësuar “gjithçka”. Atëherë doja që dita të kishte 72 orë se 24 orë nuk më mjaftonin. Lodhesha shumë por nuk e ndieja si lodhje. Edhe sot e kësaj dite nuk e përkufizoj dot atë periudhë – nga vinte gjithë ajo energji dhe motivim për më shumë. Mijëra orë trajnimi dhe studimi, por ndihesha e lumtur dhe e plotësuar me të vetmin problem që askush nuk e kuptonte se çfarë po bëja (vetëm djali – Keltin më mbështeste moralisht, ndërsa Arjani edhe pse më mbështeste financiarisht nuk ishte dakord që po hidhja poshtë 30 vite të konsoliduara të karrierës sime!). Por unë e ndieja që isha në drejtimin e duhur, pasi ishte ajo që përkonte me rrahjet e zemrës sime si kurrë ndonjëherë. Nuk jam gëzuar aq shumë as kur përfundova Master për Administrim Biznesi apo Doktoraturën në Sipërmarrje (1996-2001) sa u gëzova kur pas 12 muajsh pune intensive studimi dhe praktike, u certifikova si Coach për jetën nga Quantum Success Coaching Academy (në maj 2013) dhe më pas si Coach, Mentore, Folëse dhe Trajnere nga John Maxwell Iinternational Team (në gusht 2015), apo si Neurocoach në dhjetor 2018 – pas 18 muaj studimi intensiv me një nga neurocoaches lider në neuroshkence, Mark Waldman në programin Executive MBA në Universitetin e Loyola Marymount, Kaliforni.

Duke filluar nga viti 2012 unë nuk kam ndaluari së investuari mijëra orë studimi dhe praktike në fushën e zhvillimit personal nga individë që më kanë frymëzuar dhe mësuar pa fund si Brendon Burchard, Tony Robins, John Maxwell, Brian Tracy, James Mel, Rhoda Britten, Deepak Chopra, Wayne Dyer, John Assaraf etj. etj.

Trajnimet në fushën e zhvillimit personal plotësuan atë pjesë të puzzle që mungonte në formimin tim, duke nxjerrë në pah personin që kam qenë gjithmonë brenda meje, por me të cilin e kisha humbur lidhjen. Nëse do ta përmblidhja: u rrita personalisht dhe profesionalisht; fillova të zhvilloj inteligjencën emocionale, aftësitë e lidershipit duke bërë pjesë integrale të jetës sime atë çfarë u mësoja të tjerëve; të komunikoj në mënyrë empatike duke kuptuar më mirë veten dhe të tjerët; të krijoj dhe zhvilloj mendësinë e rritjes duke influencuar dhe transformuar jetën time dhe të klientëve me të cilët punoja si personal dhe group coach, mentore dhe trajnuese.

Ka qënë e lehtë? Natyrisht JO! Më është dashur të bëj shumë sakrifica në jetën time duke privuar veten nga shumë momente argëtimi apo jete sociale. Por siç e kam thënë gjithmonë në jetë nuk ka balancë, por vendosje prioritetesh. Ajo që më ka ndihmuar shumë ka qenë komunikimi me familjen duke u shpjeguar se çfarë doja të bëja dhe arrija dhe duke marrë gjithmonë mbështetjen e tyre pa kushte, edhe pse skeptikë në vitet e para të këtij rrugëtimi. Shpeshherë “frigohesha” se mos ndoshta po merrnim drejtime të ndryshme si çift pa pika takimi. Për disa vite e kam pasur këtë frikë edhe pse motivimi për të vazhduar ishte shumë i madh. Natyrisht, nuk doja të sakrifikoja familjen, por e kuptoja që “ky rrugëtim” ishte shumë më i madh dhe i fortë se vetja ime. Edhe Arjani e kuptonte pasi shpeshherë më thoshte: “Kur të mbushet mendja ty për diçka është e kotë të insistosh për ta ndryshuar”. Dhe në fakt, ky rrugëtim ka qënë ndër ato gjëra që do ishte e kotë për të insistuar për të hequr dorë pasi ishte një forcë shumë e madhe brenda meje që me zgjonte nga gjumi dhe më linte pa gjumë.


 Specializimi yt në fakt është tejet mbresëlënës, pasi je certifikuar nga Quantum Succeess Coaching Academy, me vendndodhje në SHBA, më pas nga The John Maxwell Team International, prezente në SHBA dhe në shumë vende të tjera të botës, gjithashtu ke marrë edhe titullin Neurocoach nga Universiteti Loyola Marymount, në Kaliforni, duke plotësuar të gjithë spektrin e formimit tënd. A është shpërblyer e gjithë kjo punë në karrierën tënde në Shqipëri?
Unë i përmenda pak a shumë më sipër dhe do të përgjigjesha kështu: gjithë ai investim më është kthyer shumë më tepër me paqen dhe qetësinë që ndiej brenda vetes, cilësinë e jetës që kam krijuar dhe atë realizim që ndiej brenda vetes. A më është shpërblyer për karrierën? Ende jo, pasi dëshira ime është të ndikoj në sa më shumë jetë njerëzish në Shqipëri, për t’u kthyer qetësinë, pasionin për jetën dhe motivimin për atë çfarë ata quajnë të rëndësishme në jetën e tyre. Për këtë qëllim kam krijuar edhe disa programe online (mund t’i gjeni te www.anilabashllari.com/produktet), për të ndihmuar këdo që është i interesuar të hedhë hapin tjetër të rëndësishëm për një harmoni në jetën e tyre në disa dimensione: fizik, mental, emocional dhe shpirtëror; përmirësim të marrëdhënieve në çift dhe prindërimin koshient; ulje të stresit dhe ankthit duke krijuar një qetësi të brendshme, e cila nuk lëkundet lehtë në situata sfiduese apo vështirësi; rritje të produktivitetit, menaxhimit të vetes për të krijuar më shumë si dhe një performancë më të lartë duke krijuar marrëdhëniet e dëshiruara në punë, familje dhe shoqëri. Mua më duhet të jem më prezente në treg pasi ende shumë njerëz nuk më njohin që kam vite që i jam përkushtuar kësaj fushe.

 Cilat janë disa nga cilësitë kryesore që duhet të ketë një trajnere profesioniste?
Mendoj që janë disa cilësi, por do të thoja INTEGRITETI është shumë i rëndësishëm. Pra, duhet të jesh model për atë çka ti trajnon të tjerët. Këtu më kujtohet një shprehje e një nga coach të mi, Ritch Litvin i cili gjithmonë na përsëriste: “Ju nuk mund të drejtoni një klient në thellësitë që nuk i keni shkelur vetë”. Integriteti është i rëndësishëm edhe për faktin që ke të bësh me psikologjinë e individit dhe duhet shumë kujdes për atë çka thua dhe ndan me të tjerët, duke pasur primare shëndetin e tyre mental. Për mua personalisht integriteti është cilësi e panegociueshme në këtë fushë.

Të jesh një trajnere profesioniste në fushën e zhvillimit personal kërkon një punë të vazhdueshme me veten, çdo ditë. Unë i kushtoj çdo ditë 2-3 orë studimit/trajnimit personal në këtë fushë pasi mendoj që një trajnues/e në fushën e zhvillimit personal duhet të demonstrojë te vetja atë çfarë u mëson të tjerëve. Dhe shpeshherë jam vënë para sfidave të tilla. Më kujtohet një nga trajnimet mbi Inteligjencën Emocionale me drejtues të mesëm dhe të lartë me bankën NLB në Prishtinë. Trajnimet u organizuan në Tiranë dhe një herë më ndodhi që nuk funksiononte teknika dhe në rastin tjetër ishin ngatërruar detajet mbi sallën e trajnimit: Unë i prisja te salla X kati 2 dhe pjesëmarrësit më prisnin tek salla Y në një kat tjetër. Të dy momentet ishin sfida për mua se si duhej të menaxhohen emocionet dhe unë thjesht demonstrova (në mënyrë jo të vetëdijsme) që e kisha trajnuar veten mjaftueshëm në vite për të kontrolluar emocionet. Imagjino çfarë do të ndodhte nëse unë do të humbisja kontrollin e emocioneve në të dyja situatat dhe më pas t’i trajnoja se si mund të menaxhohen emocionet. Prandaj, e theksoj që integriteti dhe një punë e vazhdueshme janë 2 cilësi tejet të rëndësishme për një trajnere në fushën e zhvillimit personal.

Pa të është e pamundur të avancosh pasi fusha e zhvillimit personal është shumë komplekse dhe kërkon një përgatitje disadimensionale. Konkretisht, për të krijuar cilësinë e dëshiruar të jetës më është dashur të hulumtoj dhe trajnohem në lidhje me shëndetin fizik, emocional, mental dhe shpirtëror; marrëdhëniet në çift dhe prindërimin; karrierën dhe pavarësinë financiare. Kjo punë personale solli në dritë edhe programin Life 2.0 program.

Por ka edhe disa cilësi të tjera të rëndësishme si Inteligjenca Emocionale, të dëgjuarit aktiv, komunikimi efektiv, të qenit mendjehapur etj.

Puna me veten dhe respektimi i cilësive të një trajnuesi në fushën e zhvillimit personal kërkojnë shumë kohë, energji, angazhim dhe financim. Ndoshta gjithë ky angazhim më ka penalizuar pak duke mos i kushtuar kohën e duhur marketingut dhe njohjes sime në treg për shërbimet që ofroj.


Cilat janë disa nga vështirësitë me të cilat haset një mentore si ti?
Më parë përmenda marketingun që kërkon edhe ai kohën e vet. Por të them të drejtën e kam neglizhuar pak duke u fokusuar më shumë te rritja e vetes dhe perfeksioni që është një pengesë pasi të duket sikur nuk je gati. Por edhe kjo është një aspekt që po punoj me veten pasi kam kuptuar që perfeksioni nuk ekziston pasi gjithmonë ka diçka më të mirë se ajo që ke arritur. Mund të ndaj eksperiencën time kur përgatita programin Life 2.0 që tashmë është online. Nuk kisha një raport të mirë me kamerën dhe ajo po bëhej pengesa ime kryesore në realizimin e asaj që ishte ëndrra ime. Dhe e di si e kalova? Duke u përballur me frikërat e mia: frika nga gjykimi i të tjerëve nëse do krijoja diçka me vlerë.

Vështirësi tjetër është fakti që shoqëria në përgjithësi (jo vetëm në Shqipëri) është bërë konsumatore e “produkteve” sipërfaqësore. Njerëzit i kushtojnë më shumë rëndësi dhe vëmendje një fotoje “seksi” apo se çfarë konsumohet në një drekë apo darkë se sa një artikulli apo programi në fushën e zhvillimit personal që mund t’u transformojë jetën. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për mungesë burimesh financiare – ky është një justifikim që njerëzit i thonë vetes vazhdimisht…
Por e mirëkuptoj këtë fakt pasi edhe unë në fillim nuk e dija çfarë rëndësie kishte fusha e zhvillimit personal derisa fillova të shikoj rezultatet në jetën time.

Si kanë ndryshuar konceptet dhe këndvështrimet e personave që zgjedhin të trajnohen nga ti?
Në fakt për këtë do preferoja t’i intervistonit ata dhe dëgjonit nga goja e tyre. Por kjo do ishte e pamundur në kuadrin e kësaj interviste.

Së pari, ndodh një rritje e nivelit të vetëdijes dhe perceptimit mbi jetën. Ndihen më optimistë dhe mendojnë si 5% e njerëzve të suksesshëm në të gjithë botën. Gjatë punës së bashku ndryshon mënyra e të menduarit dhe kuptimi që i japin ngjarjeve në jetën e tyre; ndryshon raporti me veten dhe të tjerët duke e parë transformimin nga brenda-jashtë; janë më kreativë; më të guximshëm; janë CEO e trurit të tyre dhe jo skllav të mendimeve; krijojnë marrëdhënie më të mira; janë më produktive dhe mbi të gjitha, janë në paqe me veten.

Ndryshimi është i tillë sa e harrojnë versionin e dikurshëm që kanë qenë dhe fokusohen në prioritetet e jetës pa u hutuar në çfarë nuk funksion. Të gjithë fillojnë dhe tregojnë një qasje optimiste mbi jetën. Fillojnë dhe kujdesen për shëndetin fizik, mental, emocional dhe shpirtëror; janë të vetëdijshëm mbi shkakun dhe pasojën duke u fokusuar te shkaqet që në përgjithësi janë mendimet, besimet dhe zakonet tona dhe duke i korrigjuar ato, marrin rezultatet e dëshiruara.
Ata e duan jetën dhe veten e tyre, prandaj duan planetin dhe gjithçka në të.


Fusha në të cilën ti je specializuar lidhet ngushtë me emocionet pozitive. Cili është roli i tyre drejt rrugës së suksesit?
Në fakt fusha ku unë jam fokusuar lidhet me trurin dhe gjthçka që ai ndikon në jetën tonë dhe sjelljen njerëzore. Personalisht, emocionet nuk i ndaj në pozitive apo negative, por thjesht emocione. Ato janë GPS i jetës sonë. Dhe fatmirëshisht që ka larmi emocionesh pasi jeta ndryshe do të ishte e mërzitshme.

Nëse nuk do ishin edhe emocionet “negative” nuk do të kuptonim se çfarë kemi nevojë të adresojmë brenda vetes dhe të rritemi. Ky spektër i mrekullueshëm emocionesh, kontrolli dhe menaxhimi i tyre na bën qenie njerëzore dhe na dallon nga gjitarët e tjerë. Kur ne kuptojmë gjuhën e emocioneve dhe mësojmë si t’i procesojmë, ia kemi dalë të rritemi emocionalisht. Dhe kur punojmë me veten fillojmë të ndjejmë më shumë emocione që na bëjnë të ndihemi mirë, optimistë dhe të lumtur. Dhe kur përballemi me emocione që na bëjnë të ndihemi keq dimë se si t’i procesojmë dhe të mësojmë shumë prej tyre. I gjithë spektri i emocioneve është i dobishëm. E rëndësishme është që të kuptojmë gjuhën e tyre dhe kjo është një nga rezultatet e punës së bashku.

Si ka ndikuar pandemia në karrierën tënde dhe cilat janë këshillat që mund të ndash me ne në këtë periudhë të pazakontë?
Pyetje e bukur dhe me shumë dëshirë do i përgjigjem, por dua t’i mirëkuptoni dozat e mia optimiste, pa minimizuar rëndësinë e situatës që po kalojmë dhe empatinë që ndiej për të gjithë personat që kanë humbur të dashurit e tyre.

Fillimisht ishte një periudhë konfuzioni si për të gjithë, por zgjati pak ditë pasi fillova të marr pjesë në trajnimet e organizuara nga mentorët e mi, të cilët filluan të ndajnë një perspektivë ndryshe, duke na bërë më të vetëdijshëm për situatën që po kalonim. Natyrisht kujdesi mbi higjienën dhe shëndetin ishte prioritet, por periudhën e karantinës e shfrytëzova për trajnime për veten, të tjerët dhe përfundimin e disa programeve online: programi NeuroWisdom 101 që ka ardhur si një bashkëpunim me coach-mentor tim Mark Waldman dhe që tashmë është online. Ky program synon t’ju ndihmojë në uljen e stresit, ankthit, depresionit, si dhe rritjen e aftësive konjitive për krijimin e një truri optimal me qëllim rritjen e fokusit, relaksimit të shpejtë të trurit, efiçencës dhe produktivitetit.


Gjithashtu, punova dhe për 2 programe të tjera: Crush Your Resistence që ju ndihmon se si të minimizoni rezistencën që ju shfaqet në formën e justifikimeve dhe ju pengon të veproni, si dhe programin tjetër: “Mendësia e Rritjes” që së shpejti do jetë online ne faqen time www.anilabashllari.com/programet

Tani që po e mendoj, gjatë vitit 2020 kam përgatitur dhe përfunduar 3 programe online në fushën e zhvillimit personal. Gjithshtu, kam ofruar coaching personal dhe webinare për korporata si: “One”, “Deloitte Albania & Kosovo”, etj.

Nuk kam dëgjuar lajme, por kam zgjedhur të lexoj artikuj informues për rritjen e kujdesit gjatë kësaj periudhe. Do ju sugjeroja të kujdeseni për “ushqimin” që i jepni trurit tuaj. Edhe nëse dëgjoni dike, duhet kuptuar që është një opinion dhe mos kaloni në panik që së bashku me frikën, dëmtojnë balancën tuaj trupore, sistemin nervor dhe atë dhe imunitar, kaq të rëndësishëm në këtë periudhë.

Ushqim i shëndetshëm për trupin dhe trurin; ushtrime çdo ditë në kushtet e shtëpisë, angazhohuni me punë pasi është mënyra e duhur për t’u shkëputur nga mendimet negative. Lexoni libra, dëgjoni audio dhe video inspiruese; qëndroni në praninë e njerëzve me qëndrim optimist dhe qeshni, luani dhe argëtohuni. Do ju sugjeroja të regjistroheni në kanalin tim në Youtube pasi do keni mundësi të ndiqni video të ndryshme në fushën e zhvillimit personal që do ju ndihmojnë për të përballuar situatën (https://www.youtube.com/channel/UCEb0g2nMu4kLGRqSBe1beCA)

Mund të ndash me ne një histori suksesi e cila të ka frymëzuar dhe të ka motivuar që të dedikohesh edhe më shumë në punën tënde?
Të gjithë klientët e mi kanë histori suksesi dhe puna me ta ka qënë dhe mbetet një bekim për mua. Do të doja t’i ndaja të gjitha me ju pasi janë histori të veçanta suksesi (mund t’i dëgjoni apo lexoni te www.anilabashllari.com). Por po ndaj njerën prej tyre: Puna me Vasilika Selaj e cila kaloi nga një biznes i vogël familjar dhe hapi qendrën estetike, ndër 3 më të realizuarat në të gjithë botën, brenda kompanisë zvicerane “Swiss Line”. Gjithçka filloi gjatë një trajnimi që unë po ofroja në vitin 2017, “Si të manifestosh në 30 ditë”. Vasilika e solli të gjallë ëndrrën e saj ndoshta prej vitesh për të hapur një qendër estetike moderne dhe me shërbime cilësore dhe në muajin tetor të po atij viti, unë mora pjesë në inagurimin e saj.


Cila është motoja jote, ose afirmimet që i thua vetes çdo ditë?
Çdo mëngjes zgjohem me një buzëqeshje në fytyrë (rreth 1 min) edhe kur nuk më vjen të buzëqesh. Filloj punën në 5:30 dhe mbas rreth 2 orë pune ushtrohem nga 40 – 60 minuta në shtëpi. Mëngjesin kyesisht e kam branch (në orën 11:00 – 12:00) dhe drekën në orën 17:00-18:00

I kushtoj vëmendje mendimeve të mia dhe zakoneve dhe sjelljes duke u përpjekur të arrij më të mirën.

Motoja ime është: “Jeto atë çfarë u mëson të tjerëve”.

Cilat janë planet e tua në të ardhmen?
Kam shumë plane në kokë dhe sivjet jam pjesë e një programi online se si të jem më prezente në tregun ndërkombëtar dhe të rris kontributin duke prekur sa më shumë jetë drejt transformimit dhe prekjes së ëndrrave të tyre. Eshtë një program shumë impenjativ, të paktën kërkon një angazhim 2-3 orë çdo ditë, por kjo është sfida ime e radhës për 2021.
Diçka tjetër që kam në mendje do filloj ta bëj reale shumë shpejt dhe besoj shumë shpejt do ta bëj me dije.