Mundësitë për t’u rritur profesionalisht nuk diktohen nga gjinia, por vetëm nga aftësitë personale dhe dedikimi në punë. Ky ka qenë dhe do të jetë besimi i One Telecommunications, kompania që ka 59% gra në stafin e saj. Gjithashtu, Bordi i Drejtorëve të kompanisë ONE drejtohet nga një grua, Ralitsa Agayn Guri. Kjo dëshmon se mjedisi i punës është i përshtatshëm për zhvillimin dhe fuqizimin e grave duke dhënë shanse të barabarta për suksese profesionale. Në thelb të menaxhimit të kompanisë One Telecommunications, qëndrojnë vlerat që shërbejnë si udhëzues për qasjen e kompanisë kundrejt stafit dhe klientëve.
Këtë vit, me rastin e muajit të gruas, iu bashkuam nismës globale të UN Women, duke nënshkruar Parimet e Fuqizimit të Grave (WEPs). Me prezencën e Michele Ribotta – Përfaqësues i UN Women ne Shqiperi dhe me Ornela Begon – Drejtoresha e Marrëdhënieve të Korporatës, u zhvillua edhe ceremonia përshëndetëse e këtij bashkëpunimi.
Parimet e Fuqizimit të Grave janë një listë parimesh që shërbejnë si udhërrëfyes për biznesin, për promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e gruas në vendin e punës, në treg dhe në komunitet. Kjo nismë është krijuar nga UN Global Compact dhe UN Women, duke u bazuar tek të drejtat e njeriut dhe standardet ndërkombëtare të punës. Ky nënshkrim ka për synim që t’i japë përgjegjësi biznesit për fuqizimin e gruas dhe barazinë gjinore. Kjo përfshin paga të barabarta për punë me të njëjtën vlerë, tolerancë zero ndaj abuzimeve seksuale në mjediset e punës dhe praktika të tjera që i përgjigjen çështjeve gjinore. “Mirëpresim One Telecommunications në familjen shqiptare të Parimeve të Fuqizimit të Grave dhe shpresojmë për një bashkëpunim për të çuar përpara barazinë gjinore dhe të drejtat e grave në Shqipëri’, – Michele Ribotta, Përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri.
Gjatë kësaj ceremonie, One Telecommunications njoftoi gjithashtu edhe donacionin që do të japë për gratë në nevojë. Me besimin se aksesi në komunikim është e drejtë e të gjithëve, One ka vendosur të dhurojë telefona dhe plane komunikimi për gra të cilat kanë akses te kufizuar në teknologji. “Në ditët e sotme është thelbësore të kesh një telefon dhe mundësi për t’u lidhur me botën përtej vendit ku jeton. Ne besojmë se një mundësi e tillë do të hapë dritare komunikimi për ato grupe grash të cilat janë të izoluara nga ana ekonomike dhe sociale duke u hapur mundësi të shumta.” – u shpreh Ornela Bego, Drejtoresha e Marrëdhënieve të Korporatës në One.