Blerja e suksesshme e shoqërive ONE Telecommunications dhe ALBTelecom krijon një grup lider në tregun shqiptar të telekomunikacionit për shërbimet e telefonisë fikse dhe asaj të lëvizshme.
Pas miratimit të Autoritetit Shqiptar të Konkurrencës, 4iG Plc ka blerë 99.899% të aksioneve indirekte të One Telecommunications (ONE). Operatori shqiptar i telefonisë së lëvizshme, me një histori mbi 25-vjeçare, zotëron një infrakstrukturë të spikatur në rajon, me 632 antena transmetimi, të cilat krahas shërbimeve 4G/LTE, falë zhvillimeve në këto vitet e fundit, janë gati për të ofruar komunikim celular përmes teknologjisë 5G. Pas blerjes me sukses të ONE, 4iG, e listuar në Bursën e Budapestit, është kthyer në një nga investitorët e huaj më të mëdhenj në Shqipëri. Së bashku me ALBTelecom, ku 4iG zotëron shumicën e aksioneve, është krijuar një lider në tregun shqiptar të telefonisë fikse dhe asaj të lëvizshme.
Me 1.36 milionë abonentë, ONE Telecommunications është operatori i dytë celular në Shqipëri dhe me rritjen më të shpejtë. Në qershorin e vitit 2019, kompania nisi një partneritet pesë-vjeçar me Ericsson për përditësimin e rrjetit dhe shërbimeve të saj, duke përmirësuar cilësinë e rrjetit me sistemet dhe pajisjet e teknologjisë më të fundit suedeze, dhe duke u përgatitur për shërbimet 5G. Përmirësimi i rrjetit, i cili tashmë ka përfunduar, është konfirmuar në fillim të vitit 2021 edhe nga kompania e pavarur Umlaut si “Best in Test”: “Në Shqipëri, rrjeti celular i One Telecommunications ofron cilësinë më të mirë dhe shpejtësinë më të lartë të shkarkimit”. Kompania ka rritur ndjeshëm pjesën e saj në tregun e telefonisë celulare gjatë viteve të fundit, falë përmirësimit të cilësisë të shërbimeve të saj. Gjatë dy viteve të fundit, One Telecommunications ka investuar në total 92 milionë Euro, që përbën zhvillimin më të madh në fushën e telekomunikacionit në vend.
“Ne jemi krenarë që Grupi 4iG është bërë lider në tregun e telekomunikacionit shqiptar, falë blerjes me sukses të ONE Telecommunications dhe ALBtelecom, si dhe një prej investitorëve të huaj më të mëdhenj në vend. Ne duam të jemi të pranishëm për një periudhë afatgjatë, me synimin për të kontribuar në zhvillimin dhe transformimin digjital të vendit. Rrjedhimisht, ne duam të hyjmë në këtë treg të Ballkanit Perëndimor edhe me zgjidhjet tona të Teknologjisë së Informacionit, krahas shërbimeve të telekomunikacionit”, theksoi Z. Gellért Jászai, CEO i 4iG Plc, në njoftimin e sotëm.
“Gjatë 3 viteve të fundit ne kemi transformuar tregun e telekomunikacionit shqiptar, duke sjellë shërbime të reja, duke përmirësuar rrënjësisht cilësinë dhe mbulimin e rrjetit të lëvizshëm ONE dhe më e rëndësishmja – kemi ndryshuar pritshmëritë e klientëve tanë duke prezantuar në treg plane tarifore të përballueshme, me njësi komunikimi pa limit. Falenderojmë të gjithë punonjësit për mbështetjen dhe punën e palodhur, si edhe klientët për besimin. Ne jemi besimplotë se në duart e 4iG, ONE do të vijojë të ofrojë shërbime me cilësinë dhe çmimet më të mira.” – u shpreh Z. Elvin Guri, ish-aksioneri kryesor i One Telecommunications.
One Telecommunications zotëron 137 dyqane dhe 632 antena transmetimi, me kapacitet 4G/LTE dhe 5G, duke mbuluar 98.5% të popullsisë. Kompania ka 420 punonjës. Më 2021, One Telecommunications arriti të zotërojë mbi 41% të tregut të telefonisë së lëvizshme. EBIDTA (fitimet para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit) për vitin 2021 u rrit me 28.5% ose 27 mln Euro, në krahasim me vitin 2020.
Dy javë më parë, 4iG shpalli blerjen e ALBtelecom, operator i spikatur në tregun e telekomunikacionit dhe lider në telefoninë fikse, internet dhe shërbimet TV. Të dy operatorët shqiptarë, të udhëhequr nga Grupi 4iG, ofrojnë produkte dhe shërbime plotësuese dhe finalizimi i blerjes së One Telecommunications do të hapë rrugën për bashkëpunim strategjik dhe sinergji të fortë mes dy kompanive.
Palët nuk e kanë bërë të ditur vlerën e transaksionit.