One Telecommunications vijon promovimin dhe zhvillimin e filantropisë në Shqipëri. Këtë herë kompania mbështeti nismën e Partnerët Shqipëri, “Rrathë Dhurues”, ankandi i tretë i dhurimit live, ku përfaqësues të lartë të sektorit të biznesit, institucione diplomatike, sektori shtetëror, shoqëria civile etj, ofruan mbështetje financiare dhe jo vetëm, për tre kauza që sjellin ndryshime të qëndrueshme sociale për komunitetet në nevojë.
Ditën e djeshme, datë 16 qershor, One Telecommunications dhuroi për kauzën “Pop-up book” 100 libra dhe 1 vit internet falas për shkollën e Ferrajt, në Dajt. Ky dhurim synon zhvillimin e aftësive social-edukative të 148 nxënësve të komunitetit.
“Pop-up book” ofron hapësira bashkëkohore në formën e një biblioteke, me tekste shkencore dhe libra artistikë, në të cilin zhvillohen dhe aktivitete të ndryshme të organizuar nga mësuesit e shkollës së zonës dhe përfaqësues të organizatave.
One beson se nisma të tilla mund të ndihmojnë në zhvillimin dhe fuqizimin e të rinjve për përgatitjen e tyre në tregun e punës, pasi fokusi i kompanisë është promovimi i edukimit si shtyllë kryesore e të ardhmes. Për këtë arsye, kompania do të vijojë të japë kontributin e saj në komunitet, duke lehtësuar nevojat në komunikim.