BUDVA, 28 shtator 2022 – Përpjekjet e autoriteteve për të reformuar gjyqësorin, për të luftuar krimin ekonomik, për të luftuar diskriminimin dhe për të promovuar lirinë e shprehjes dhe medias, si dhe për të avancuar bashkëpunimin rajonal, janë të një rëndësie vendimtare në përmirësimin e jetës së Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Mbështetja e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës në proceset e reformës në këto fusha ka qenë e vlefshme dhe të dyja organizatat mbeten të përkushtuara ndaj bashkëpunimit me partnerët e tyre në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.
Këto ishin ndër mesazhet kryesore të konferencës rajonale dyditore që u zhvillua në Budva, ku u prezantuan rezultatet e programit të përbashkët Bashkimi Evropian/Këshilli i Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019 – 2022”.
Në hapje të konferencës, Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ranko Krivokapi?, theksoi rëndësinë e këtij programi për arritjen e vlerave më të larta demokratike dhe afrimin me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Instrumenti Horizontal, si një program bashkëpunimi midis BE-së dhe Këshillit të Evropës, është një shembull i mirë i punës sinergjike midis këtyre dy organizatave për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë për të arritur vlerat më të larta demokratike. Ndihma e vazhdueshme, ekspertiza dhe këshillat e politikave të ofruara për institucionet malazeze gjatë dy fazave të deritanishme e kanë bërë rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE më solide. Mezi presim vazhdimin e këtij partneriteti edhe në vitet në vazhdim”, tha Krivokapi?.
Sh.S Oana-Cristina Popa, Ambasadorja dhe Shefja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, tha me këtë rast: “Me Këshillin e Evropës kemi një partneritet të fortë dhe afatgjatë. Ne punojmë së bashku për forcimin e sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Këshilli i Evropës vendos standardet për pjesë të rëndësishme të darkortësive të BE-së dhe kontribuon me ekspertizë të nivelit të lartë në shumë fusha.”
Siç theksoi ajo, Instrumenti mbështet një sërë fushash jetike të sundimit të ligjit: forcimi i drejtësisë, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtja nga diskriminimi dhe liria e medias dhe liria e shprehjes.
Christos Giakoumopoulos, Drejtor i Përgjithshëm i të Drejtave të Njeriut dhe Sundimit të Ligjit në Këshillin e Evropës, tha në ceremoni se vlerat e përbashkëta dhe angazhimi i institucioneve përfituese, partnerëve dhe aktorëve të shoqërisë civile në zbatimin e programit kanë qenë të rëndësishme për suksesin e tij.
“Pas më shumë se gjashtë vitesh të Instrumenti Horizontal, ne tashmë mund të nënvizojmë vlerën e tij të shtuar në ofrimin e mbështetjes së përshtatur për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në arritjen e reformave të vërteta në sundimin e ligjit, demokracinë dhe të drejtat themelore”, përfundoi ai.
Ky program i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës u krijua si një iniciativë bashkëpunimi për të ndihmuar Përfituesit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë që të pajtohen me standardet evropiane në fushat vendimtare të agjendave të tyre të reformave. Faza e dytë e programit arrin në rreth 41 milionë euro dhe ka
funksionuar në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë*, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi si dhe Turqi, që nga maji 2019 deri në fund të 2022.
Instrumenti Horizontal në Shqipëri përfshin gjashtë projekte` specifike për përfituesit, me një buxhet total prej mbi 4.1 milionë euro. Përveç sa më sipër, ai mbulon fusha të tjera kyçe si lufta kundër korrupsionit; reforma në drejtësi dhe reforma në burgje, promovimi i diversitetit dhe barazisë si dhe liria e shprehjes dhe medias.
Rezultate të rëndësishme të programit në Shqipëri janë arritur gjatë 3 viteve të fundit të zbatimit të tij. Për të lejuar përdoruesit e gjykatave në Shqipëri të vlerësojnë cilësinë dhe efikasitetin e performancës së gjykatave, u lançua një sistem inovativ online, i cili kontribuon në përmirësimin e shërbimeve të lidhura me drejtësinë dhe identifikimin e sfidave kryesore. Në fushën e të drejtave të pronësisë u krijua një linjë ndihmëse për të mbështetur procesin e regjistrimit të pronave të tokës në Shqipëri, duke ofruar informacion dhe udhëzim të vlefshëm për më shumë se 500 qytetarë në përpjekjet e tyre për të regjistruar pronnësitë e tokave, dhe duke informuar më shumë se 15.000 persona mbi regjistrimin e titujve bujqësore dhe legjislacioni për të drejtat e pronës.
Mbrojtja e të drejtave të njeriut të të burgosurve në Shqipëri është përmirësuar duke rritur aftësitë dhe kapacitetet e stafit dhe profesionistëve të burgjeve si dhe duke mbështetur kështu autoritetet publike në reformën e burgjeve.
Në përpjekjet për të luftuar korrupsionin, Sistemi Elektronik i Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit është tashmë funksional duke adresuar rekomandimet kryesore të përfshira në raportet e GRECO-s. Ai parashikon një mekanizëm efikas për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur transparencën në deklaratë dhe publikim e aseteve te personave të zgjedhur dhe të dhënave publike.
Plani Kombëtar i Veprimit për Personat LGBTI në Shqipëri 2021-2027 i miratuar nga qeveria do të sigurojë një shoqëri më gjithëpërfshirëse, jodiskriminuese dhe të sigurt për personat LGBTI në Shqipëri. Ai synon të sigurojë akses më të mirë në shërbimet publike dhe mbështetje të specializuar, përmirësim të kuadrit ligjor dhe zbatimit, si dhe një akses të përmirësuar të personave LGBTI në sistemin e drejtësisë.
Në kornizën e këtij programi që fokusohet në lirinë e shprehjes dhe medias, u krijua Aleanca për Median Etike për të mbështetur fuqishëm zbatimin e Kodit të Etikës për Gazetarët. Vetëm gjatë vitit të kaluar Bordi i Aleancës ka marrë 48 ankesa nga publiku dhe organizata të ndryshme, duke nxjerrë 44 vendime.