Një kompleks në zemër të kryeqytetit, shumë pranë zonës më të gjelbëruar të Tiranës, Liqenit Artificial. Me fasada dekorative dhe tejet funksionale, me hapësira të mëdha të dominuara nga xhami, me parapete të cilësisë së lartë dhe brisole dekorative alumini. 22 kate banimi, 173 apartamente, 1000 m2 ambiente tregtare, katër kate nëntokë parkim si edhe 146 vendparkime në total, gjithçka në funksion të këtij kompleksi të veçantë. Dhe pasi të mbyllni derën e shtëpisë, do të ndiheni super komodë në një rezidencë totalisht moderne.
Fillimisht, mund të ndani me lexuesit tanë, planin fillestar të stilit arkitekturor të godinës “Ambasador 3”? Nga ideja në letër, tek implementimi konkret në terren, detajet profesionale…
Godina “Ambasador 3” është një investim i RFZ Building, projektuar nga studio e Projektimit “Atelier 4” një ndër studiot më prestigjioze shqiptare. Ndërtimi i saj është kryer nga kompania e ndërtimit “ManeTCI”. Godina është menduar dhe dizenjuar për të qenë ndryshe nga godinat e tjera, stili modern mbizotëron në të, por në interieret e saj nuk mungojnë idetë dhe stilet e tjera arkitekturore. “Ambasador 3” është rezidenca më e lartë e banimit në Shqipëri me 22 kate banim në total, 173 apartamente banimi, 1 kat ambiente tregtare 1000 m2 dhe 4 kate nëntokë parkim, me afro 146 vendparkime. Sfidat në projektim dhe në zbatim ishin nga më të ndryshmet, por me një staf të përzgjedhur, sa më profesional gjithçka u arrit më së miri.
Pse është menduar pikërisht zona prapa stadiumit “Qemal Stafa” si e duhura për t’i dhënë jetë këtij projekti dhe cili është kushtëzimi që vjen në projekt për shkak të terrenit?
Shumëkush që dëshiron të banoj në qytet, por njëkohësisht dhe pranë natyrës, vendndodhja prapa stadiumit “Qemal Stafa” është absolutisht e duhura. E pozicionuar në një nga zonat e pakta të Tiranës ku shërbimet, qetësia dhe distanca e afërt me natyrën e bën akoma dhe më unik “Ambasador 3”.
Në fazën aktuale të “Ambasador 3”, cili është stili arkitekturor i godinës?
“Ambasador 3” është dizenjuar dhe ndërtuar për të qenë ndryshe, besoj se ja ka arritur qëllimit. Për sa i përket anës funksionale, hapësirave të shërbimit “Ambasador 3” i plotëson më së miri të gjithë morinë e shërbimeve, komoditetit dhe funksionalitetit në çdo detaj të sajin. Çdo banor i godinës ka guxuar dhe e ka ideuar interierin e apartamentit sipas pritshmërive dhe stilit të vet, por në përgjithësi mbizotëron stili modern i cili tregon më së miri kohën në të cilën jetojmë.
Funksionaliteti, komoditeti është primar në çdo investim sidomos në godina e ambiente banimi. Si ia keni arritur kësaj pike, deri në përmbushje të pritshmërive tuaja?
Ambienteve të shërbimit ju dha një rëndësi e veçantë qysh në fillimet e projektimit të godinës dhe më pas në realizimin e tyre. Meqenëse është godinë me intensitet të lartë ndërtimi dhe me një fluks të madh banorësh, ambientet e shërbimit janë ndërtuar me standarde dhe norma të larta, për të krijuar një komoditet dhe intimitet për banorët që do jetojnë në të. Ne kemi dy shkallë shërbime dhe katër ashensorë “Shindler”, sistemi më i fundit miconik të cilët ecin me një shpejtësi prej 2m në sekondë, pra një shpejtësi e konsiderueshme. Holli është dizenjuar dhe realizuar me rifinitura të cilat i rezistojnë kohës dhe i japin një elegancë të veçantë hyrjes në pallat.
Në aspektin e eksterierit, ngjyrat e larmishmëria e tyre është detaji që dominon fasadat e jashtme. Çështje efekti vizual?
Ngjyrat në fasadë janë konceptuar nga studio e projektimit. Por, përveç aspektit estetik nuk kanë ndonjë funksion tjetër, janë përdorur ngjyrat për t’i dhënë sa më shumë jetë kësaj godine e cila zë një vend të konsiderueshëm në imazhin e zonës, brisojet vertikale me ngjyra janë vendosur dhe për ta theksuar akoma më tepër lartësinë e objektit, pra është bërë një lojë vizuale për të rritur më tepër lartësinë e objektit.
A e theksojnë këto nuanca detajet, stilin e rifiniturave në tërësi?
Ngjyrat janë përdorur dhe në ambientet e brendshme të godinës. Patjetër që nuancat e karakterizojnë të gjithë godinën si jashtë ashtu dhe brenda saj.
Cilën do të veçonit si pjesën më të bukur sa i takon aspektit të interierit të kësaj godine?
Holli është pjesa më e veçantë, ndërsa pjesa më e bukur është pamja nga tarraca e Ambasadorit. Një harmoni perfekte e stilit, arkitekturës me natyrën dhe panoramën që shtrihet para syve tuaj.
Gjërat e reja, detajet e reja arkitekturore që iu përcillni në këtë projekt tuajin cilat janë?
Në përgjithësi çdo gjë që ne përdorim apo realizojmë në një mënyrë ose në një tjetër është përdorur dhe më parë si elementë. Ajo që dua të veçoj është serioziteti dhe përgjegjësia e realizimit të detajeve që përbëjnë godinën, duke filluar nga konstruksioni i saj, impiantet mekanik, elektrik dhe rifiniturat e ambienteve.
Cili është mendimi juaj në lidhje me arkitekturën, e stilin që mbizotëron sot në projektet që lëvrohen në Shqipëri?
Vendi ynë për fat të keq është në një kaos kopjimesh, madje të kopjuara keq do thosha… Çdokush po tenton të bëj diçka ndryshe, por jo me një stil të spikatur, unik që detajon një perfeksionin të harmonisë mes arkitekturës, qasjes profesionale dhe stilit.
Arkitekti, Roven Greku
Ka studiuar në Itali, në fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe më pas pranë fakultetit të Arkitekturës Ludovico Quaroni, universiteti “La Sapienza”. Kthehet në Shqipëri ku bashkëpunon me studion e arkitekt Agim Markut(Archimed tani e quajtur Aarchitects), më pas punon pranë firmës Mane Tci, duke ndjekur projektin e interierit pranë qendrës tregtare TEG, e aktualisht ndjek punimet në rezidencën e banimit Ambasador 3.