Kapërcimi nga profili i stomatologes në botën e dizajnit dhe modës, ndodhi falë pasionit të madh për të bukurën dhe dëshirës për të lënë gjurmë…Laura Imami Eyewear është sot një brand name në fushën e optikës, me llojshmërinë e koleksioneve të syzeve që ajo krijon në çdo sezon të ri. Jeton dhe punon në Londër, por fama e saj i ka kapërcyer kufijtë e Britanisë së Madhe. Ah, detaji që bën diferencën?! Syzet e saj të luksit, kanë të gjithë emra shqiptar…
Armend, Zana, Jeta, gjithëfarë emrash protagonist që kanë personalizuar kohë pas kohe krijimet e saj. Pa asnjë mëdyshje! Laura Imami Eyewear” është një histori suksesi, për të cilën kanë shkruar revistat më prestigjioze të modës, nga Elle UK tek Harper’s Bazaar. Me origjinë kosovare, ajo ka ditur të vendos pozitat e një profesionisteje, e cila synon të bukurën në çdo koleksion të ri, duke i mëshuar pasionit në një botë ku ndihet vetja. “Kam studiuar në degën stomatologji në Sarajevë, e pastaj optikën në Londër. Dëshira dhe pasioni për design kanë qenë prezente gjithmonë, por kam pritur për momentin e duhur që të ndjek ëndrrën time. Kam sy të mprehtë rreth mundësive të reja, dhe nuk trembem në marrjen e risqeve mbi vete”, thotë ajo. Dyqani i saj i optikës, ku punon prej 22 vitesh ndodhet në një nga pikat më strategjike të kryeqytetit britanik, dhe është goxha i frekuentuar nga stilistë të famshëm që dëshirojnë të prekin nga afër krijimet e mia. Si blerëse kryesore e syzeve shprehet se ka qenë rregullisht prezente në “Eyewear Exhibitions” të Milano, Paris, New York dhe Londër. E njëherësh gjatë kësaj kohe ka qenë në kontakt me shumë fytyra të njohura të botës së modës, muzikës dhe filmit, të cilët Laura Imami i ka këshilluar ndër vite rreth zgjedhjes së syzeve të duhura për ta. “Por, shumë prej tyre sot mbajnë vetëm modelet e mia. Ndihem me shume fat kur puna ime vlerësohet nga shumë njerëz të famshëm dhe nga një pjesë e madhe e industrisë së modës. I gjithë suksesi është fryt i një pune shumëvjeçare për të arritur standartin ku jam sot”, vijon ajo.
Syze luksoze emra shqiptar
Nuk e ka lënë pas krahëve origjinën e saj, përkundrazi! E ka jetësuar më së miri në produktet dhe gjithçka ajo realizon mjeshtërisht si një nga dizanjeret e syzeve më të njohura në Londër. Zana, Jeta, Sara janë vetëm disa nga emrat e përzgjedhur në koleksionet e ndryshme vit pas viti. Në industrinë e saj të krijimit dhe prodhimit të syzeve, nga ato të diellit tek optiket, gjithçka realizohet në mënyrë artizanale, duke e kthyer çdo gjë në art. Shtysa kryesore e Laura Imamit për të pasur një linjë të sajën, që e identifikonte ndër të tjerë, ishte pikërisht fakti se ajo nisi të shoh një lloj uniformiteti tek thuajse të gjithë modelet e syzeve që qarkullonin në Angli, Evropë, e vende të ndryshme të botës. Ndaj, për të shmangur idenë e të dukurit njësoj, edhe pse markat janë të larmishme, ajo vendosi të ndërmarrë hapin e guximshëm drejt përfshirjes në biznes, ku pasioni dhe dëshira për të bukurën ishin “lënda e parë”. “Viti i kaluar ka qenë më i suksesshmi sa i përket prezantimit të Laura Imami Eyewear në Fashion Week. Ishte shumë befasi e këndshme, kur për herë të parë Eva Chen doli në NYFW me modelin e syzeve Sara. Nuk e dinim se do t’i mbante, dhe papritmas fotot e saj u shpërndanë në të gjitha mediat botëore, klikimet në webfaqen tonë u dhjetëfishuan. Dhe historia u përsërit me Laura Fantaccin në Londër dhe Paris Fashion Week”, thekson Imami.