E hënë
Kodi i saj i veshjes: siguri, elegance dhe feminilitet! Nuanca e ëmbël e këmishës së mëndafshit, kombinohet më së miri me pantallonat e zeza. Ndërsa, këpucët me ngjyrën e fortë blu saks, bëjnë kontrastin e menjëhershëm në këtë stil veshje të denjë për fillimin e javës.
E martë
E bardha dhe e zeza, janë dy tonalitete, kombinimi i të cilave, nuk “tradhton” kurrë. Fundi me motive të aplikuara, është zgjedha perfekte për t’u veshur me një këmishë të bardhë, me jakë goxha të veçantë.
E mërkurë
Është një must i sezonit! Kuadrati skocez si dizenjo e fustaneve, apo këmishëve të ndryshme, është një gjetje interesante. Ky fustan, me fjongo në pjesën e parme, dhe i veshur me një palë këpucë lëkure në ngjyrë vishnje, krijon idenë e një look-u tejet vajzëror. Mini çanta e zezë me zinxhir gold, është një aksesor shtesë në stilin e Artilës.
E enjte
Aksesorët janë pika e fortë e përditshmërisë së saj, qoftë në ambientin e punës, apo edhe në angazhimet private. Si në rastin e kësaj varëseje me gurë swarofski që i rri mirë kësaj veshje. Ngjyrat nude të çantës dhe këpucëve të sheshta, kontrastojnë shumë këndshëm me blu-në e fustanit me prerje asimetrike.
E premte
Fundjava kërkon një stil të rehatshëm, por asgjë nuk i lihet rastësisë. Ky fustan i zi elegant, është zgjedhja e saj për ditën që shënjon mbërritjen e fundjavës. Gjithashtu, sandalet komode, prej kamoshi dhe mini takë, janë ideale për këtë stil veshje.