Kompania e telefonisë celulare Telekom Albania, është blerë nga kompania bullgare “Albanian Telecom Invest AD”. Grupi grek OTE, i cili është pjesë e Deutsche Telekom, finalizoi marrëveshjen e shitjes për një vlerë prej 50 milionë eurosh. Kalimi i Telekom Albania në pronësi të “Albanian Telecom Invest AD” shënon një hap të ri drejt së ardhmes së kësaj logoje të fuqishme të telefonisë celulare në vendin tonë.
“Albanian Telecom Invest AD” drejtohet nga investitori i suksesshëm shqiptar në Bullgari, Elvin Guri si edhe nga biznesmeni bullgar Spas Roussev, i cili është aksionari kryesor i paketës kontrolluese të Telekom-it bullgar “Vivacom”. Marrëveshja tashmë e finalizuar do të jetë një realitet i prekshëm brenda gjysmës së parë të vitit 2019.
Spas Roussev, biznesmeni i njohur bullgar, është një emër i njohur si investitor në shumë fusha strategjike dhe një ndër personazhet më të rëndësishëm në sektorin e telekomunikacionit. Në një intervistë për “Open”, ai tregon se vendimi për të investuar në Shqipëri nuk është vetëm strategjik, por ka edhe një aspekt më të ndjeshëm. Roussev e ka vizituar Shqipërinë në vitin 1990 dhe tregon se e njeh mirë vendin tonë dhe ecurinë e tij ekonomike në këto 30 vite, ndaj ka zgjedhur të investojë pikërisht tani, me bindjen se ky është vetëm hapi parë që do të pasohet me investime të tjera inovatore në këtë sektor.
Ata shprehen se për të realizuar të gjitha objektivat e vendosura rreth biznesit do të jenë të mbështetura në burimet njerëzore vendase si një nga çelsat e suksesit të kësaj sipërmarrje.
Pjesë integrale dhe thelbësore e këtij investimi është edhe sipërmarrësi shqiptar Elvin Guri. Në vitin 1992 z. Guri u largua nga Shqipëria për të ndjekur studimet në “Universitetin Amerikan të Bullgarisë” dhe gjatë karrierës së tij ka qenë aktiv në sektorin bankar si sipërmarrës në sektorë të ndryshëm industrialë në Bullgari e në vende të tjera.
“Unë ika nga Shqipëria me idenë që do të kthehesha. Që nga fillimi kam dashur të investoj këtu, por për ta bërë këtë, – shton ai: duhet të zgjidhja një investitor të rëndësishëm dhe me shumë përvojë në këtë sektor, kështu pra lindi bashkëpunimi me Rossev”.
Elvin Guri zotëron 49% të paketës së blerjes në “Albanian Telecom Invest AD”. Tashmë ka vendosur të rikthehet në vendin e tij me një investim strategjik.
Qëndrimi që të dy biznesmenët kanë në raport me këtë investim që e konsiderojnë rajonal dhe me shumë rëndësi për ekonominë e Shqipërisë, ka një vizion të qartë, të konsoliduar dhe afatgjatë.