Përzierja e natyrës me kulturën, e cila i përgjigjet mjeshtërisht mjedisit, në cilëndo hapësirë të ndryshme të qyteteve, provokon një stil të ri urbanist të profesionistes amerikane.Për shumicën vëzhguese të karrierës së arkitektes profesioniste, mund të thuhet se është e ndarë në dy epoka: ajo para kullës Aqua dhe ajo pas. Në “zhurmën” e rrokaqiejve të pozicionuar në Çikago, Studio Gang, projektoi plot 89 kate të kësaj ndërtese, me ballkone dhe fasada të valëzuara, në formë të ç’rregullt, por me një ndjesi kureshtie të menjëhershme. “Ndërtesat e larta janë zakonisht domen i firmave shumë komerciale. Mendoj se Aqua ka sjellë një epokë të re të ndërtimit për ne studiot arkitekturore. Mjediset e dendura, zonat urbane emetojnë një stil disi të paracaktuar arkitekturor, por detajet vizuale në ballkone, valëzimet e kësaj godine janë simbol i vijimësisë, gati edhe një magjepsje për vet zonën ku është pozicionuar ndërtesa”, pohon Gang. Duket se çdo cep i projektit, thekson përmes strukturave arkitekturore diellin, dritën, si dy elementë që bashkëjetojnë në përditshmëri me të gjithë individët që jetojnë në të. Strukturat e hekurit, çelikut, fasadat e pa ndërprera të xhamit, provokojnë një transparencë absolute të pamjes, e cila vjen e bollshme nga çdo skaj, mjafton të hedhësh sytë tej në horizont. Për Gang, roli i arkitektit duhet të provokojë shumë faktorë së bashku, aq sa kjo mund të tingëllojë emblematike, por arkitektja amerikane është e pa lëkundur në çështjen e mirë administrimit të mjedisit, sipas një master plani të detajuar. Përpos komoditetit dhe funksionalitetit të një projekti, nevojiten sipas Jeanne Gang edhe detaje të tjera që ndërthurin idetë profesioniste me atë që natyra dhe dora e njeriut ka modeluar ndër vite. raqqa-sl.co. Gang i mëshon elementëve të tillë si peizazhe të gjelbëruara që kulmojnë me kësi karakteristikash si një amfiteatër për publikun, florë dhe faunë e pasuruar, pra një projekt duhet të jetë një ndërthurje me hapësirat urbanistike dhe nevojat e qytetarëve, të sjella këto në projekte arkitekturore grishëse. Ndërtesa assesi arbitrare, forma të shkëlqyera, kombinim i profesionalizmit me planet pompoze, duke favorizuar zgjidhjen e shumë problemeve urbaniste në zonat ku merr jetë çdo projekt i saji. Për arkitektët, përsosmëria është domosdoshmëri, një mision i profesionistit. Vendi është rezultat i natyrës dhe i kohës, e ky aspekt është i pashmangshëm në secilin projektim të arkitektit, i cili mendon se puna e tij është një lloj kornize e natyrës, duke e përfshirë këtë të fundit në çdo centimetër katror të projeksioneve që mbajnë firmën e tij. Mbartja e elementit natyror e tjetërson edhe individin në secilën hapësirë ku ai ndërvepron, në shtëpi, punë, në ambiente të ndryshme ku mund të ndodhet, ndaj qëllimi është që njeriu ta prek natyrën në çdo ditë të jetës. Jeanne Gang është e angazhuar aktualisht në projekte të mëdha në të gjithë Amerikën e Veriut, duke përfshirë zgjerimin e Muzeut Amerikan të Historisë Natyrore në Nju Jork; lartësimin e kullave qendrore në San Francisko, Miami, New York, dhe Çikago; një projekt planifikimi ekologjik në një ishull në Karaibe; një plan strategjik për Akuariumin Kombëtar në Baltimor, etj. Njëherësh, puna e saj e jashtëzakonshme është nderuar dhe ekspozuar gjerësisht në çdo cep të botës, duke përfshirë Bienalen e Venedikut, Muzeun e Artit Modern, Institutin e Artit të Çikagos, etj.
Arcus Center, Kalamazoo, SH.BA
Qendra e fokusuar në çështjet e drejtësisë sociale, ku funksionarë të ligjit, juristë, por edhe studentë të drejtësisë mund të mblidhen në takime jo formale për të diskutuar në nivele profesionale, ka një stil arkitekturor të spikatur. Dominojnë muret e drurit, të cilat minimizojnë karbonin në atmosferë, duke iu përgjigjur nevojave mjedisore të ditëve të sotme.