Dizajnet plot influencë dhe avangardë të Zaha Hadid janë sot një realitet anembanë botës; nga një opera në Kinë, në një muze në Romë, në një gradaçelë në Dubai dhe shumë të tjera të financuara nga firmat gjermane të makinave Volkswagen dhe BMW. Në vitin 2004 Hadid u bë e para grua arkitekte që mori çmimin Pritzker për Arkitekturën, që është ekuivalent me çmimin Nobel. Vitin e kaluar Muzeu Guggenheim në New York për nder të Zaha Hadid mbajti një ekspozitë retrospektive për punët e saj, ndërsa këtë vit, London Design Museum kishte një ekspozite të madhe për të, duke përfshirë edhe projektin e saj të fundit shandanin Swarm.
Kur 20 vjet më parë Zaha Hadid u quajt “arkitektja e letrës”, mbase ende nuk kishte ardhur koha e saj. Ndonëse punët e saj çmoheshin shumë, dizajnet e saj rralla u transformuan nga punë të bukura në letër, në projekte dhe objekte reale. Dhe kështu dizajnet e saj u quajtën “të pazbatueshme”. Por kjo divë e betonit, e cila ka fituar dhe nënshtetësinë britanike dhe mbahet mend për kostumet e saj të zeza Issey Miyake, sot, në moshën 60 vjeçare është më në fund një yll arkitekture në të gjithë botën. Dhe duket se kërkesa e lartë për punët e saj radikale dhe fantastike, me diagonale të guximshme, cepa të mprehtë dhe kënde thuajse të pamundura, vetëm sa rritet. Projekte si ndërtimi i Muzeumit Guggenheim në Taivan (që po ndërtohet tani), ndërtesa e BMW në Laipzig dhe Qendra e Shkencës Phaeno në Wolfsburg e kthyen arkitekten e letrës në një mrekulli arkitekturore. Vjet, Shoqata e Artit japonez i dha asaj çmimin prestigjoz Praemium Imperiale për gjithë karrierën e saj. Ky çmim jepet nga familja perandorake japoneze në shenjë të influencës në fushën e artit dhe pasurimit të komunitetit.
Kur hyn në një nga ndërtesat e dizenjuara nga arkitektja irako-britanike impresionohesh nga stili i saj unik i ndërtimit, pavarësisht nëse të pëlqen apo jo. Kështu psh, në Qendrën e Shkencës në Wolfsburg që u hap në vitin 2005, çdo vizitori i jepet një informacion mbi arkitekturën e ndërtesës. Në fillim të këtij turi, vizitorëve u thuhet të prekin dhe të ndiejnë muret, të cilat janë bërë prej një betoni të prodhuar enkas, dhe kështu të gjithë mbeten me një vlerësim të ri për ndërtesën që u ngrit si UFO në Volkswagen City.
Shkëlqimi dhe prerjet e kristalit dhe gurëve të çmuar kanë një influencë të madhe në dizajnin dhe arkitekturën moderne dhe projekte të tilla duken se bëhen gjithmonë e më të sofistikuara. Kështu, projekte gjigande arkitekturore si Qendra Abu Dhabi për Artet e Aplikuara, e dizenjuar nga Zaha Hadid dhe Patrik Schumacher, tregon një dizajn organik, i cili e ka marrë frymëzimin nga natyralja dhe biologjikja, nga gjethet, pemët, gurët dhe frutat të cilat takohen bashkë si faqet e ndryshme gjeometrike të një guri të çmuar.
Po çfarë kanë të përbashkët betoni me kristalet? Në fakt shumë! Dhe arkitektja Zaha Hadid ia ka dalë të punojë në mënyrë të pagabueshme me të dyja. Për të, kristali është një burim frymëzimi, sepse përbërësit e tij të çmuar dhe delikatë e bëjnë të vështitrë përzierjen me materiale të vrazhda dhe më tradicionale si betoni dhe çimento. Një dizajn i veçantë nga Zaha Hadid Architects për Established & Sons, i quajtur “Swarm Chandelier” të jep një sens të vazhdueshëm lëvizjeje që e karakterizon atë. Ky shandan në një sasi të kufizuar është bërë nga 16,000 kristale të zeza Swarovski.