Moderne, kreative, elegante… Koleksionet e tyre të veshjeve, tashmë janë pjesë e brandeve ndërkombëtare, si një konfirmim suksesi. Janë shqiptare, por me një historik mbresëlënës karriere, që i shndërron ato në stiliste të njohura kudo. Katerina Bocci në SHBA, Hilda Maha dhe Mirela Gjoni në Itali, janë frymëzuese në çdo detaj tyrin.
Katerina Bocci, stiliste në SHBA
Fillimet e brishta në botën e modës, dikur në Shqipëri, e tashmë prej 26 vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë doemos një konfirmim suksesi. Ajo vesh emrat më të shquar të botës së showbiz-it botëror, edhe pse linja kryesore e krijimeve të saj është ajo e koleksioneve të fustaneve të nusërisë. Për ta bërë të paharrueshme ditën më të bukur në jetën e çdo femre, Katerina Bocci, realizon koleksione fustanesh mahnitëse, që çdo grua do donte t’i mbante veshur në trup. Pa asnjë dyshim, ajo tashmë ka pushtuar pasarelat e modës kudo në botë. Mediat e huaja, e etiketojnë si stilisten e parë shqiptare që ka veshur yjet e njohura botërore si: Mia Morgan, apo Aretha Frenklin, kjo e fundit zgjodhi stilisten shqiptare për t’i realizuar veshjet për albumin e saj të ri. Ndërkaq, Kristina Bocci, ka fituar me kohë statusin e stilistes së preferuar të prezantueseve dhe gazetareve televizive si: Lila Lazuras, Rhonda Walker, si edhe këngëtaren Fergie Ferguson. Stili për të ka ardhur si një traditë e trashëguar brez pas brezi, ndaj “ushqimi” i përditshmërisë për të ka qenë e bukura, e parë dikur me syrin estetik. Mandej, në vazhdën e saj, e frymëzuar pikërisht nga ky model, ajo zgjoi dëshirën e vjetër për një ritakim me të bukurën, tek fustanet e para të krijuara që në vegjëli. Pasioni për të bukurën, për modën, nuk mund të jetë assesi diçka që kultivohet rishtas, por një qasje që “ushqehet” në çdo kohë me punë, përkushtim dhe dëshirë për të realizuar gjëra të reja dhe interesante. Por, për të shijuar frytet e suksesit, fillimet e vështira janë shpesh faza që mbahen mend më gjatë në jetën e çdo kujt. Ishte një fillim i menjëhershëm, kur Katerina Bocci gati i “habiste” të gjithë me krijimet e saj. Një vajzë e re, e talentuar, që vinte asokohe nga një vend i izoluar komunist. Por, talenti ishte mbi gjithçka! Ajo provoi shpejt se falë pasionit për të bukurën, për modën, do të arrinte atë çka dëshironte në këtë fushë. Bocci tashmë ka ndërtuar një klientelë të besueshme dhe një biznes të jashtëzakonshëm. Që nga nisja e suksesshme e koleksionit të saj Couture EveningWear në Fashion Week në vitin 2007 në Nju Jork, Katerina Bocci ka zgjeruar koleksionin e saj të fustaneve martesore, në pëlhura të holla, luksoze, të punuara në zejtari, me tyle mëndafshi dhe të dekoruara me kristale dhe gurë të çmuar swarovski, që i japin çdo nuseje shkëlqimin e dëshiruar në ditën më të bukur të jetës. Individualiteti është elementi kyç në koleksionet e saj! Të guximshme, klasike, natyrale, ajo realizon krijime unike për çdo femër. “Unë dua që fantazitë e çdo gruaje t’i kthej në realitet, me këto fustane që i bëjnë të kujtohen përgjithmonë”, kështu është shprehur stilistja e njohur.
Hilda Maha, stiliste në Itali
Emri i saj tashmë është një markë në botën e modës! Nga Parisi, në Milano apo New York, protagoniste në eventet më të rëndësishme të modës, përmes koleksioneve të realizuara nga duart e saj, Hilda Maha, stilistja shqiptare e vendosur në Itali, duket se u rrit në botën e dëshirave për t’i ngjarë sadopak modeleve me të cilat ishte përballur më parë, ndaj dhe eci në gjurmët e tyre. “Prindërit e mi më thonë shpesh, se unë fillova të vizatoja përpara se të ecja apo të flisja… Shkarravisja natyrisht, në çdo sipërfaqe dhe me çdo mjet, por instinkti ka lindur bashkë me mua. Preferoja të skicoja figura femërore me stil dhe veshje shumë të detajuara. Dollapët e mamasë dhe të gjysheve ishin bota e ëndrrave”, është shprehur ajo. Mandej, investimi më i mirë, ishte shkollimi në një nga kolegjet më të mira të dizajnit dhe stilimit, deri sa ajo arriti të krijojë veshjet e para. Suksesi ishte bashkudhëtar në rrugëtimin drejt krijimit të koleksioneve të njëpasnjëshme që u prezantuan në javët e modës më prestigjioze, Milano, Paris dhe Londër. Dizenjot me printe dhe qëndisjet janë të tëra të krijuara nga ajo. “Meqenëse doja diçka artistike, me shumë stil, por të freskët dhe të lirshme si penelatat e ngjyrave dhe pak vendosa t’i përdorja për koleksionin, së bashku me kristalet që i përkasin gjithmonë gjendjes shpirtërore të lidhur me emocionet dhe artin”, thotë Maha në lidhje me koleksionin e fundit të saj. Edhe pse prej vitesh jeton jashtë Shqipërisë, sërish dëshira për t’u prezantuar edhe tek publiku shqiptar kanë qenë faktorë të mjaftueshëm që ajo të sjell këtu prurjet e fundit të modës. Origjinaliteti i markës qëndron në përdorimin e guximshëm të ngjyrave dhe të printeve 3D ekskluzive dhe eksperimentale, duke sjellë në dukje një siluetë plot jetë dhe këndvështrim modern që i reziston kohës. Ndaj, ajo vendosi të krijojë linjën e veshjeve me emrin e saj, tashmë një linjë brand name kudo në Evropë. “Veshjet e mia goditën goxha dhe më urdhëruan të realizoja disa copë të tjera, kështu vendosa të hapja linjën time. Por, kjo ka qenë gjithmonë dëshira ime, sepse ndjeja brenda diçka që doja ta manifestoja, që nuk është stili i asnjë brandi tjetër veç i imi. Kjo është mënyra ime e të kuptuarit të vetvetes dhe botës rreth meje”, thekson ajo. Backgroundi i përzier mes Shqipërisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe, është në thelbin e frymëzimit të çdo koleksioni që mban gjithmonë një referencë ndaj traditës së pasur të kostumeve popullore shqiptare dhe fotografive të vjetra të familjes së saj aristokratike. Duket sikur i gjithë rrugëtimi i saj profesional në fushën e modës ka nisur nga dollapët e veshjeve të gjysheve e deri tek pasarelat e modës në Milano, Paris dhe Londër. Instinkti për të bukurën dhe pasioni për botën e madhe të krijimit dhe realizimit të koleksioneve të veshjeve, e kanë pozicionuar sot në nivelin e një emri të suksesshëm kudo në Evropë. Koleksioni i ri Hilda Maha, do të integrohet me trikotazh dhe me pjesën Alta Moda me dandella të bëra posaçërisht me dizenjo të sajat, ndërsa do të shtohen dhe aksesorë.
Mirela Gjoni, stiliste në Itali
Pasioni për modën e ka kthyer emrin e saj thuajse në një nga më të spikaturit në botën e fashion design, në Itali, Evropë, e gjetkë. Menaxhon me pasion gjithçka rrotullohet rreth kësaj fushe, në të cilën ka investuar bindshëm gjithë këto vite. Ndjenja e nuhatjes për të bukurën, është interpretimi më i mirë mbi personalitetin e çdo gruaje, ndaj ajo ka krijuar një markë: Mirela Gjoni. Gjithçka e krijuar në mënyrë artizanale, është pikërisht ajo që i jep vlerë krijimeve dhe koleksioneve të saj. Çdo produkt i krijuar në këtë mënyrë, përfundon i përshtatur në frymën Couture. Dhe kjo arrin në sajë të përpunimit dhe përzgjedhjes së kujdesshme të materialeve të cilësisë së lartë, kompozuar në veshje të përsosura që përbëhen në thelb nga tre elemente kryesore: personaliteti, projektimi dhe feminiliteti. Pikërisht, koleksioni i fundit është një përzierje e formave, teksturave, materialeve, ngjyrave dhe printimeve, për një kombinim perfekt që çdo femër do ta bënte të ndihej protagoniste kudo. Në krijimet e saj, stili karakterizohet nga pëlhurat eksperimentale, përzier me një proces manual, ku kontribuon bindshëm në bukurinë e një femre metropolitane, e pavarur dhe gjithnjë në kërkim të një stili personal dhe identifikues. Ngjyrat e forta, spikasin në tërësi në gjithë gamën e koleksioneve të Mirela Gjonit, e cila është një nga stilistet e preferuara në Itali, por jo vetëm. E kuqja është mbizotëruese, por ajo vërtitet njësoj në ylberin e pamatë të ngjyrave të tjera të preferuara të stilistes, si e zeza, e bardha, apo okër. Femrat që zgjedhin të vishen nga realizimet që nën etiketë kanë emrin e Mirela Gjonit, janë të emancipuara, moderne, të sofistikuara, intriguese në pamje të parë, dhe me një dukje estetike mjaft esenciale, dhe assesi si shfaqje e momentit. Një grua plot stil unik, e fortë dhe sensuale, elegante, por mbi të gjitha me identitet çka e bën atë të ndihet e veçantë në linjën e stilisteve të tjera shqiptare, ose jo. Dhe e gjitha është meritë e Mirela Gjonit, e cila duket sikur sot ka krijuar një perandori të vërtetë mode, në ADN-në e së cilës, qëndron një hulumtim i vazhdueshëm dhe avangard i vetë stilistes, me një markë unike dhe gati të paimitueshme. Për të kapur këtë stad të karrierës dhe realizimit të saj profesional, nuk i kanë mjaftuar vetëm idetë! Ato janë njëra anë e medaljes! Pasioni për të bukurën, për detajet unike, i bëjnë koleksionet e njëpasnjëshme të kenë në tharm të tyre, mbi të gjitha individualitetin, si detaj përcaktues për stilin dhe dukjen e çdo femre që do të ndihet ndryshe. Dhe stilistja shqiptare, një emër i njohur tashmë ndërkombëtarisht, është e zonja për ta kthyer këtë në një mision të mundur, ku çdo femër do donte të ishte protagoniste. Çdo koleksion i ri i Gjonit merr vëmendjen maksimale të mediave të huaja, duke u kthyer në pjesë e faqeve të para të gazetave apo revistave atje. Klientët që zgjedhin të vishen nga stilistja shqiptare janë ndër më të njohurit në Itali, por edhe femra të panjohura, që mbi të gjitha duan të vishen me stil, të jenë elegante dhe me një pamje të kuruar në detaje. Stilistja Mirela Gjoni, është zgjedhja e duhur për ta bërë çdo femër të ndihet e tillë, pra speciale!