Ndërthurja e stilit të lartë me mjeshtërinë e punimeve me dorë, krijon një koleksion klasik të dedikuar për modën e oborreve mbretërore. Megjithë ngasjen e njohjes së formave dhe koncepteve të kapelave sipas trevave dhe vendbanimeve të ndryshme, stilistja e njohur kosovare prezantohet me një koleksion të veçantë, të cilin e ka pagëzuar me emrin e mbretëreshës “Geraldine Apponyi”
Madhështisë së stilit frymëzues të mbretëreshës, që për të shërbeu si muzë në çdo realizim të sajin, ajo i shtoi edhe dozat e një profesionalizmi dhe entuziazmi të pashoq, duke krijuar një koleksion me vlera të larta kulturore. Duket se inovacioni në industrinë e modës shtyhet drejt portretizimit të historisë, përmes stilit dhe sakaq mbretëreshës Geraldinë, duke u përshfaqur thjesht në konceptin e kapelave, si një aksesor i nevojshëm në përgjithësi. Por, vet stilistja kosovare Njomëza Luci, të gjithë këtë koleksion të cilin e ka pagëzuar me emrin e mbretëreshës “Geraldinë Apponyi” e konsideron si një homazh për të kujtuar në formë unike lavdinë e një figure të rrallë si ajo. “Përmes kapelës si një aksesor i rëndësishëm i oborreve mbretërore dhe shoqërisë në përgjithësi, më erdhi si një paketim i bukur i gjithë punës dhe për më tepër mundësia që si autore të shpreh konceptin e kapelave, duke më krijuar një ndjesi jashtëzakonisht pozitive. Diçka të ngjashme morën në këmbim edhe personalitetet publike të cilët mbajtën në kokë këto krijimeve duke u dhënë një dimension të ri, secilës kategori”, pohon Luci. Koleksioni, “ Géraldine Apponyi “, karakterizohet dukshëm nga fryma e modës së lartë. Procesi i realizimit për stilisten kosovare duket se ka qenë në kufijtë e normales, pasi muza e koleksionit Mbretëresha Geraldine, i ka ofruar shumë nga karizma dhe stili i saj përmes trashëgimisë së vyer që ajo la për të gjithë pasuesit e saj. Materialet e përdoruara për fustanet janë kryesisht mëndafshi dhe dantella. “Unë aplikova një teknikë unike, thurje punim dore, motivi kryesor në dizajnimin e fustaneve ishin padyshim elemente të aristokracisë mbretërore, korsetë e viteve 30′ dhe fustanella shqiptare. Materialet e përdorura për kapele, janë materialet e posaçme sintetike të shoqëruar me një teknikë: thurje punim dore. Kapelat kanë përfshirë kategoritë zyrtare të oborreve mbretërore, si: Festa nacionale, Festa zyrtare, Funeral, Dasme, Gara me kuaj dhe Koha për çaj. Tonet e aplikuara janë e zeza, rozë, krem, e kuqe, vjollce, hiri, perla, etj. Materialet e sofistikuara për kapele, pendë, rruaza dhe kristale, kanë qenë brumi i këtij koleksioni”, vijon ajo.
Aristokracia e stilit
Një koleksion i “prerë” për princesha, për elitën me gjakun blu…Dhe natyrisht që nuk ka qenë një angazhim i lehtë, i zakonshëm, ose i kaluar fare pa emocion. Të gjitha këto krijime, duhet të ishin shëmbëlltyrë e realizimeve të dikurshme, të aksesorëve të tillë që janë ruajtur me fanatizëm si koleksion i vyer vit pas viti, për t’ju vendosur pastaj në dispozicion artistes Luci. Ndaj, të tilla krijime origjinale, përpos përsosmërisë së stilit duhet të emetonin edhe një linjë klasike dhe të kuruar në detaje. “Paraprakisht, mua më janë ofruar disa nga fotografitë e Geraldinës, dhe më pas një ndihmë të posaçme më ka dhënë edhe Znj. Elia Zaharia, e cila nga arkivi i familjes mbretërore, më ka dërguar disa fotografi të mbretëreshës. Gjithashtu, kam bërë një hulumtim të detajuar rreth procesit të krijimit të kapelave, madhështisë, humanitetit dhe bukurinë e mbretëreshës Geraldinë për të rifituar një dimension të ri dhe unik të tyre. Për më tepër e ndjej privilegjin dhe rastin e mirë që në krijimtarinë time artistike, të kem trajtuar një temë kaq unike dhe një personazh kaq pozitiv, e cila për të gjithë kombin shqiptar një figurë si Mbretëresha Geraldinë, aq humane dhe e dashur për ne”.