Projektet e tij janë në unison të përjetshëm me dy elementë: hapësirën dhe dritën! Strukturat asimetrike,ndikimi i kulturës portugeze, dhe qasja ndaj tiparit modernist, e bëjnë sot fituesin e çmimit “Pritzker” një ndër mjeshtrat e dinastisë moderniste. Ky është Alvaro Siza Vieira!
Një figurë kult në rrethin e arkitekturës në botë, i ka mëshuar tiparit të ashtuquajtur “modernist poetik”, thuajse në gjithë projektet e ndërtesat që mbajnë firmën e tij. Fituesi i çmimit Pritzker në vitin 1992, portugezi Alvaro Siza Vieira thekson se si fillimi, forma dhe finalizmimi i çdo ndërtese vjen si një linjë e cytur sa nga faktor gjeografik, ashtu edhe historik. Forma gjeometrike që meritojnë vëmendjen maksimale, teksa zgjojnë kureshtinë e vozitësve të rastit, por edhe banorëve të metropoleve botërore. Spikat për ndikimet e kulturës portugeze, në krijime që mishërojnë shpesh detaje të frymëzuara nga elemente natyrorë. Në podiumin e arkitektëve të njohur, mes gjeneratave ndër vite, Vieira është ndër emrat më të vlerësuar të profesionistëve të epokës moderne, por jo vetëm. Një elegancë e dukshme, shfaqet në linjat të cilat joshin që në takimin e parë, e natyrshëm të ndjellin drejt një bote të prekshme, gati në kufijtë e perfeksionit. Duke i dhënë formë metropoleve, me kryevepra që nuk do të shuhen kurrë, ai mishëron një stil që të nxit drejt arkitekturës së pastër, pa trazime të jashtme. Është kaq ngazëllues çdo detaj i projekteve që mbajnë firmën e tij. Njihet si modernisti klasik, që e vendos arkitekturën në pozita assesi të komplikuara vizualisht, por që gjithçka sipas tij bëhet në emër të asaj që njihet si: lëvizja bashkëkohore, e cila synon funksionin konstruktiv në tërësi. Tharmi i këtij trendi ka lidhje me idenë se ndërtesat duhet t’i përgjigjen funksionalitetit të një bote në ndryshim të vazhdueshëm, çka duket se ka ndikim edhe në punën e portugezit Vieira, duke e formësuar atë profesionalisht si arkitekt. Mandej, ai mori një qasje haptazi eklektike, duke hartuar ndërtesa që kishin një raport harmonik me botën bashkëkohore dhe veçanërisht me natyrën, e qyteteve moderne. Shpesh ai tenton të afirmojë rrënjët e tij moderniste në veprat që evokojnë stile të së kaluarës. Vizionar, me ide inteligjente për të ndërthurur arkitekturën moderne me prurjet e revolucionit digjital, të paepur në kulturën që përcjellin ndërtesat globale të biznesit apo artit kudo në botë.
Adega Mayor, Portugali
është një tjetër projekt i rëndësishëm i arkitektit portugez, i dedikuar plotësisht ndaj turizmit të verërave, prodhimit dhe shitjes së tyre. Në dukje të parë, ngjan me një projekt minimalist, por në formën e tij drejtkëndshe, dhe i vendosur në një kodrinë ai ofron një pamje të jashtëzakonshme për turistët, sidomos tarraca panoramike e këtij objekti.
Kisha Marko de Kanaveses, Portugali
E pozicionuar në një pllajë, të lartë, strategjia e projektimit dhe ndërtimit të kësaj kishe, fokusohet në “lojën” me muret e bardha, të cilat vijnë diku të drejta, dhe diku të harkuara. Nuk mungojnë shkallët e brendshme, hapësirat e gjelbëruara në ambientin e jashtëm, etj. Forma e kishës, si një “akropol”, është pjesë e stilit minimalist të godinave të arkitektit portugez.
Pavijoni Kombëtar i Ekspozitave të Portugalisë, Lisbon
Janë elementët arkitektonikë që artikulojnë një projekt, ndër më të njohurit të Alvaro Siza Vieiras. Me nëntë kolona masive, të cilat krijojnë kontraste dramatike, hijesh të lehta, ato ndërthuren me fasadën e madhe dhe pllakat qeramike me ngjyra, çka krijojnë një strukturë monumentale të kësaj godine. Ky pavijon ofron hapësira të mëdha ekspozimi, nga fusha të ndryshme të veprimtarisë, nga ajo kulturore, historike, etj.