Ardit Boriçi – Metamorfozat dhe frymëzimet e një artisti

Shqipëria është një vend i vogël, me shumë probleme e disfata, por ka kaq shumë artistë, një prej tyre është piktori Ardit Boriçi, i cili pikturon me shumë pasion portrete të ndryshme, madje lëvron edhe temën e nudove, një temë e cila nuk është shumë e hasur në artin tonë. Gjithashtu, pikturat e tij, përpos studios, i gjejmë edhe në rrugët e Tiranës.
Arti i tij buron nga shpirti, ndaj kreativiteti nuk njeh një limit, as një tematikë të caktuar, thjesht lind si ide dhe ndjesi dhe projektohet në një telajo. Besojmë se këtë eksperiencë e ka çdo artist, ndaj edhe Arditi nuk ka si të bëjë përjashtim.
I biri i Luan Boriçit, një artist shumë i talentuar në artin pamor, Arditi ndjek trashëgiminë dhe pasionin e këtë duket se e bën më së miri. Më poshtë do të lexoni një intervistë të shkurtër me piktorin e talentuar mbi ndjesitë, planet dhe pasionin e tij mbi artin pamor.

 

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Nudo

Si ka nisur e gjitha, pasioni per pikturën, finalizimi i studios?
Embrioni është në gene. Unë jam djalë artisti, ndaj vizatimi, arti viziv ka lindur me mua, ushqehet dhe rritemi bashkë. Është pjesë e frymëmarjes sime. Çdo gjë më pas ka rrjedhur natyrshëm, që studio, ekspozitat deri te kurimi i artit pamor.

Ti pikturon mbi tematika të ndryshme, përfshirë edhe nudo. Në artin shqiptar, flasim në përgjithësi, kjo tematikë nuk është shumë e lëvruar. Është vlerësuar sa duhet nga shqiptarët ky guxim?
Arti buron nga shpirti, nuk zgjidhet prandaj dhe tematikat e mia janë të ndryshme. Është e vërtetë që nudizimi nuk ka qenë shumë i pikasur në artin pamor shqiptar, kjo ndoshta për shkak të izolimit dhe situatës jo shumë të favorshëm që ka kaluar vendi, por mendoj se edhe në art ashtu si në çdo fushë tjetër po vihen re ndryshime, qoftë në tematika si nudizmi, qoftë në kolorite.
Mendoj se koha është ajo që vlerëson guximin dhe kurajon që sjell inovacionin.

Nudo

Çfarë ju frymëzon dhe sfidon njëkohësisht në Shqipëri?
Dihet se themeli i çdo ndjenje i ka rrënjët te vendi ku lind e rritesh. Mendoj se vendi yt të jep ndjesi tjetër, më të thellë, më të ëmbël e më të dhimbshme njëkohësisht. Vetë sfida më frymëzon dhe në Shqipëri nuk mungojnë sfidat.

Çfarë e rrëmben vëmendjen tuaj dhe ku fokusohen më tepër pikturat tuaja?
Metamorfoza, natyrshmëria dhe lakuriqësia e çdo gjëje, e trupit, e shpirtit.

Sweet wound

Me çfarë merreni përpos pikturës?
Librat, sidomos literatura e artit pamor më tërheq pa masë. Kurimi i ekspozitave është kënaqësi më vete. Si dhe pak sport dhe miq të mirë.

Cili ka qenë kontakti juaj me pikturën? Keni ndonjë artist të preferuar, ku fillimisht keni marrë bazat dhe e keni ndjekur si një shembull?
Përgjigjja ka vetëm një emër, im atë, artisti dhe piktori, Luan Boriçi.

Nga Tirana Street Art, në ciklin e nudove dhe portreteve, cilat janë pikturat që preferon më tepër?
Është e pamundur të veçosh një vepër nga një tjetër. Secila ka emocionin e vet dhe përcjell mesazhin e vet.

Eternity

Për cilën prej këtyre “kategorive” kanë më tepër interes shqiptarët, pse jo dhe të huajt?
Nuk mund ta kategorizoj prirjen e interesave, pasi është shumë kompleske, por në këndvështrimin tim, nudizmi, abstraksioni dhe modernizmi po shikohen me interes.

Bëni shpesh eksperimente me pikturat tuaja?
Nuk do t’i quaja eksperimente, por eksplorime të vetes me shpalosje të ndryshme. Siç u shpreha më sipër, më pëlqen lëvizja, rrjedhja e vazhdueshme e cila të sfidon ty dhe artin tënd.

Rebellious feelings

Cilat janë planet e tua mbi pasionin për pikturën? I referohemi ekspozitave ose nëse ke në plan zgjerimin e studios.
Gjatë muajit tetor do jem pjesëmarrës në një nga biennalet më të rëndësishme ndërkombëtare, në Biennialen e Firences ku do të jem përfaqësuesi i Shqipërisë. Me pas do të jem i angazhuar me pjesëmarrjen në disa galeri europiane, pasi kam marrë disa ftesa.