Arti është ajo gjini dinamike që gjithmonë zhvillohet, kërkon të ndryshojë krejt, apo të progresojë edhe më tepër. Arti zë vend në trupin dhe shpirtin e një artisti dhe gjithmonë bën si të dojë, duke e bërë këtë të fundit t’i “nënshtrohet” vullnetit të frymëzimit.
Në lëmin e artistëve shqiptarë, Admir Pervathi gjithnjë është veçuar për vitalitetin që përcjell përmes tablove të tij. Një kaos fantastik ngjyrash, transmeton të gjitha ndjesitë, ngjarjet dhe idetë e tij. Këtë herë, Admiri vjen për publikun shqiptar ndryshe, me një hapësirë dedikuar artit, e pagëzuar si “A Galeri”.
Kjo galeri e re, e shumëpritur zuri vend në Tiranë, duke ngrohur zemrat e artdashësve, por edhe të vetë piktorit, i cili ndau me ne një intervistë ekskluzive, që e gjeni në rreshtat e mëposhtëm.
Admir, je tashmë një piktor i afirmuar dhe i mirënjohur në vend e më gjerë. Ndërsa prisnim një ekspozitë, ti na surprizove me çeljen e një galerie, e cila është pagëzuar me nistoren e emrit tënd. Pse pikërisht kjo zgjedhje?
Ideja e hapjes së një galerie personale është një ëndërr e imja që ka lindur në vitet e fundit. Kjo ka qenë periudha më intensive e krijimtarisë sime dhe gjatë saj, nisa të mendoj për “shtëpinë e pikturave” dhe mënyrën si rrinë pranë njëra-tjetrës. Nisa të fantazoj si do të ishte galeria ime e ardhshme dhe kjo më bënte gjithmonë këmbëngulës deri në realizimin e këtij mendimi. Ky moment i shumëpritur erdhi shpejt.
“A” është pa dyshim zanafilla e alfabetit, por edhe pikënisja e çdo nisme. Gjithçka nis nga “A”-ja, për të vijuar më tej. Është çelja e ekspozitës “A”-ja e një rrugëtimi tjetër, të ri, apo vijëmësia e diçkaje të vjetër, e cila do të vijë me një qasje tjetër?
Në fakt, gjithçka ishte e mirëmenduar, duke filluar që nga mënyra e organizimit të sipërfaqeve tek ekspozimi, aranzhimi i punimeve dhe si do të ishte emri i galerisë. “A Galeri” ka disa kuptime: “A” për artin; fillesa e gjithçka, në këtë rast, fillesa e një momenti të madh në karrierën time dhe pse jo, “A” për Admir.
Sot, “A Galeri” është edhe dashuri, e gjitha e imja.
Ekspozita e parë e “A Galeri” ishte pikërisht me pikturat e tua, të cilat përmes një kaosi harmonik, i shtuan ngjyra dhe vitalitet jo vetëm hapësirës së brendshme, por edhe asaj përreth. Ishte një zgjedhje rastësore, apo ishte pikërisht momenti për të sjellë pozitivitet dhe jetë, duke marrë në konsideratë edhe vitin e pazakontë të cilin kaluam?
Krahas ëndrrave të të pasurit një galeri personale, kishte ardhur momenti i hapjes së ekspozitës, megjithëse kjo e dyta ishte në plane më serioze, sepse pasja e galerisë nuk do të ishte kaq e thjeshtë. Fillimisht, ishte vetëm ëndërr, ndodhi që mundësia u krijua dhe unë mendova që pikërisht, në galerinë time të vij me një ekspozitë për artdashësit.
Ishte vërtet një vit i pazakontë; një vit ku të gjithë ndiheshin të pasigurt. Gjithsesi, unë jam natyrë që punoj çdo ditë dhe mendoj për artin në çdo moment, kudo ku jam, ndaj në periudhën që kaluam, kam punuar shumë. Mundohesha të transmetoja pozitivitet dhe emocion përmes ngjyrave. Tonalitetet, të ftohtat e të ngrohtat, potenca e ngjyrave; të gjitha vihen re në këtë ekspozitë, sepse është ajo përplasja e emocioneve dhe e mënyrës se si rridhnin ngjarjet. Megjithatë, unë e shikoja gjithmonë të bukur të ardhmen. Në përgjithësi i shoh të bukura situatat dhe mundohem të kem një lloj pozitiviteti në natyrën time.
Inaugurimi i galerisë bëri shumë bujë dhe pati një pjesëmarrje të jashtëzakonshme. Si ndikon kjo te ti si artist, por edhe si një sipërmarrës i galerisë?
Momenti i hapjes ishte momenti më i bukur i karrierës sime. Nuk mund të harroj kurrsesi faktin që shumë miq të mi, plot artdashës, artistë, gazetarë e politikanë, gjetën kohën dhe erdhën në event, duke ma bërë edhe më të bukur atë ditë.
Në fakt, dua t’i falenderoj pafundësisht të gjithë që ishin të pranishëm fizikisht, por edhe ata që më kanë uruar përmes mesazheve të shumta. Dua të falenderoj gjithashtu mediat e shumta që e kanë pasqyruar eventin, njëkohësisht edhe juve si revistë që më dhatë mundësinë të them dy fjalë mbi “A Galeri”.
Pa artdashësit, galeria është e pakuptimtë. Arti kurrsesi s’duhet të jetë i vetmuar, pasi artistit ia jep emocionet artdashësi dhe kritika.
Cilat janë planet e “A Galeri”? Si do të jetë marrëdhënia e saj me artistët shqiptarë dhe ata të huaj, por sigurisht edhe me publikun?
“A Galeri” është një galeri personale, ku do të ekspozohen punimet e mia. Nuk e kam menduar ta kthej në një tjetër formë. Ëndrra ime ka qenë që të ishte pikërisht kështu si po e prezantoj dhe si po e servir përpara publikut dhe nuk dua t’i ndryshoj ëndrrat.