Emri i saj është frymëzuar nga dielli dhe në përgjithësi, Sol Calero është shumë solare dhe arti i saj sjell ngjyra vibrante dhe fantastike.
Artistja është me origjinë nga Venezuela dhe kujtimet e saj të fëmijërisë kanë gjetur vend në karrierën artistike, qëkur Sol ishte emigrante. Eksperienca e saj në vendlindje, solli krijime shumëngjyrëshe të cilat përcjellin emocione tejet pozitive.
Sol u zhvendos në Berlin në vitin 2009 dhe u prezantua me diversitetin, me mënyra të ndryshme gatimi, me 10 gjuhë të reja që dëgjonte çdo ditë, me lirinë që i ofroi një vend liberal si Berlini dhe një jetë të re, të parë nga tjetër prizëm, në atë të rinisë dhe artit.
Por, si shumica e emigrantëve, Sol ka njohur një anë për të cilën ne, individët e botës moderne, nuk flasim shpesh, veçanërisht artistët. Ajo shpjegon se në një etapë të jetës, është ndjerë sadopak e turpëruar nga origjina e saj.“Kur erdha në Europë, doja ta fshihja identitetin tim, nuk doja që njerëzit ta dinin se kisha rrënjë latine, pasi fillimisht ishin shumë racistë ndaj vendit tim. Marr parasysh që isha vetëm 17 vjeç, në një vend të ri dhe u përballa me frikën e së panjohurës. Por në një periudhë të caktuar, kuptova se origjina ime nuk kishte fare të bënte me atë që doja të isha dhe doja të bëja”.
Fillimisht, Colero studioi në Madrid dhe më pas në Holandë, ku nisi edhe të eksperimentonte me stilin e saj maksimalist, për të sjellë piktura të jashtëzakonshme. “Sapo nisa të krijoja piktura gjigante me larmishmëri ngjyrash, mendova se i gjithë procesi është shumë natyral, se në fakt isha rritur me këtë, me ngjyrat, me dritën”. E gjitha ishte shumë argëtuese dhe e bukur për artisten dhe gjithmonë e më shumë solli piktura edhe më të mëdha, të cilat përmbanin edhe rreth 100,000 ngjyra.
Puna e Caleros paraqet një dualitet të pazakontë, e cila përmbledh jo vetëm ngjyrat, por edhe të shkuarën historike dhe balancën që mungon mes Europës dhe Amerikës Latine. Kjo zbehje e identitetit, në fakt shton imagjinatën e Sol për të sjellë steriotipe ekzotike, me ngjyra mahnitëse, gjethe, fruta dhe kultura tropikale.
Sigurisht, pikëvështrimi dhe lidhja me kulturën e saj, kaloi nëpër disa etapa, të cilat lidhen më së shumti me fëmijërinë dhe me vitet e shpenzuara në Venezuelë. Instiktivisht, në këto piktura do të ndjejmë tensionin midis perspektivave dhe kulturave të cilat kanë përbërë vegjëlinë dhe rininë e artistes, duke prezantuar një realitet sa imagjinar, aq edhe aktual.
Nocioni i ekzotikes luhet në veprat e Sol në një mënyrë shumë unike, duke u lidhur ngushtë me frutat, por edhe me struktura arkitektonike plot ngjyra.
“Përpiqem shumë mos të pikturoj më fruta, por në një farë mënyre, ky zakon kthehet gjithmonë”, shprehet Calero dhe rrëfen gjithashtu se pikturat e saj duan të thyejnë racizmin, steriotipet që ekzistojnë në shoqëri, klishetë me të cilat përballemi çdo ditë. Ajo aspiron t’i përdorë aq shumë sa të mos jenë më steriotipe, por të shijohen aspektet e bukura, si ngjyrat dhe natyra.
Përpos aspekteve të ndryshme që prekin edhe temat sociale, Sol sjell edhe humor dhe karizëm, pasi mendon se në fakt, njerëzit kur shohin artin duan të harrojnë problemet dhe të përballen me diçka argëtuese. Mënyra si jetojnë dhe çfarë ndjejnë ka rëndësi për të tashmen. “Nëpërmjet artit tim, dua që njerëzit të jetojnë në të sotmen, të mos mendojnë për të nesërmen”.
Muzika, festat, lidhjet me njerëzit, kujtimet që krijohen dhe të gjitha eksperiencat që na dhurojnë lumturi janë shumë të rëndësishme dhe sigurisht, gjejnë vend në artin dhe në ekspozitat e saj. Ka një lidhje speciale mes lidhjes së arteve pamore me shpirtin njerëzor, njëjtë siç depërton muzika në mendjen dhe zemrën tonë.