Në art nuk ka barriera, ndaj ndërthurja e arkitekturës me pikturat urbane janë ajo çka artistja kineze Cui Jie di të bëjë më mirë. Pikturat 3D kanë elemente futurizmi, duke na servirur të ardhmen në një formë shumë atraktive.
Ndonëse arktitektura është në fokus të krijimeve të artistes kineze, është shumë ndryshe nga ajo çfarë jemi mësuar të shohim në realitet. Stili ekstravagant dhe tejet kreativ përshkon pikturat e Jie, duke e bërë një nga artistet më të shquara në Kinë dhe një kontribut të jashtëzakonshëm në artin kontemporan.

Cui Jie

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

 


Jeta

Cui Jie ka lindur më 1983 në Shanghai, Kinë. Pasionin e saj në art e zhvilloi në Akademinë e Arteve, në fushën e pikturës dhe u diplomua në 2006.
Gjatë periudhës studimore, por edhe më tej artistja kineze ngjalli interes për arkitekturën, grafikën dhe punimet 3D, duke e parë të ardhmen në mënyrë krejt origjinale dhe duke ndërthurur dy pasionet e saj themelore: arkitekturën dhe pikturën.
Falë talentit dhe përçimit origjinal të artit të saj, Jie u cilësua si “artistja më e re” në rang republike në Kinë, duke u bërë njëkohësisht një pionere e rëndësishme e artit kontemporan dhe atij futuristik.

Karriera
Kreativiteti në punët fillestare të Cui “kufizohej” në dashurinë për pikturën dhe zakonisht ishin punime në telajo. Në bashkëpunim me Orson Welles, ajo çeli një ekspozitë me imazhe grafike dhe gjeometrike të punuara mjeshtërisht. Vitet që pasuan, formimi i ri dhe qasja në futurizëm, ndryshoi konceptin e artistes dhe vëmendjen e saj e vodhën detajet e arkitekturës moderne, vijat që krijonin barrierën, ndërtesat “hibride” dhe veçanërisht elementet shkencore.
Stili i saj artistik avitet drejt arkitekturës dhe pikturës fantastike dhe shkencore, imazheve futuristike të metropoleve dhe urbanistikës kineze.
Cui ka vendosur një koncept të ri artistik në artin kinez, duke e afruar atë drejt thyerjes së kufijve kur bëhet fjalë për kombinimin e arteve. Artet bashkëveprojnë dhe mund të bëhen organikë.
Prezantimi i kulturës dhe artit kinez merr një tjetër dimension falë elementeve dhe ideve të Cui. Ajo paraqet në disa punime edhe subjekte nga arkitektura e institucioneve shtetërore, propagandës së sistemit dhe godinave të cilat anojnë nga stili urban.
Misioni i saj është unifikimi dhe ndërthurja e planit urban, atij rural dhe atij metropolitan me elemente të së ardhmes.
Artistja kineze e sheh bashkëveprimin e arkitekturës dhe pikturës si “përvojë historike e qenies njerëzore”, ndaj ndërthurja e dy arteve pamore është shumë organike dhe e pandashme në pikturat e saj 3D.
Kryeveprat e saj janë influencuar nga surealizmi, konstruktivizmi rus dhe ndërtesat e realizmit socialist, andaj disa nga punimet e saj vijnë si një risjellje moderne e ndërtesave të vjetra kineze, të stilit “standard”. Cui i shton elemente të reja, duke i rifreskuar pamjen, por pa dashur të ndërhyjë në impaktin dhe rëndësinë historike që ato kanë.

Ndërtimi i një koncepti të ri
Ku kemi qenë dhe ku do të shkojmë?
Duke qenë se Cui Jie ka lindur në vitin 1983, në epokën post Mao, ka pasur mundësi të shohë evolucionin e arkitekturës dhe ndryshimet e që ajo pësoi. Këto ndryshime lanë gjurmë në subkoshiencën e saj artistike dhe dolën në dritë pas studimeve të thelluara mbi pikturën dhe arkitekturën.
Edhe pse ndikimi i kësaj periudhe është i dukshëm, në qendër të punës së saj artistike nuk shohim vetëm ndërtesa. Artistja kineze nuk kufizohet dhe përpiqet ta shfaqë sa më reale pikturën e saj dhe konceptin e ri mbi arkitekturën.
Pikturat e saj kanë një prekje të thellë futuristike. Kjo është një shtysë drejt një koncepti të ri që formësohet dhe unifikohet në shumë vepra arkitekturore që e pasojnë. Artistët e rinj japonezë kanë huazuar shumë nga konceptet e Cui dhe kanë realizuar vepra futuristike.
Mënyra si artistja kineze e imagjinon të ardhmen arkitekturore është tejet interesante dhe aftësia e saj për ta kombinuar me pikturën ngjall tepër interes. Kombinimi i së shkuarës me pikturat 3D sjell 30 vite evolucion arkitekturor në syprinën e një telajo, e cila shërben si një rrugëtim që shkon nga e shkuara në të ardhmen në një integral të shkurtër.
Cui na risjell edhe një punim tejet interesant i cili vjen si rikonstruktim me elemente tërësisht innovative i 10 ndërtesave të viteve ’50. Kjo fushatë arkitekturore u quajt “Njerëzit e Republikës së Kinës” dhe përfshiu stilin sovjetik, atë internacional dhe stilin hibrid kinez. Ripërpunimi i Ciu shtoi koncepte të reja mbi mënyrën e ridizenjimit dhe shërbeu si guidë për të modernizuar ndërtesat historike. Sipas saj, ky ripunim kënaq çdo brez; nostalgjinë e të vjetërve dhe artin krijues të të rinjve. Rrënjët dhe historia ruhen, gjithashtu edhe ndërtesat modernizohen.
Cui shprehet se jo gjithmonë shkatërrimi ndërton art, andaj çdo ndërtesë duhet të rikonstruktohet dhe mbushet me ide të reja dhe elemente artistike.
Puna krijuese e Cui, ndonëse listohet te artet kontemporane është e pakohë, duke marrë parasysh kombinimin e së shkuarës me të ardhmen. Pikturat e saj imponojnë një koncept të ri mbi globalizmin dhe metropolin kinez dhe sfidon individët të shohin përtej barrierave.

Ekspozitat personale
Punimet e Cui Jie janë prezantuar për publikun në ekspozitat e saj personale. Sipas Cui një punë që nuk dokumentohet, nuk ekziston.
– “CUI JIE, Leo Xu Projects” në Shanghai, Kinë, 2012.
– “Propozimi mbi urbanistikën e vjetër dhe të re”, Leo Xu Projects, Shanghai, Kinë, 2014.
-“Cui Jie, Galeria Fillestare”, Jaffa, Israel, 2015.
– “Formimi i Vonë”, Mother’s Tankstation, Dublin, Irlandë, 2016.
– ”Cui Jie” OCAT, Shenzhen, Kinë, 2018

Një pjesë të rëndësishme të prezantimit të krijimtarisë së Cui Jie zë dhe promovimi nëpër grupimet e ekspozitave, ku numërohen rreth 26 prej tyre. Tematikat e ekspozitave përfshijnë stile të ndryshme, duke filluar që nga ai surrealist, futurist, kontemporan, modern e shkencor.

error: Content is protected !!