Edhe Lei Kraja vesh fanellën e Euronews!

Euronews Albania vazhdon të bëjë lajm me “blerjet” e bujshme dhe 11-shja e ikonave televizive që po ndërton nga muaji në muaj po e bën gjithmonë e më kompetitive në “kampionatin” e mediave shqiptare. “Lojtarja” më e fundit që i bashkohet këtij ekipi fitues është Lei Kraja, moderatore sportive, e cila do të prezantojë këtë verë, përkrah gazetarit sportiv Jurgen Zela, emisionin “EuroGame”, dedikuar kampionatit evropian, Euro 2020, i cili për shkak të pandemisë po luhet në 2021-shin.

Më 11 qershor, në 11 të mbrëmjes, të ftuar në “EuroGame” do të diskutojnë emocionet e ndeshjeve ku 11 lojtarë të një kombi janë përballur me 11 kundërshtarët e një kombi tjetër.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Spektakli është konceptuar si një transmetim i ndarë në dy fasha orare, duke iu përshtatur kohës së ndeshjeve që do të luhen përgjatë ditës dhe darkës. Ai do të nisë në orën 20:00 e do të përfundojë në 00:00. Eurogame do të sjellë  përgjatë gjithë kampionatit informacionin më të rëndësishëm, përmes të ftuarëve në studio,  improvizimit të situatave që ndodhin në fushën e blertë, si dhe atmosferës së sportdashësve e debatit të tifozëve.


Çdo mbrëmje, në orën 20:00, EuroGame sjell analizë profesionale nga ana taktike dhe teknike, përmes dy të ftuarve, specialistë  të fushës, që do të jenë të përditshëm në panel. Një element kulminant do të jenë edhe lidhjet live dhe atmosfera në qytete të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës  dhe Maqedonisë  së Veriut. Tre ditët  kur do të jenë ndeshjet e RMV do të sjellin adrenalinë në studio. Lidhjet  live me  lojtarë që luajnë në vendet ku zhvillohet kampionati evropian do të sjellin një dinamikë interaktive përmes përfshirjes së personazheve të ndryshëm të botës së sportit.

Ndërkohë, moderatori Zela nuk është rastësisht në këtë format, pasi ai është gazetar sportiv prej shumë kohësh në EuroNews Albania. Edhe Lei Kraja është një moderatore sportive me vite përvojë, për të mos folur për lidhjen e ngushtë me futbollin, duke qenë se babai i saj ka luajtur në rini për shumë vite në kategorinë superiore, kryesisht me Vllazninë. Dhe me këtë format, Lei me siguri ka shënuar një tjetër gol në zemrën e të atit, që sheh të trashëguar tek ajo pasionin për futbollin.

Spektakli në EuroNews Albania do të pasqyrojë në çdo hap “Euro 2021” eventin e parë të madh sportiv në rang global, pasi bota ndaloi prej pandemisë së covid-19.

EuroGame quhet “virusi” i radhës që pritet të “infektojë” miliona shqiptarë dhe që nuk ka vaksinë ta ndalojë!