Ofruesi i parë malazez i telefonisë celulare, Telenor (ish-Promonte), i cili kohët e fundit u mor nga hungarezja 4iG, tani po ndryshon emrin e tij në One.
Në konferencën për shtyp të organizuar me rastin e riemërtimit, u tha se One do të sjellë energji të reja në treg, një qëndrim të drejtpërdrejtë dhe transparent ndaj të gjithëve, me përmirësime konkrete në eksperiencën e përdoruesit.
Ndryshimi i emrit të kompanisë, siç deklaruan ata, është pjesë integrale e futjes së markës së re në tregun malazez, pasi 4iG mori pronësinë e Telenor në dhjetor. Sipas planit, këto aktivitete do të përfundojnë deri në fund të muajit mars.
Kompania tha se ata kanë punuar shumë gjatë muajve të fundit për ta bërë kalimin në One të përshtatur dhe të lehtë si për klientët ashtu edhe për partnerët. Në javët e ardhshme, të gjithë elementët kryesorë të kompanisë do të ndryshohen në përputhje me markën One – nga faqja e internetit e kompanisë, aplikacionet celulare, degët e deri tek mbështetja e klientit.
“Ata simbolizojnë numrin nga i cili fillon gjithçka. Dhe me të vërtetë, revolucioni celular në Mal të Zi filloi me ne kur u bë telefonata e parë përmes rrjetit tonë në 1996. Sot, pas më shumë se një çerek shekulli biznes, kompania jonë është më e madhe se kurrë. Të fuqizuar nga njohuritë dhe përvoja e pronarit tonë të ri, ka ardhur koha që ne të hyjmë në një kapitull të ri të rëndësishëm në rrugën tonë. Edhe pas ndryshimit të markës, One do të vazhdojë të ofrojë shërbimin më të lartë me të cilin janë mësuar klientët tanë”, tha Branko Mitroviq, CEO i One, për ndryshimin e markës.
4iG pritet të bëhet një nga investitorët më të mëdhenj në Shqipëri dhe lojtari më i madh në industrinë e telekomunikacionit, pas blerjes së ALBtelecom dhe ONE Telecommunications.
CEO i 4iG është shprehur se kompania ka ardhur në Shqipëri si një investitor profesionist me një vizion afatgjatë për të qenë prezent në treg, duke ofruar cilësi superiore në shërbim.