“Sapo më vjen një ide në mendje, në një moment qetësie në shtëpi apo në atelienë time, menjëherë nxitoj ta skicoj. Është diçka teknike, e thjeshtë, por që më pas ne të gjithë punojmë si skuadër për ta materializuar në një veshje të mirëfilltë dhe mjaft elegante. Ky është stili i punës që unë ndjek që prej ditës së parë kur nuhata pasionin tim për të bukurën apo dizajnin në veçanti”, shprehet kështu Gabriela Hearts, stilistja e njohur amerikane. Ajo është pa asnjë dyshim një konfirmim suksesi! Jo vetëm për faktin se fustanet dhe krijimet e saj janë mahnitëse, të derdhura në copa mëndafshi, me motive shpesh minimaliste dhe detaje që e bëjnë çdo femër të duket pompoze në look-un e saj. Sot, Gabriela Hearts nuk është thjesht e vetëm e preferuara e VIP-ave, por edhe e përzgjedhura e asaj kategorie individësh që bëjnë kompromis vetëm me të bukurën, kundrejt çdo kostoje. Me kalimin e kohës koleksionet e Hearts, nisën të profilizohen drejt perfeksionit absolut, duke u kornizuar si joshëse, por edhe të sofistikuara. Ato reflektojnë edhe kulturën amerikane, apo edhe trendet që kanë dominuar ndër vite në këtë vend. Në stilin e saj, duket se loja më e dukshme është ajo me ngjyrat, sepse në thelb të filozofisë së krijimit, feminiliteti është qasje në linjat e drejta e të pastra, në detajet e imta dhe elegante, duke nisur nga qëndisjet dhe punimet artizanale, tek copat e mëndafshit luksoz.