Imagjinata dhe arti shoqërojnë skulptoren Juli Miftari në çdo kohë.

Që prej 22 qershorit, galeria “FAB” ka çelur dyert për të mirëpritur një ekspozitë të rrallë, e cila i dedikohet tërësisht pandemisë globale. E pagëzuar pikërisht me emrin “Pandemia”, ekspozita rreket të shohë një realitet tjetër të izolimit, atë krijuesin, ku artisti më në fund është vetëm për vetëm me mendimet e tij, të cilat i formëson, i shkruan, i hedh në telajo, apo u jep trajtë e jetë.
“Pandemia” përmbledh punët e studentëve të Akademisë së Arteve, të cilat sigurisht janë kryer në kohën e izolimit, duke dëshmuar kështu një periudhë historike, por me sytë dhe botëkuptimet e artistëve, të cilët e kanë kthyer gjithçka në art.
Një prej skulptoreve të Akademisë ka sjellë një vepër interesante, e cila ka tërhequr vëmendjen tonë dhe të publikut më gjerë, duke na prezantuar 2 portrete përballë njëri-tjetrit, si dialogistë të heshtur, në një periudhë ku bashkëbisedimi nuk është prezent.
Në një intervistë për Elegance, Juli Miftari na rrëfen veprën dhe reflektimet e saj artistike.

Juli Miftari / Skulptore

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

 


Si ka nisur pasioni yt për skulpturën dhe çfarë ndjesish të përshkojnë kur krijon një skulpturë?

Pasioni për skulpturën ka nisur që në vitin e parë në Liceun Artistik, kur preka dhe shtrëngova për herë të parë baltën me dorë.
Ishte një ndjenjë e paprovuar, sepse nuk ka fëmijë që nuk ka luajtur me baltë por tashmë me të do modeloja figura të ndryshme, do krijoja plastikë dhe do i jepja jetë. Mendova që tashmë balta është pjesë e imja dhe unë kisha nevojë për të. Është njësoj kur ti njeh diçka të bukur, tërheqëse, që nuk shkëputesh dot dhe bie në dashuri me të.
Fillon ta ndjesh shumë dhe nuk rron pa të. Ndjesia që më lë skulptura (balta) është thjesht ndjesi krijimi. Krijimi të thith, të duket sikur po krijon një gjë, që të tjerët nuk kanë mundësi ta bëjnë. E kanë thënë edhe të tjerë por kur e provon u jep të drejtë, skulpturat e mia i quaj “fëmijët e mi”, sepse janë krijimi im. Siç nëna krijon një jetë të re, ashtu ndodh dhe me krijimin në art, e njëjta simbiozë.

Si e ke përballuar periudhën e izolimit dhe si ka ndikuar ajo në krijimtarinë tënde?
Mendoj që periudha e izolimit ishte një situatë e papranueshme për të gjithë në fillim, por duke marrë parasysh që mendja e artistit prodhon në çdo lloj situate, ishte bukur, një gjendje e përkryer për një artist, duke u nisur nga fakti që izolimi na bëri të mendojmë gjëra për të cilat nuk i kishim menduar kurrë.
Na bëri të thellohemi dhe të përqendrohemi më shumë në pasionin e krijimit. Edhe pse kushtet nuk ishin të mjaftueshme, shoqëria mungonte, liria e lëvizjes dhe e bashkëbisedimit mungonte, por mendoj se liria është brenda njeriut. Siç thonë, atë nuk ta dhuron askush. Duhet ta fitosh çdo ditë. Në atë mendjen tonë ne mund të krijojm një botë shumëdimensionale pa patur kushte fare, sepse bota është vetë njeriu. Pra, s’ka rëndësi vendi, fryma apo njerëzit që të rrethojnë. Rëndësi ka mendja e lirë.
Procesi i krijimit është një proces shumë vetmitar dhe s’ka se si të jetë ndryshe. Të duhet të mbash një gjendje të ngarkuar, si me thënë dyzohesh si në një lindje ku çast pas çasti shikon sesi ngrihet apo sesi mendimi në kokë të sendërtohet në figurë. Këtë gjendje duhet ta mbaj sa më gjatë që të ruaj emocionin që të mos më ftohet vepra. Dhe kuptohet që këtu nuk të ndihmon askush.

Në ekspozitën “Pandemia”, e cila sjell punën e disa studentëve dhe krijimeve të tyre gjatë procesit të izolimit, ke prezantuar dy portrete të tonuar. Pse kjo zgjedhje dhe çfarë ke dashur të transmetosh?
Unë jam viti i parë Bachelor dhe dua të merrem me portretet e njerëzve të ndryshëm, për të kuptuar, kapur dhe transmetuar psikologjinë e karakterin e tyre. Jam përqendruar pikërisht në këtë hap, për t’i lënë vetes kohë për krijime me tema më të mëdha. Mendoj që duke e nisur me gjëra të vogla, të thjeshta, edhe pse portreti është gjini e vështirë, arrin atë të “Madhen”, në kuptimin e veprës si kompozim ideor dhe artistik, për ta parë të vendosur diku. Për mua e lavdishmja, domethënë synimi drejt kryerjes së monumenteve të çfarëdolloj shprehjeje artistike dhe stilistikore, duhet të thuret si ëndërr tek çdo artist.

Njëri prej portreteve, saktësisht ai i mikut tënd ka qenë i papërfunduar, pra pa model, për shkak të pandemisë, por artistët i shpëton gjithmonë imagjinata. Si është rezultati i skulpturës sipas teje, i afrohet pamjes reale?
Kur ne nuk kemi një model, mundohemi të shpërthejmë imagjinatën. Ajo çka mendon është ajo çfarë bën. Pra, vepra krijohet në mendje dhe në shpirt. Nuk është e thënë që një portret të ketë karakterin e dikujt. E rëndësishme është të lërë një vragë ndjeshmërie tek shikuesi, të joshë, të ketë mundësi bashkëbisedimi me veprën.
Ndonjëherë, një vepër e papërfunduar i bën mirë, sepse siç thotë dhe Mikelanxhelo: “Skulptura (arti) ka nevojë për një gjurmë Non Finito, diçka e papërfunduar, mos të jetë thjesht natyrale, por vetë shikuesi të vijojë gdhendjen dhe të plotësojë format, të lerë edhe ai diçka nga vetja e tij”.

Si e ka pritur publiku “Pandeminë” dhe veprën tënde?
Pata fatin të qendroja dhe të bëja punën e ciceronit dhe pashë që vinin vizitorë dhe ndaleshin në vepra të ndryshme, duke pyetur të dinin më shumë pa ju ndarë një buzëqeshje miratimi në fytyrë shprehje e pëlqimit të tyre. Na gëzoi fakti që edhe media e mbuloi me kronika dhe emisione të shumtë.

Cilat janë përshtypjet e tua personale rreth ekspozitës, nisur nga prurjet e studentëve, kurimi dhe tematika e trajtuar?
Ekspozita është kuruar mjaft bukur. E sjellë siç duhet nga pedagogët tanë Ardian Isufi dhe Arben Bajo, duke bërë dhe lidhjen me situatën e pandemisë. Punët e studentëve janë të menduara, të guximshme.
Mendoj që ekspozita të tilla kanë vlerë, sepse nesër pasnesër kur të flitet për pandeminë do kujtohen të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në atë kohë siç është dhe ekspozita jonë me ndihmesën e kujtesës së kohës, sepse ngjarje të tilla janë tejet të rralla në historinë e njerëzimit dhe ndihmesa jonë e vogël është një shembull sesi mund të kapërcehen gjendje të tilla ngujimi shoqëror.