Juli Emiri / Aktore / Aktiviste në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar

 Tashmë jeni kthyer në një mbështetëse shumë e fortë e kauzës së Teatrit Kombëtar, dhe natyrshëm lind pyetja se si e konceptoni ndërtesën?
Ndërtesën e konceptoj si trupëzim te identitetit tonë, është trupëzimi i kujtesës, historisë, artit, intelektit, katharsisit. Teatri ka qenë githmonë tempulli i së vërtetës, vendi ku thuhen të pathënat, vendi ku njeriu takon ndërgjegjen,vendi ku mbreti është spektator; trupëzimi i lirisë. Ndërtesa ka vlerën e saj të pazëvendësueshme, jo më kot njerëzimi ka ruajtur piramida, tempuj, teatro, shtëpi artistësh, nuk ka të bëjë me vlerat materiale, por me emocionin e patjetërsueshëm që përjeton kur prek vazhdimësinë e jetës duke shkelur mbi gjurmët e paraardhësve, emocion i cili nuk mund të zëvendësohet me një pllakë, emocion pa të cilin njeriu nuk ka kuptim për nga vetë natyra.

Cili është kujtimi më i bukur në Teatër?
Ka shumë, por po veçoj herën e parë që kam shkelur në teatër. Isha në gjimnaz dhe ishte hera e parë që shihja shfaqje për të rritur. Nuk do ta harroj kurrë atë ndjesi të papërshkrueshme që më vibroi në trup kur shihja të gjallë atë jetë në skenë që shkrihej në të gjitha kohët e më bënte pjesë të gjithkohësisë e gjithfrymësisë duke përjetuar një orgazmë ndjesish e mendimesh, që më vonë do të mësoja se quhej katharsis. Është një pastrim shpirtëror që të ridimensionon, ndjesi që uroj ta provojë çdokush.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Sipas jush, cila është vlera më e madhe e Teatrit?
Në kontekstin historik, ai është teatri ynë i parë kombëtar, institucionalizimi ynë i parë i artit të teatrit, institucionalizim i përjekjes sonë si komb për t’u ngritur mbi nivelin e mbijetesës apo vegjetimit, se njeriu është shumë më tepër se kaq. Por në kontekstin aktual teatri ka një vlerë shumë të më madhe: është hapësira e fundit ku po thuhet fjala e lirë.

Çfarë ju trishton më shumë në godinën e Teatrit, përpos dëshirës së qeverisë për ta shembur?
Më trishton shumë indiferenca e njerëzve jo ndaj artit apo teatrit, por ndaj vetes së tyre. Më shqetëson moskuptimi i asaj që simbolizon shembja e kësaj ndërtese. Ajo nuk ka të bëjë vetëm me shkatërrimin dhe asgjësimin e artit, por me asgjësimin e lirisë së gjithkujt, duke “fshir”” shtresën intelektuale, pronën publike, ligjin, shtyllat e një shoqërie të shëndoshë. Shtresa e parë që kërkon të zhdukë një sistem diktatorial, është shtresa intelektuale dhe artistike, sepse ajo ka fuqinë t’i dalë kundër, ka fuqinë të iluminojë të tjerët. Ligji special për teatrin, nesër do të jetë një ligj special që mund ti marrë shtëpinë gjithsecilit.

Çfarë ju lumturon më shumë në godinën e Teatrit, përpos mbrojtjes që qytetarët po i bëjnë ndërtesës historike?
Është pak a shumë ana tjetër e asaj që thashë më sipër. Më lumturon fakti që kjo kauzë u bë shkak që të bashkohen disa njerëz të ndjeshëm, intelektualë, të lirë, që i japin frymëmarrje dhe shpresë ketij vendi, në një kohë kur pothuaj të gjithë e gjejnë shpresën jashtë kufijve.

Cila është shfaqja e preferuar që keni parë në Teatrin Kombëtar?
Në shfaqje të ndryshme ka komponentë të ndryshëm që të pëlqejnë apo s’të pëlqejnë. Nuk mund t’i përmend të gjitha, por veçoj “Equus”, me një regji aq të mirëservirur që arriti te bëjë një vepër shumë delikate të depërtojë e të trondisë publikun e gjerë shqiptar. Dua të përmend edhe “Me syrin e një klouni” si shembulli i një shfaqjeje ku funksionojnë të gjithë komponentët:  interpretimi i ngrohtë, fin dhe inteligjent i aktorit. Preferoj shumë edhe “Arturo ui”, një nga shfaqjet më të mira të historisë së teatrit, të cilën nuk kam patur fatin ta shoh, por ma mundëson Youtube.

Cili është roli i preferuar?
Unë jam dashuruar me çdo rol që kam luajtur, por më pëlqen të veçoj rolin e Bjeshkës te “Lojë mbasdreke” e Martin Camaj. Kam mbetur shumë e impresionuar nga thellësia, hermetizmi dhe stilistika e këtij shkrimtari kaq intelektual. Është një vepër dhe një rol, analiza e së cilës nuk mbaronte kurrë, çdo herë që e lexoja apo interpretoja zbuloja gjëra të reja. Është e mbuluar me një tis misteri e mjegulle që i jep përmasa surreale, por gjithmonë duke mbajtur një identitet të pangatërrueshëm shqiptar.

Cili është roli që do të donit të luanit?
Ka shumë, por mund te veçoj Lady Makbeth. E dua shume atë rol, atë vepër të gjithkohshme. Është një autopsi e qenies njerëzore, gjithnjë në kërkim të pushtetit,në një formë apo në tjetër dhe thërrmimit që i bën ky pushtet çdo qelize të njeriut. E ngritur në art me penën e Shekspirit, është nje vetëvrasje e lumtur.

Nga sytë e një aktori, cilat janë kushtet që do të dëshironit të përmirësoheshin në godinë?
Padyshim ka nevojë per t’u përmirësuar: kushtet teknologjike dhe sistemi i ngrohjes janë kryesore. Por, është qesharak përdorimi që u bëhet këtyre fakteve në favor të shembjes. Përveçse janë të riparueshme me anë të restaurimit, nevoja jonë për një teatër më madhështor e modern, mund të realizohet fare mirë diku tjetër. Veç të tjerash, të gjithë biem dakort për dy gjëra: ky shtet i ka paratë për ta bërë këtë, dhe ai projekt i paraqitur për teatër, vetëm teatër nuk është!

Pse jeni pro Teatrit, në një kohë kur shumë aktorë të vjetër janë kundër?
Siç ka aktorë që janë kundër, ka dhe shumë të tjerë që janë pro, por asnjë nuk është kundër ruajtjes së këtij teatri dhe ndërtimit të një të riu. Gjithsesi,atë që shqisat e mia më sugjerojnë për të drejtë, unë nuk e mas me vjetërsinë apo profesionin e askujt. Arsyet pse jam kundër janë:

  1. Unë jam kundër kullave të larta në mes të një qyteti qe po na merr frymën çdo ditë, jo vetëm në kuptimin figurativ, por dhe në atë fizik, gjithë këto ndërtime pa plan kanë bllokuar qarkullimin e ajrit.
  2. Jam kundër zhdukjes së kujtesës së një qyteti. Zhvillimi duhet patjetër, por jo duke shkatërruar; në vendet drejt të cilave aspirojmë ruhet me fanatizëm historia, kujtesa, e vjetra dhe ne vetë kur shkojmë si turistë në vende të huaja kemi nevojë të shohim ndërtesat karakteristike të atij vendi.
  3. Jam kundër zhdukjes së një teatri, e aq më tepër teatrit tonë të vetëm kombëtar. Teatri është si një vend i shenjtë ku njeriu takon të vërtetën. Jo më kot u ka rezistuar kohërave e vazhdon të rezistojë, edhe në këtë vërshim teknologjik.
  4. Jam kundër tjetërsimit të truallit publik në truall privat.
  5. Jam kundër shkeljes së Kushtetutës. Një shtet që shkel Kushtetutën ka marrë fund. Këtu nuk bëhet më fjalë vetëm për art apo interesa, këtu bëhet fjalë për fillim diktature. Asnjë diktator nuk thotë jam diktator, ai kthen ligje në favorin e tij dhe populli e gjen veten në diktaturë atëherë kur është shumë vonë për të reaguar.