Markel Capo – “Kurorë Guri”, një jehonë për forcën e gruas shqiptare

“Kurorë Guri” nga Markel Capo është ekspozita e cila bashkon legjendën dhe adhurimin ndaj gruas shqiptare. Në themel të punimeve fantastike të Markelit qëndron gruaja shqiptare, e pathyeshme, e fortë si guri dhe e papërkulshme ndaj çdo disfate. Markeli na transmeton mesazhin e një gruaje që dashuron, mbron, lufton dhe kurrë nuk stepet. Ajo thyen edhe gurin, i jep formë dhe e bën kurorë.

Artisti ka zgjedhur të bëjë një “lojë” shumë të bukur me simbolet e kalave të gurta të Shqipërisë dhe grave të cilat i bashkohen legjendave të tyre.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

 

Arti është një pasion i cili rritet dhe kultivohet. Si lindi pasioni yt për pikturën?
Unë kam qenë një fëmijë shumë kurioz, i cili gjithmonë përpiqej të bënte atë që donte në shumë mënyra. Pasioni për pikturën ka qenë i madh; mbaj mend që zhgarravisja parketin, muret, pjesën e poshtme të tavolinës, mbi faqe fletoresh e kudo. Si fëmijë nuk e kuptoja se në fakt isha “duke mësuar dorën”, as nuk e dija se në fakt kisha një talent, ndaj u besoja thjesht ndjesive dhe lapsave me ngjyra.
Më vonë kur u rrita dhe e kuptova se jeta ime dhe piktura janë kaq të lidhura me njëra-tjetrën, bashkohen dhe nuk ndahen. Pikërisht në këtë periudhë nisa ta marr seriozisht pasionin tim dhe të punoj shumë për të përmbushur synimet e mia artistike.

Cila është ekspozita jote e parë?
Unë kam marrë pjesë në disa ekspozita kolektive, ku kam ndarë punët e mia me artistë të tjerë. E ndërsa ekspozita ime e parë personale ka qenë “Ku(k)llat”, e cila luante me elementin e kullave, të cilat për shekuj kanë ngujuar gratë shqiptare. “Ku(k)llat” sillte gratë në formën e kullave, ose kullat në trajtën e grave. Kjo, edhe në simbole erotike dhe sigurisht, një rikthim historik nga traditat tona të lashta e deri në ditët e sotme.

Çfarë simbolizon “Kurorë Guri” dhe si lindi ideja për të realizuar një ekspozitë të tillë?
Ekspozita “Kurorë Guri” ka nisur si cikël para 2 vitesh, konkretisht në vitin 2017. Për frymëzimin i ka meritat legjenda e Rozafës dhe sakrificat e saj për t’u ndërtuar kështjella e Shkodrës. Më pas, frymëzimi u bë ide dhe ideja u finalizua në një cikël pikturash. “Kurorë Guri” thekson forcën e femrës, britmën e saj ndër shekuj dhe sakrificën e saj kolosale për qytetin, për shtëpinë, për fëmijët dhe për familjen. Edhe në cikël, gruaja shqiptare luan role të ndryshme. Herë na shfaqet si një grua shumë e bukur, fatale, si në rastin e Dodonës së Beratit, herë na shfaqet si një motër shumë e dhembshur si Sanisha e Libohovës, bashkuese e kufijve si Artana e Kosovës dhe në dhjetëra forma të tjera. Kjo simbolizon rolet që gruaja shqiptare merr në familje dhe në shoqëri.

Cila është legjenda dhe si rrjedhojë piktura e preferuar?
Në fakt nuk kam një legjendë, kala, rrjedhimisht edhe pikturë të preferuara. Të gjitha i kam shumë përzemër, pasi rrëfejnë një histori të jashtëzakonshme dhe personifikojnë gratë e gurta dhe të pathyeshme. Gjithsesi, më duhet ta nënvizoj se gjithçka nisi nga Rozafa, shtysa kryesore e një krijimi dhe ekspozite të tillë.

Cilat janë vështirësitë e një artisti në Shqipëri?
Përpos legjendave të mrekullueshme dhe historisë të lashtë, Shqipëria gjithsesi ofron shumë pak për artistët. Në një vend ku një artist gjen kaq shumë frymëzim, është shumë e vështirë t’i japësh jetë krijimeve të tua. Vështirësitë janë të ndryshme, që prej atyre financiare, ku nëse ushtron vetëm “profesionin” e artistit, në këtë rast të piktorit, të ardhurat janë minimale. Më pas është mbështetja e shtetit në nismat dhe krijimet artistike, për të vijuar me një vend specifik ku mund të punohet larg zhurmës dhe pranë frymëzimit.
Megjithatë, unë gjithmonë kam menduar se arti e gjen mënyrën të dalë nga shpirti i artistit dhe të jetësohet. Kjo ka ndodhur edhe me mua. Frymëzimet e mia, pavarësisht çdo vështirësie dhe sfide, kanë ditur të dalin në dritë e të prehen në një tablo. Prandaj, kushdo që më njeh e di se kam një qëndrim shumë ndaj gjithçkaje, sidomos ndaj artit.
Besoj shumë se në një moment të caktuar do të vlerësohen mundi dhe përpjekjet e një artisti për të shprehur ndjesitë dhe frymëzimin e tij. Shqipëria do të na e ofrojë këtë!

Cilat janë planet për të ardhmen? Ndonjë ekspozitë e re në horizont?
Edhe pse nuk bëj plane, jam i sigurt që e ardhmja do të më gjejë duke vazhduar ciklin “Kurorë Guri”. Legjendat dhe historia shqiptare ka kaq shumë për të na rrëfyer, ndaj nuk kam si të mbyll veshët ndaj rrëfimeve që më emocionojnë dhe më frymëzojnë kaq shumë. Sigurisht, mendoj për një tjetër ekspozitë, por për arsye që i radhita edhe më sipër, besoj se kjo do të marrë pak kohë.
Gjithsesi e ardhmja është e paparashikueshme dhe unë dua të mendoj se do të jetë shumë e bukur dhe e mbushur me mundësi dhe piktura të reja.