Një polumbar i veshur me kostumin e tij, është figura kryesore e ciklit të tablove me titull “Mes errësirës dhe dritës”. Ekspozita e çelur në Galeri 70, është pjesë e krijimtarisë së piktorit të njohur Orion Shima, i cili rikthehet tek publiku pas 7 vitesh mungese. Figura e misticizuar e polumbarit, gjysmë njohja dhe alienizimi i tij e bëjnë shumë intrigues këtë cikël, që vjen në vazhdën e punëve duale të Shimës.
Vetëm pak ditë më parë ju keni çelur në ambientet e galerisë “Gallery 70 of Contemporary Art”, ekpozitën me titull “Mes errësirës dhe dritës”. Kishit plot 7 vite që i mungonit organizimeve të tilla, si erdhi kjo ekspozitë dhe çfarë rrugëtimi kanë ndjekur këto tablo?
Po, është e vërtetë që nuk kam ekspozuar në Tiranë prej disa vitesh, por ndërkohë kam pasur disa ekspozita jashtë vendit, që më kanë marrë kohë dhe e dyta nuk kam gjetur edhe arsye për të ekspozuar në Tiranë. Ndërsa kjo ekspozitë erdhi si një ftesë e Gallery 70 për të bërë bashkë katër artistë dhe për të shfaqur disa projekte tonat personale. Përsa i përket ekspozitës, ato janë një seri pikturash që unë i kam krijuar në vitin 2017.
“Mes errësirës dhe dritës”, ka për subjekt figurën e një polumbari, të cilit ju qëllimshëm keni zgjedhur të mos ia shfaqni portretin, pse e keni misticizuar kaq shumë, ku qëndron e panjohura e kësaj figure?
E panjohura qëndron pikërisht aty tek ajo që nuk duket, tek ajo që fsheh errësira. Mendoj se duke u marrë me identitetin e tij të portretit, kjo figurë nuk do arrinte të shfaqte idenë time. Unë e përdora figurën e zhytësit më shumë si një metaforë, që lidh profesionin e tij të nxjerrjes në dritë të objekteve me artistin që kërkon në studio idetë e veprave te veta. Ashtu si kjo figurë që qëndron mes këtyre dy botëve, të asaj mbi ujë dhe nën ujë, midis së dukshmes dhe së padukshmes, ashtu qëndron për mua edhe proçesi i një artisti, midis të përditshmes dhe botës imagjinare që ai krijon nëpërmjet artit të tij. Mendoj se kërkimi që ata bëjnë është ajo që bën bashkë figurën e zhytësit me atë të artistit. E panjohura e tij qëndron pikërisht në ecejaket midis këtyre dy botëve, midis koshiencës dhe subkoshiences. Prandaj çdo imazh i fytyrës së tij do të ishte i tepërt dhe do ta zhvendoste vëmendjen e shikuesit nga ajo që unë kam dashur të paraqes.
Duket gati e alienizuar kjo figure, që siç ju citoni në tekstin prezantues, i përket dy botëve shumë të ndryshme nga njëra-tjetra: “ai është gjysmë njerëzor dhe gjysmë teknologjik, për shkak të veshjes së veçantë që e lejon të funksionojë në njërën botë, nën ujë, dhe që e bën të huaj për botën tjetër, mbi ujë”. Të krijohet idea se ju jeni duke eksploruar fusha të panjohura?
Pikërisht veshja e tij e vecantë që ai përdor, e krijon këtë përshtypje dhe e bën figurën e tij të bukur për tu pikturuar. Ajo është si koracë që e ndan atë nga natyra që e rrethon dhe e lejon të zhytet në një realitet tjetër të padukshëm për tu eksploruar. Kjo botë e errët, misterioze dhe e pashqueshme nga pjesa tjetër e realitetit, krijon për mua atë moment magjik të kalimit në dy realitete të ndryshme që unë e gjej shumë të përafërt me momentin e krijimit të artistit në studio. Pikërisht ky është momenti i ndarjes nga një realitet konkret për të hyrë në një botë imagjinare të eksplorimit vetmitar të ndërgjegjes personale, ku artisti kërkon dhe nxjerr në dritë artin e tij. Ky kërkim për mua është shumë i rëndësishëm, mendoj që nëpërmjet tij mund të arrihet ajo lloj qetësie dhe meditimi që krijon vetmia e studios, duke e lënë këtë figurë pa një veprim konkret, pa një narrativë të dukshme dhe të qartë. Unë i jap mundësinë shikuesit të krijojë ngjarjen e tij me mënyra të ndryshme leximi mbi veprën. Ata vendosen pothuajse përherë përpara ose pas momentit kur ngjarja ndodh duke e vendosur në një peisazh imagjinar dhe në funksion të tij.
Në tablotë tuaja ne shohim vetëm polumbarin, por nuk shohim objektet që ai sheh, apo nxjerr! Çfarë sheh polumbari juaj që ne nuk e eksplorojmë dot?
Parapëlqej që gjithsecili nga shikuesit të shohë dhe të gjejë nëpërmjet pikturës lirinë për të udhëtuar me imagjinatën e tij personale dhe i pa kushtëzuar. Mendoj që arti është një formë percjellësi i këtyre ndjesive që na lejon të udhëtojmë me lehtësi në këto dy botë të ndryshme.
Nëse bën një kërkim në web-in tuaj, kupton lidhjen e pashmangshme që keni me natyrën, dritë-hijet e saj dhe njëherazi kupton se ju tentoni të tregoni dy plane, dy botë, dy ide. Kjo është e lexueshme edhe tek punë si “The Wall” apo “The Unexpected”. Pse ky dyzim, çfarë po kërkoni?
Kërkimi im mes konkretes dhe imagjinares e ka shoqëruar pikturën time dhe mendoj që kjo kërkesë e kërkuar me ngulm e bën atë të veçantë. Mendoj që për mua është e rëndësishme të kombinoj memorien e së shkuarës me të tashmen, të hyj në dialog me periudha të ndryshme nga historia e artit dhe artistë të ndryshëm, t’i marr këto eksperienca vizuale, t’i miksoj dhe t’i përdor duke i risjellë sipas mënyrës dhe përvojës sime. Këto udhëtime imagjinare të eksplorimit të memories më japin mundësinë e zbulimit të përhershëm të unit. Ato më japin mundësinë të humbas në ngjyra, gama, kontraste, gjendje të ndryshme dhe në momente të veçanta të zhytem në kënaqësinë e proçesit piktorik, i cili vazhdon të më japë një kënaqësi të madhe që unë e shijoj shumë.
Si e gjetët publikun pas këtyre 7 vitesh, çfarë ka ndryshuar?
Sigurisht që publiku i arteve pamore sa vjen e reduktohet në Tiranë, por sigurisht që ka një publik të kualifikuar dhe që mund të lexojë në mënyrë më të specializuar dhe ky është publiku që mua më intereson më shumë. Sigurisht që do të doja që skena e artdashësve të artit të rritej e zgjerohej, duke i dhënë mundësinë artistëve të ndanin me ta artin e tyre, sepse tek e fundit kjo është dëshira e çdo artisti që pasi e mbaron veprën, ta ndajë atë me publikun, ta shesë veprën e tij në koleksionistë dhe individë të ndryshëm, duke i dhënë edhe të tjerëve kënaqësi, sepse për mua një vepër e pashfaqur është si një veper që nuk ekziston.
Le të ndalemi pak tek një bashkëpunim që bën bashkë Orion Shimën, Alban Hajdinajn, Ergys Zhabjakun dhe sigurisht Jon Krajën, e galerinë “Gallery 70 of Contemporary Art”. Si lindi kjo ide për të ardhur së bashku në një seri ekspozitash? Sepse duket sikur keni vendosur që, edhe për shkak të hapësirës së ekspozimit që keni, të jeni krejt jo konvencional?
Siç e preka edhe më lart, ky ishte një propozim i Galerisë 70 dhe për arsye se në Tiranë nuk ka galeri që synojnë të ndërtojnë një marrëdhënie midis artistit dhe tregut siç do duhet të kish qenë dhe siç funksionon në të gjitha vendet e zhvilluara të botës, ne e gjetëm të udhës të bëhemi bashkë dhe të ndërmarrim një iniciativë të tillë. Menduam të krijojmë një axhendë ku secili prej nesh të paraqesë projektin e tij personal dhe ta përdorim këtë hapësirë për të ndërtuar një marrëdhënie të munguar mes një galerie dhe koleksonistëve, mes artistit dhe artdashësve.
Meqënëse jemi tek galeria, si është ky raport që sot kanë artistët pamor në Shqipëri me sistemin e galerive, thuajse të padukshme?
Sistemi i galerive nuk është i padukshëm, por është inekzistent,sepse nuk arriti të krijohej në asnjë moment dhe të merrej në konsideratë si i tillë. Mendoj që ai u keqkuptua që në krye të herës ose nga padija ose për hir të një të shkuare komuniste që e shikonte artin si pjesë të propagandës dhe artistin si vegël të saj. Sigurisht që ka pasur përpjekje individuale për të ndërtuar këtë marrëdhënie të munguar mes galerish private dhe tregut, por për një seri arsyesh ato nuk arritën të mbijetojnë. Nga ana tjetër, qendra arti që i ngjajnë OJQ-ve më shumë për të vjelë fonde publike dhe që përdoren për përfitime personale nuk mund ta zëvendësojnë llogjikën dhe përvojën e asaj bote të zhvilluar ku pretendojmë të shkojmë.
Çfarë po ndodh me “Galerinë Kombëtare”, apo më mirë të themi “Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura”? A e dëmton ky projektligj i ri mbi artin, marrëdhënien mes artistëve bashkëkohorë dhe institucionit të vetëm publik të artit në vend?
Mendoj që kësaj pyetje do të duhej t’i përgjigjej drejtori i Galerisë Kombëtare ose Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura, sepse vetem ai mund të na ndriçojë për institucionin më të rëndësishëm të artit pamor në Shqipëri.
Rikthehemi tek “Mes errësirës dhe dritës”, çfarë planesh keni për polumbarin tuaj? Do të lundrojë për diku tjetër, pra të ekspozohet jashtë vendit?
Për momentin do të qëndrojë në Gallery 70.
Mes errësirës dhe dritës
Tablotë e ciklit “Mes errësirës dhe dritës” fokusohen tek një figurë sa njerëzore aq edhe aliene. Një zhytës i veshur me kostumin e palombarit shfaqet në cektësirën e një lumi apo bregdeti në sekuencat e daljes prej ujit. Ai qëndron si personazh i vetëm i tablove të mëdha, ndërkohë që tablotë e vogla kufizohen më tepër me portretin e tij. Natyrisht, nëse mund të bëhet fjalë për një portret, kur shohim thjesht skafandrën që ia mbulon krejtësisht aspektin njerëzor!
Kjo figurë mund të shihet si një rast i përkryer për tu pikturuar meqenëse i paraqet shikuesit gjysma që duhen bashkuar prej tij. Ai është gjysmë jashtë dhe gjysmë brenda ujit (dy botë të ndryshme nga njëra – tjetra) dhe gjysmë njerëzor e gjysmë teknologjik, për shkak të veshjes së ve?antë që e lejon të funksionojë në njërën botë (nën ujë) dhe që e bën të huaj për botën tjetër (mbi ujë). Puna e tij është të nxjerrë nga njëra botë (që nuk e shohim) ‘objekte’ të caktuara dhe t’i ekspozojë ato në dritën e botës tjetër.
“Gallery 70”
“Gallery 70” është një galeri private moderne dhe bashkëkohore, që punon me një grup artistësh të afirmuar bashkëkohorë. Gallery 70 synon të ndërtojë një marrëdhënie afatgjatë me artistët, të jetë komunikuese, ndërkombëtare, shumëdisiplinore, edukuese me fokus në fuqizimin ekonomik të artistëve të saj.
“Gallery 70” është konceptuar jo vetëm si një galeri tradicionale, ku vizitorët mund të zbulojnë artistët dhe veprat e artit në një hapësirë personale dhe intime, por është trajtuar si një instalacion arti në vetvete, ku artdashësi apo kalimtari i rastësishëm mund ta shohë artin e ekspozuar nga jashtë, dhe ta perceptojë të gjithë galerinë si një instalacion arti. “Gallery 70” shndërrohet në këtë mënyrë në një hapësire komunikuese me publikun, duke e bërë përballjen dhe njohjen e artistëve dhe artit bashkëkohor, pjesë të jetës së përditshme të qytetarit.
Një galeri me hapësirë fizike dhe online, e vendosur në zemër të Tiranës, pranë zonës këmbësore, dinamike dhe tërheqëse, që fton qytetarët dhe koleksionistët e artit të zbulojnë, përballen, blejnë ose thjesht ta duan artin!