Mjete të reja për Postën Shqiptare, nga One Telecommunications

Posta Shqiptare shton flotën e mjeteve të shpërndarjes së pakove me 20 motorë të rinj, me eficencë të lartë motorrike, për të minimizuar impaktin në ndotjen e mjedisit. Ky investim i ri ishte rezultat i mbështetjes së operatorit One Telecommunications.

Ceremonia e dorëzimit ndodhi në filialin e Postës Shqiptare, në Vorë. Drejtori Ekzekutiv i One Telecommunications, Emil Georgakiev i dorëzoi mjetet e transportit Drejtorit të Postës, Laert Duraj.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code


Duraj, u shpreh: “ Dua të falenderoj nga zemra z. Emil Georgakiev, në cilësinë e Administratorit të kompanisë One, për ndihmën e çmuar që ajo kompani dhe ai vetë personalisht i kanë ofruar Postës Shqiptare. Bëhet fjalë për 20 motora shpërndarjeje që do t’i shtohen flotës sonë dhe patjetër që do ta bëjnë shërbimin tonë edhe më cilësor. Kjo ndihmë vjen si rezultat i vlerësimit nga ana e kompanisë One i punës së bërë nga ana e Postës Shqiptare gjatë periudhës së pandemisë dhe sidomos për shpërndarjen e pensioneve.”

Besoj që me këtë ndihmë të çmuar, cilësia e punës sonë do të rritet edhe më shumë. Siç e shikoni ajo i shtohet edhe flotës “Go Green” që  Posta Shqiptare ka përfituar nga një projekt cilësor me Zvicrën. Patjetër që do të theksoj edhe faktin që kompania One ka qenë një partner shumë i besueshëm i Postës Shqiptare jo vetëm gjatë periudhës së pandemisë por edhe më parë, pasi nëpërmjet saj ne kemi realizuar një nivel të shkëlqyer komunikimi midis postierëve tanë, klientëve tanë dhe besoj se çdo hap bashkëpunimi i kryer sot dhe në të ardhmen do të shtojë cilësinë e punës dhe shërbimeve të të dy kompanive”- u shpreh z. Duraj.


“Ne në One jemi të përgjegjshëm dhe etikë kundrejt klientëve tanë, shoqërisë dhe mjedisit. Jemi të angazhuar të minimizojmë gjurmën tonë në mjedis. Prandaj, përdorim teknologjitë më të fundit për rrjetin dhe infrastrukturën teknologjike, të cilat janë eficente. Riciklojmë gjithë produktet që gjenerohen nga aktiviteti ynë. Gjithashtu, mbështesim gjithmonë nisma që përmirësojnë hapësirat e gjelbra dhe shtojnë hapësirat rekreative në qytet. Jemi të lumtur që mbështesim partnerë si Posta Shqiptare, sepse kjo na jep vlerë të përbashkët,” u shpreh Emil Georgakiev, Drejtori Ekzekutiv i One Telecommunications.

Posta Shqiptare dhe One Telecommunications shtrihen në të gjithë Shqipërinë dhe shërbimet e tyre luajnë rol kryesor që njerëzit të ruajnë marrëdhëniet e tyre, në distancë. Ajo që nxiti bashkëpunimin mes kompanive ishin vlerat e përbashkëta, duke e parë Përgjegjësinë Sociale si mision afatgjatë që i shërben mirëqenies së shoqërisë.