Arti, e ka përmbushur njeriun në çdo epokë, duke i ushqyer shpirtin dhe mendjen me pasion, ndjesi dhe sigurisht, duke influencuar në jetën e individit. Nga “shënjestra” artit nuk ka shpëtuar as Klara Profka, një e re e talentuar, e cila arrin t’u japë formë ideve të saj artistike. Punime fantastike dhe shumë të veçanta, të krijuara nga Klara, janë tashmë një trend në rrjetet sociale, veçanërisht në Instagram.
Që në vegjëli, Klara ka kultivuar pasionin dhe dashurinë e saj për të bukurën dhe sot, e ka kthyer në një sipërmarrje të suksesshme.
Elegance ka rrëmbyer pak nga koha e Klarës dhe ju sjell një intervistë me artisten e re, e cila adhuron në veçanti artin abstrakt dhe ndikimin e tij në frymëzimin e saj.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Si lindi ideja për një sipërmarrje të tillë?
Në thelb, nuk mund ta quaj një sipërmarrje, pasi ajo çfarë unë bëj është më shumë një dëshirë dhe pasion për të krijuar një produkt kundrejt një çmimi shumë ekonomik.
Kush është i apasionuar pas krijimeve të mia, e përqafon stilin tim dhe sigurisht, është i mirëpritur për porosi. Unë kam ndier dhe do të ndiej gjithmonë lumturi që do të kem një pjesë timen në çdo shtëpi që dekoroj.

Si e definon artin?
Një shumëllojshmëri aktivitetesh njerëzore, krijimesh dhe mënyra shprehish, që përfshijnë muzikën, letërsinë, kinemanë, pikturën, skulpturën dhe artizanatin. Për mua, arti është mënyra si individi e përkufizon botën e brendshme dhe reflekton ndjenjat, pasionet, mendimet, këndvështrimet, etj.
Të gjithë jemi artistë në vetvete, mjafton që ta lëmë veten të lirë dhe të eksplorojmë në pika të ndryshme të atyre që shpesh quhen hobi apo aktivitete të lira.

Çfarë të frymëzon?
Çdo gjë që mund të shoh, prek, shijoj dhe ndiej.
Jam një njeri që mbushem me pozitivitet që në momentin që zgjohem në mëngjes, pavarësisht në çfarë stadi ndodhet jeta ime, qofte ajo e lumtur apo e trishtë, me sfida, sprova, apo lodhje, unë sërish frymëzohem. Vetë jeta është art dhe kjo më frymëzon.

Nga të gjitha lëvizjet dhe rrymat e artit, cila është e preferuara jote?
Përfundimisht, arti abstrakt! Te vejta kam provuar të prek pak nga të gjitha rrymat e artit, por veten e kam gjetur më së shumti tek arti abstrakt, ose siç njihet më së shumti si arti modern ose bashkëkohor.
Në abstrakt, asgjë nuk ngjason me jetën reale. Është stil jo përfaqësues dhe kërkon të arrijë në pikën e tij kulmore, ose në subjektin e tij duke përdorur forma, ngjyra dhe tekstura.
Shpesh thuhet se qëllimi i artit abstrakt është që t’i lejojë shikuesit interpret interpretimin e kuptimit të tij për veten. Në rastin më të keq, arti abstrakt duket si një rrëmujë aksidentale e bojës, e në rastin më të mirë, ka ndikimin e tillë, që të godet që në momentin që e sheh.
Ngjyrat në abstraksion janë ndjenja dhe format janë objekte. Pa më thoni, a është e vërtet që një objekt u përcjell personave të ndryshëm ngjyra të ndryshme?

Çfarë të pëlqen në artin tënd, cila është pika më e fortë?
Pastërtia! Një vepër mund të ketë një ylber ngjyrash, por sërish duhet të jetë një vepër e pastër, të ketë harmoni brenda saj. Pikërisht këtë harmoni, e quaj pastërti. Gjithmonë përpiqem të punoj sa më pastër, në çdo vepër.
Nuk është aspak e lehtë për një artist autodidakt që të punojë me miksimin e bojrave për të arritur një paletë sa më natyrale dhe të vërtetë.
Kur miqtë e mi artistë janë në mëdyshje, i këshilloj gjithmonë mbi veprat e tyre, në mënyrë që ta pëlqejnë atë që krijojnë. Edhe sikur një telajo të ketë thjesht një pikë boje, tregon shumë për artistin.

Cilat janë vështirësitë që ke hasur në Shqipëri kur ke prezantuar sipërmarrjen tënde, por edhe në vijim?
Sot jetojmë në një kohë kur mundësitë për t’u frymëzuar janë kudo, ashtu sikurse edhe mundësitë për të mësuar në mënyrë autodidakte. Ka kaq shumë informacion se si mund të fillosh diçka që e ke qejf, e më pas ta perfeksionosh atë. Personalisht, perfeksioni nuk më pëlqen në asnjë tipar të asaj çka mund të quhet e përgjithshme për njeriun.
Gjithnjë kam synuar të jem e vërtetë, me të mirat e të këqijat, me gabimet e të drejtat, me pro-të dhe kundërshtitë e mia. Duke pasur këtë lloj reflektimi të botës sime, kam gjetur këtë karakter edhe ndaj tregut në Shqipëi. Klientët kanë shije të ndryshme dhe ndonjëherë, është shumë e vështirë të kanalizosh shijet e tye në atë çfarë unë dua të shfaq në veprat e mia, karakterin e artit, por edhe atë që klienti do të shohë në një vepër.
Për ne artistët, çdo vështirësi ka dhe jep pak balsam për artin. Nëpërmjet shijeve të artit, ne njihemi me karaktere njerëzore, krijojmë marrëdhënie, rritemi, dashurohemi e përsosemi.
Ka klientë që e bëjnë shumë të thjeshtë punimin e një porosie, por ka edhe klientë që e vështirësojnë pak procesin. Gjithsesi, klientët e mi ma bëjnë shumë të bukur dhe të rehatshëm të gjithë realizimin e një vepre, ndaj i dua shumë.

E mban mend porosinë e parë?
Porosia e parë nuk harrohet! Është një punim me fije dhe gozhdë për një restorant prestigjoz në zonën e Fierit. Quhet “Toska Fish Restaurant” dhe është shumë i frekuentuar nga të huajt.
Është një punim i llojit abstrakt, gjeometrik. Preferoj ta quaj kështu këtë punim.
E kam shijuar shumë procesin e realizimi të kësaj porosive, madje edhe më shumë kur ndieva se klienti mbeti shumë i kënaqur.

Nisur nga gjykimi yt objektiv, në përgjithësi, si mund të përshkruhet arti në Shqipëri dhe sa të dashuruar jemi ne me artin?
Ne e duam të bukurën, e kemi dashur gjithmonë, edhe atëherë kur dashurinë e dimensionet e artit ishin të kufizuara, ose merrnin formën diktatoriale. Arti është një dimension që duhet shijuar në çfarëdo lloj sistemi që të jepet, pasi ka koordinatat e tij që shkojnë paralelisht me tonat, edhe atëherë kur ne jemi të kithët, sërish e gjejmë një pikëprerje.

Cilat janë reagimet e klientëve të tu?
Pozitive! Ata që më kanë besuar pjesë të dekorit të ambienteve të tyre kanë mbetur realisht të kënaqur dhe gjithmojnë më kujtojnë dhe më përshëndesin. Për mua është arritja më e madhe kur punoj diçka. Është e vështirë të kënaqësh pritshmëritë e çdokujt, por kur arrij të përmbush shumicën e kërkesave, ndiej vlerësim edhe ngaj vetes, të cilën shpesh e përgëzoj, pasi është shumë e vështirë të zbërthesh mendimin dhe ndjenjën e brendshme të çdokujt që kërkon diçka unike për ambientet që klienti kërkon të dekorojë.

A i ka përmbushur sipërmarrja kërkesat e tua?
Kërkesat ndaj vetes janë gjithmonë në rritje, duke u zgjeruar e zhvilluar. Përgjithësisht nuk kënaqem me pak, asnjëherë nuk mjaftohem dhe dua çdo ditë e më shumë. Jam e bindur që edhe shumë të tjerë mendojnë në të njëjtin ritëm dhe linjë si unë.

Cilat janë planet për të ardhmen?
Ajo çfarë dua të realizoj në të ardhmen është një dyqan i vogël, në të cilin të ekspozoj shumë më tepër nga krijimet që gjendjen në dhomën e vogël të apartamentit tim.
Jo çdo punim është i ekspozuar në faqen time të Instagramit, ku ruaj disa kujtime të bukura nga klientë e shpirtra të veçantë, artistë edhe ata.

error: Content is protected !!