Pas një periudhe shumë sfiduese për biznesin dhe shoqërinë në tërësi, të gjithë sektorët dhe bizneset po i kthehen normalitetit. Kjo po ndodh edhe me sektorin e përgjegjshmërisë sociale në One Telecommunications. Për të rritur ndikimin pozitiv në komunitet, gjatë gjashtëmujorit të parë, ONE i kushtoi vëmendje të veçantë nismave të të rinjve për sipërmarrje të reja.
Programi “Shoqëritë e Nxënësve JA 2021”, ideuar dhe realizuar nga Junior Achievement Albania mentoroi dhe stimuloi krijimin e kompanive të nxënësve nëpër disa shkolla të mesme të vendit. Në fund të programit, 16 kompani të krijuara nga vetë nxënësit u prezantuan, vlerësuan, u përzgjodhën dhe pesë prej tyre do mbështeten më tej për t’u zhvilluar. Disa prej ideve lidheshin me turizmin ose me shitjen e sensorëve që lehtësojnë qarkullimin me biçikleta në qytet. Ornela Bego, përfaqësuese e One Telecommunications ishte pjesë e jurisë si edhe përzgjodhi një prej ideve të cilën ONE do e suportojë për t’u zhvilluar.
Programe të tjera për sipërmarrje të reja që ONE ka mbështetur është edhe “Flexible Startup” organizuar nga Ofiçina – Innovation Hub dhe “GROWpreneur” nga Yunus Social Business. Të dy këto programe kanë si qëllim identifikimin, mentorimin dhe këshillimin e projekteve premtuese nga të rinjtë sipërmarrës në fusha të ndryshme si: teknologjia, turizmi dhe biznesi social. Flexible Startup ka zhvilluar 11 javë aktivitete me pjesëmarrjen e 15 ekipeve/ sipërmarrës nga zona e jugut të Shqipërisë. One ka marrë përsipër mbështetjen e 4 seancave në “Digital Marketing dhe E-commerce”, të cilat janë themelore në formimin e sipërmarrësve të rinj dhe orientimit me tregun.
Programi “GROWpreneur” mori përsipër përpunimin e tetë ideve që u prezantuan përpara disa prej përfaqësuesve më të njohur të biznesit në vend.
ONE, si përkrahës i vazhdueshëm i këtyre nismave ishte pjesë e procesit të përzgjedhjes për të mbështetur disa prej ideve, siç janë: edukimi në fushën e teknologjisë, zgjidhje smart për biznesin dhe promovimi i natyrës shqiptare.
Sipërmarrjet e reja dhe inovatore kanë gjithmonë nevojë për dedikim konkret në mënyrë që të rezistojnë dhe evoluojnë për të qenë më vonë një faktor pozitiv ndikimi social dhe ekonomik në shoqëri. One Telecommunications me programin e saj të përgjegjshmërise sociale do të jetë gjithmonë përkrah këtyre nismave.