Ilir Duka, Drejtori Teknik i One Telecommunications na tregon për zhvillimet teknologjike që kompania pati gjatë këtij viti. Pavarësisht kushteve të jashëzakonshme shkaktuar nga pandemia, planet për zbatimin e modernizimit të rrjetit ONE u zhvilluan dhe këtë fundvit, kompania e telekomunikacionit gëzon disa arritje domethënëse, si për vetë operatorin, ashtu edhe për abonentët, përdorues të One.
Në muajin shkurt, ju njoftuat fillimin e modernizimit të rrjetit të One. Gjatë fundit të vitit, shpallët që faza e parë u përmbyll. Në çfarë ndërhyrjesh konsistonte faza e parë?
Po, në muajin shkurt të këtij viti, kompania ONE njoftoi fillimin e investimeve në modernizimin e plotë të rrjetit me një vlerë prej 92 milion Euro.
Faza e parë e këtij investimi u fokusua në zëvendësimin e teknologjisë në atë pjesë të rrjetit që do të sillte një përmirësim të menjëhershëm dhe të dukshëm për përdoruesit e rrjetit.
Kështu, në të gjitha stacionet e rrjetit One, në gjithë vendin u zëvendësuan pajisjet dhe antenat e stacioneve me gjeneratën më të fundit të teknologjisë “Ericsson”, që është lider në prodhimin e pajisjeve për rrjetet celulare.
Gjatë fazës së punimeve intensive, në kushtet e pandemisë që krijoi vështirësitë e veta, përveçse u rinovuan pajisjet, u bë i mundur edhe shtimi i dy shtresave mbulimi me sinjal që nuk ishin më parë, mbulimi 3G në frekuencën 900Mhz dhe mbulimi 4G në frekuencën 800MHz.
Këto kanë shumë rëndësi pasi përmirësuan menjëherë mbulimin me sinjal, si në zonat urbane duke penetruar në thellësi brenda godinave, ashtu edhe duke mbuluar zona të tëra rurale që më parë kishin sinjal të dobët ose mungesë.
Prandaj, sot e themi me krenari që për një kohë kaq të shkurtër, ne arritëm të mbulojmë me sinjal 4G, 98.1% të popullsisë dhe 93.7% të territorit, më shumë se çdo operator tjetër.
Përveç mbulimit më të gjerë, gjatë kësaj faze, arritëm të katërfishojmë kapacitet e mëparshme, duke aplikuar teknologji të tilla si Carrier Aggregation, 4x4MIMO, 256QAM duke bërë të mundur arritjen e shpejtësive maksimale deri në 1.2 Gbps, një realitet që e çon një hap përpara zhvillimin e rrjeteve celulare në Shqipëri, krahasimisht me të gjitha vendet e tjera të përparuara.
Sa faza të tjera do të ketë dhe kur parashikohet të mbarojnë?
Tani jemi në fazën e dytë, e cila konsiston në zëvendësimin e teknologjisë dhe pajisjeve në qendrat kryesore të rrjetit, që përbëjnë rrjetin Core dhe IP Core. Ky është një proces i komplikuar që kërkon kujdes të veçantë sepse edhe nga ana operacionale është i vështirë, pasi duhet të mbahen paralelisht në gjendje pune 100% rrjeti aktual që po hiqet dhe të vihet menjëherë në punë me kapacitet të plotë rrjeti i ri qe po instalohet dhe konfigurohet. Kjo fazë ka filluar tashmë dhe pritet të përfundojë në fund të muajit mars 2021.
Me përfundimin e saj mund të themi që kemi ndërtuar më në fund një rrjet të ri, nga fillimi në fund.
Si do ndjehet ky përmirësim nga përdoruesit?
Është shumë e thjeshtë: mbulim më të mirë edhe atje ku më parë mungonte, biseda pa ndërperje dhe me cilësi më të lartë zëri, shpejtësi më të larta lundrimi në internet dhe jo vetëm, edhe në orare piku, mundësi përdorimi të telefonave të mençur, kudo, edhe në fshatin më të largët, mundësi për të përdorur me sukses produktet më të fundit të operatorit One, si Homenet, i cili siguron internetin fiks të munguar në shumë hapësira rurale të vendit.
Për bizneset gjithashtu, do të jemi një partner i përkushtuar dhe afatgjatë, me produkte dhe mundësi të reja në përmbushje të nevojave të bizneseve. Kështu, vitin që vjen, me përmbylljen e modernizimit, do të aktivizojmë teknologjitë e komunikimit IoT që do të hapë një faqe të re në mbështetjen teknologjike te aplikimeve, si për biznese, ashtu edhe projekteve smart të gjeneruara nga qeverisjet lokale dhe qendrore.
One është cituar nga Departamenti Amerikan i Shtetit që i është bashkuar iniciativës për “Rrjetin e Pastër”, çfarë do të thotë kjo?
ONE Telecommunications është operatori i vetëm në Shqipëri dhe rajon që i është bashkuar tashmë iniciativës së “Rrjetit të Pastër”. Ky është një angazhim për të përzgjedhur, ndërtuar dhe ofruar një rrjet të sigurt 5G për përdoruesit, në kuptimin e sigurisë së informacionit, komunikimit dhe të dhënave personale, duke bërë të pamundur ndërhyrje të jashtme dhe të paligjshme në rrjet.
Konkretisht, ONE Telecommunications ka bërë hapa cilësore në këtë drejtim duke përzgjedhur si furnizues kryesor të pajisjeve të rrjetit të ri One, kompaninë prestigjoze europiane “Ericsson”, me një kontratë furnizimi deri në vitin 2025. Me modernizimin e rrjetit qendror dhe me aplikimin e elementëve të sigurisë në të gjitha sistemet, do të arrijmë të garantojmë nivelin e kërkuar të sigurisë, sipas kërkesave të kësaj iniciative të rëndësishme.