Mund të na risillni në vëmendje fillesat e CRCA/EPCAT Shqipëri?
Thuajse 24 vjet më parë do të krijohej organizata e parë në Shqipërinë post-komuniste për mbrojtjen e fëmijëve, gjë që ishte e padëgjuar më parë. Edhe ne vetë ishim një grupim të rinjsh që sapo kishim mbaruar shkollat e larta, por që e kishim kthyer ndryshimin e gjendjes të të drejtave të fëmijëve në një mision të jetës e të punës sonë. Në atë kohë, fokusi ishte bërja e njohur e faktit që edhe fëmijët kishin të drejta, që ishte një koncept i padëgjuar.
Ndërsa sot flasim të gjithë për të drejtat e fëmijëve – gjë që tregon ndryshimin e madh që ka ndodhur në këtë periudhë kohore. Nëse ka një gjë që na bën krenarë për punën tonë, është pikërisht kjo arritje: kontributi ynë për njohjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve.
Disa momente me rëndësi nga gjithë kjo ecuri?
Pa diskutim që ka! Në 24 vite në jetën e një organizate ka ngjarje e momente me rëndësi që me kohën kthehen në shtyllat e punës dhe arritjeve të saj. Për CRCA/ECPAT këto mund të ndahen në arritje brenda dhe jashtë vendit, të cilat janë të ndryshme. Të gjitha arritjet tona brenda vendit janë të lidhura me ngjarje specifike për të drejtat e fëmijëve në Shqipëri, ndërsa ato jashtë më shumë lidhen me vetë organizatën. Nëse mund të përmend disa nga këto momente të rëndësishme në Shqipëri ato do të ishin: 1998 – jemi organizata e parë që çojmë shqetësimin për trafikimin e fëmijëve nga Shqipëria; 1999 – hapet Zyra e Mbrojtjes Ligjore Falas për Fëmijët; 2001 – falë presionit tonë, arrijmë që të ndajmë të miturit nga të rriturit në burgje; 2002 për herë të parë Shqipëria miraton strategjinë e parë për fëmijë; 2004 – strategjia e parë kundër trafikimit të fëmijëve; 2009 – hapet Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijët (Alo 116-111); 2015 – hapja e Platformës Kombëtare për Sigurinë e Fëmijëve në Internet; 2019 – hapet Qendra Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve nga Dhuna Seksuale (Barnahus Albania); 2020 – hapja e Qendrës Kombëtare për Rehabilitimin dhe Riintegrimin e të Miturve në Konflikt me Ligjin. Në nivel ndërkombëtar, jemi e vetmja organizatë që jemi anëtarë të rrjeteve më të njohura globale për fëmijët dhe mbrojtjen e tyre si ECPAT International, Global Missing Children Network, Eurochild etc.
Si ndikoi periudha e pandemisë në problematikën që ndiqni ju?
Si të gjithë qytetarët shqiptarë, edhe ne u gjendëm për një periudhë të mbyllur dhe pamundësi për të ndihmuar fëmijët dhe ky ishte muaji mars. Më pas, falë ndihmës së partnerëve tanë ndërkombëtarë, përshtatëm të gjitha mjetet teknologjike dhe gjatë prillit, si fillim punuam online, ndërsa që nga maji jemi kthyer plotësisht në zyrë.
Kjo do të thotë se të gjithë fëmijët dhe të rinjtë tanë kanë patur akses të plotë në shërbimet tona, pa asnjë lloj kufizimi dhe më vjen mirë që ndonëse periudha ka qenë tepër e ngarkuar, na ka mbajtur larg ngarkesave emocionale të lidhura me Covid-19. Ajo që vumë re gjatë kësaj kohe ishte rritja e krimeve në internet kundër fëmijëve, duke filluar nga ngacmimet seksuale, dhuna seksuale dhe pornografia, bullizmi, etj. Kemi punuar afër me autoritetet që çdo shkelës të ligjit ta çojmë për gjykim, por në kushtet aktuale ku është Shqipëria, kjo, jo gjithnjë është e mundur. Sidoqoftë, rasti i Babrrusë p.sh. tregoi se bashkëpunimi CRCA-Polici mund të gjejë çdo dhunues fëmije dhe ta vendosë atë para përgjegjësisë së ligjit.
Si ju ndihmon teknologjia në përditshmërinë e punës tuaj?
Ne, si CRCA kemi një histori të gjatë të përfshirjes së teknologjisë në punën tonë për të drejtat e fëmijëve, kështu që kemi një rrugëtim të përbashkët, të gjatë. E kemi filluar në vitin 2008-2009 me ngritjen e Linjës Kombëtare të Telefonit për Fëmijët (ALO 116-111), ku kompania One Telecommunications ka qenë dhe është një ndër bashkëpunëtorët kryesorë. Na u desh të mësonim gjëra të reja në lidhje me telefoninë dhe shërbimet për fëmijët, për të vazhduar më pas me hapjen e Platformës Kombëtare www.ISIGURT.al për denoncimin e çdo rasti ngacmimi apo dhune kundër fëmijëve në internet. Krijuam një aplikacion për celular dhe faqen në web. Kjo kërkonte që ne të kuptonim edhe se si funksionin “bota online” dhe ku mund të ndodhin rastet e dhunës apo ngacmimit të fëmijëve. Kjo na dha mundësi të punojmë me kompani globale si: Facebook, Google apo edhe Amazon, ndërsa në Shqipëri, me disa nga kompanitë kryesore të internetit, si dhe platformat online.
Çfarë bashkëpunimi keni me ONE ndër vite?
Bashkëpunimi ynë është tashmë i sprovuar dhe më vjen mirë që kemi vijuar e vijojmë të punojmë së bashku për mbrojtjen e fëmijëve në Shqipëri. Që prej vitit të largët 2009 kur bëmë të mundur hapjen e ALO 116-111 dhe vendosjen e telefonatave falas për çdo fëmijë kudo në Shqipëri, deri te bashkëpunimi për internetin e sigurt. Ndërkohë që periudha e Covid-19 na dha mundësi që të shtojmë një komponent të ri të bashkëpunimit tonë në mbështetje të fëmijëve të varfër që nuk mund të ndiqnin arsimin online dhe fëmijëve viktima të dhunës seksuale, duke i pajisur ata me mjete për raportim të menjëhershëm të çdo kërcënimi apo ngacmimi. Ka qenë një vit jo i lehtë për të gjithë e megjithatë, së bashku arritëm të gjenim mënyra të reja për të ndihmuar fëmijët. Nisur nga kjo, edhe dhënia e Çmimit Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve 2020 për ONE, nuk ishte rastësore, por një vlerësim për një kompani që i ka vendosur fëmijët në qendër të saj. Unë uroj që ky vlerësim të bëhet një shkak më shumë për ONE që të krijojë një program të përvitshëm të mbështetjes së fëmijëve, sidomos të atyre që nuk kanë akses, për t’i sjellë ata sa më afër arsimit dhe teknologjisë.
Një thirrje për publikun?
Mbroni fëmijët nga dhuna e çdo forme shfrytëzimi, kudo ku ajo ndodh, në internet apo në jetën reale! Nëse ne të rriturit nuk i mbrojmë sot fëmijët, mendoni se si do të jenë ata dhe e gjithë shoqëria nesër.