Të gjithë e njohim Adidas si pionerin e veshjeve sportive dhe krijimeve me shumë stil, të cilat gjithmonë kanë dominuar garderobat e influencerave të modës, por si çdo brand ndërkombëtar, edhe gjiganti Adidas ka njohur disfata të shumta.
Marka Adidas u krijua në vitin 1949 nga vizionari Adolf Dassler, nën logon identifikuese dhe 3 vijat që u panë në jetën publike, stadiume, rrugë dhe shkolla të ndryshme, në të gjithë botën. Sot, kompania numëron rreth 55,000 punonjës dhe është shtrirë në 160 vende anë e mbanë botës dhe sigurisht, një pjesë e konsiderueshme e këtij suksesi i atribuohet Paul Gaudio, dizajnerit të paepur, i cili me ide brilante dhe tejet guximtare doli nga kornizat për ta rikthyer në piedestal Adidas.
Paul Gaudio është drejtori i parë kreativ, i cili paraqiti një plan të mirëmenduar kundrejt Nike, rivalit të përbetuar dhe strategjia e tij duket se funksionoi më së miri. Gaudio kishte një as nën mëngë, teknologjinë, dhe nuk hezitoi aspak ta kthente në favor të Adidas, duke prezantuar pajisje inteligjente, të cilat me shumë zgjuarsi rimorën tregun. Një tjetër bonus ishte bashkëpunimi me Kanye West, i cili diti shumë mirë ta menaxhojë dhe rrisë suksesin e Adidas.
Idetë e Gaudio tashmë janë identifikuese për brand-in gjigant dhe njësohen me suksesin e padisktueshëm, madje shumë shpesh amerikanët janë shprehur se vizionet e tij “duken, ndihen, mbajnë aromën e Adidas”.
Gjermani largpamës zgjodhi të dominonte në tregun më konsumator në botë, në Amerikën e subkulturave dhe diversitetit dhe padyshim, kjo ishte sfida e vërtetë, e cila e afirmoi sensin e tij të suksesit, sepse deri në vitin 2014, Nike kishte “prangosur” 59% të tregut dhe Adidas vetëm 10%.
Por kjo nuk e ndali aspak drejtorin kreativ, i cili bashkëpunoi me kontraversin Kanye West dhe u serviri të rinjve çfarë dëshironin, duke i trajtuar ata si unikë dhe specialë. Çelësi është balanca mes krijimit të veshjeve dhe pajisjeve të veçanta, që marrin vëmendjen dhe shfaqen nëpër billboards dhe të atyre “për masën”. Shumë shpejt, Adidas u përshtat me çdo profesion dhe u kombinua me çdo veshje.
Paul Gaudio është përfshirë me gjigantin e veshjeve dhe aksesorëve sportivë për rreth 20 vite dhe ka kryer funksione të shumta, duke nisur me dizenjimin e produkteve, rolet strategjike dhe marketingun. Duke marrë pak nga të gjitha, Gaudio nisi të zhvillonte “shqisën” e suksesit dhe të hidhte sytë nga e ardhmja dhe teknologjia, njëkohësisht të vendosej në pozicionin e Drejtorit Kreativ, në shtrirje globale.
Sigurisht, përgjegjësia ishte sfiduese, sepse flasim për mbikëqyrjen e 500 proceseve kreative, që nga atletet, dizenjimi, procesi i prodhimit, kategoritë hardware, shitjet, edukimi me bazë dizenjimin, brandimin, etj; ndonëse planet e shefit të ri ishin krejt të ndryshme.
Për të qenë i suksesshëm duhet të guxosh, ndaj hapa të rinj e prisnin Adidas dhe karrierën e drejtorit kreativ.
Me dëshirën për të përmirësuar markën legjendare, por edhe për t’u ardhur njerëzve në ndihmë që të arrinin qëllimet, të ishin të parët, ta kuptonin njëri-tjetrin më mirë, të dukeshin dhe të ndiheshin më mirë, si dhe të monitoronin shëndetin nëpërmjet teknologjisë, Adidas prezanton teknologjinë që vishet dhe që mund të gjurmojë distancën e përshkruar; një prurje e jashtëzakonshme.
E më pas, progresi ishte krejt natyral. Me besimin se teknologjia mund të ndihmojë në përmirësimin e jetesës dhe në ndryshime pozitive të sjelljeve njerëzore, shumë shpejt Adidas përqafoi smartwatch-et, smart balls që ndihmonin futbollistët të stërviteshin, e shumë prurje të reja.
FitSmart ishte një tjetër sukses i shumëpritur dhe nuk është thjesht një pajisje teknologjike që vendoset në kyçin e dorës dhe mat aktivitetin. Është një pajisje e orientuar drejt shëndetit dhe për më tepër, të shpërblen nëse je aktiv. Gaudio krijon për njerëz që nuk janë atletë, por dëshirojnë të ndjekin një jetë të shëndetshme, duke marrë pjesë nëpër sporte të ndryshme. Praktikisht, FitSmart nuk është thjesht një orë inteligjente, as një pajisje gjurmuese, por është një produkt sportiv, i cili e di shumë mirë kur je duke u djersitur në palestër, duke bërë më të mirën, apo duke u relaksuar.
Për të ecur njëkohësisht me teknologjinë, Adidas ka një skuadër digjitale, dedikuar plotësisht sportit. Ekipe teknike, inxhinierë mekanikë dhe elektrikë, punojnë çdo ditë në shërbim të kompanisë për të thyer çdo barrierë mes individit dhe teknologjisë.
Sigurisht, idetë gjeniale të drejtorit kreativ të prestigjozit Adidas ndihen edhe në dizenjot e atleteve dhe të veshjeve sportive. Ai mendon se nuk ka dasi të dukshme mes veshjeve sportive, atyre të përditshme dhe atyre “high class” dhe kjo u bë e dukshme që në epokën e viteve ’70, ku njerëzit kombinonin xhinset me Adidas, por edhe sot që shohim fustane saten me StanSmith.
Gjithsesi, Adidas qëndron besnike e sportit, sidomos tani që kultura e sportit influencon modën. Përsa i përket planeve të së ardhmes, Paul Gaudio, shumë diskret, na përgatit për ndryshime radikale dhe jo, nuk e ka fjalën për atlete që do na çojnë në hapësirë.
Asgjë nuk e ndal Adidas, nën idetë brilante të Paul Gaudio.