Ekziston një vend në Tiranën tonë të vogël i cili i dedikohet plotësisht artit, në të gjitha shfaqjet e tij të jashtëzakonshme, me qëllimin kryesor: ta afrojë publikun me pikturën, qeramikën, skulpturën dhe të gjitha dimensionet e artit. Ky vend ka trajtën e një galerie të mirëfilltë dhe mban emrin galeri “E.Rira”, ku të gjithë artistët e familjes së madhe Rira, jo vetëm kanë trashëguar genin e të krijuarit art, por edhe i kanë dhënë firmën një galerie të kompletuar, me vendndodhje në Komunën e Parisit. Të gjitha veprat e artit që ju dëshironi realizohen mrekullisht, me shumë përgjegjësi dhe me dedikimin maksimal të stafit të galerisë. Elegance ka arritur t’i rrëmbejë pak nga koha e tij kreatorit të galerisë, Z. Edmond Rira, i cili me shumë modesti u është përgjigjur pyetjeve mbi galerinë dhe jetën artistike të saj, e cila gjallon në jetën e kryeqytetit për më shumë se 2 dekada.
Fillimisht, hapësira krijuese është projektuar në formën e një studioje artistike, e cila daton në vitin 1997, vit tejet i vështirë për Shqipërinë, por është dëshmia konkrete që mes luftës lulëzon shpresa dhe arti. Për një kohë relativisht të shkurtër galeria (asokohe studio) ka marrë përmasat dhe shprehinë e duhur, duke përmbledhur shumë punime dhe duke falur art në hapësira të ndryshme. Sot, galeria “E. Rira” numëron një numër të madh ekspozitash, admirimin e artistëve shqiptarë dhe të huaj dhe sigurisht, një sukses të jashtëzakonshëm. E kërkuar nga hotelet, zyrat, restorantet dhe hapësira të tjera, galeria ka arritur të përmbushë në mënyrë të përkryer të gjitha kërkesat e klientëve të saj. Dekadën e fundit, galeria është fokusuar edhe në krijimin e artit për arredimin e shtëpive, duke i dhënë një tjetër dimension dhe prekje artistike interiorit dhe ambientit të shtëpisë.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Galeri “E. Rira” ka lindur në një kohë kaotike për Shqipërinë. Sa e vështirë ishte të bëje art në një kohë tejet të trazuar?
Sigurisht, koha ishte e trazuar dhe ka qënë e vështirë, por ishte një veprim guximtar dhe tepër me vend. Të afërmit dhe njerëzit përreth më konsideronin si të çmendur duke u çuditur në fakt, por vendosa të krijoja një hapësirë që deri asokohe në Shqipëri nuk ishte ideuar, as menduar. Duke qënë gjithashtu se e njoh shumë mirë artin, pikturën, qeramikën gjithashtu, e kisha më shumë idenë si do të funksiononte puna dhe procesi i krijimit dhe prodhimit. Më pas, galeria mori një formë tjetër, duke qenë se edhe motrat dhe vëllezërit ndoqën rrugën e artit dhe mban kontributin dhe firmën e të gjithëve.

Si lindi si ide krijimi i një studioje që i referohet artit?
Në fakt, çdo sudent i Akademisë së Artit e ka pasur si mundësi të ketë një studio ku të krijojë. Kishe hapësirën tënde ku ti frymëzoheshe dhe paraqisje krijimet e tua. Më pas kjo të kthehet në një mekanizëm pune, në një rutinë të kënaqshme ku ti kërkon gjithmonë oazin tënd dhe hapësirën për të krijuar. Ato vite në Tiranë, unë nuk kam pasur mundësinë të kisha një shtëpinë time, ndaj mora me qira një studio të vogël të “Shallvaret”. Atje fillova të krijoja punime në qeramikë. Studio ishte e hapur gjithmonë, kushdo mund të vinte dhe të shikonte procesin e punës, ndaj mendoj se kjo i ka afruar njerëzit drejt studios sime dhe mbi të gjitha drejt artit. Ata shikonin punën time, të gjithë procesin dhe e konsideronin artin ndryshe, me një sy tjetër dhe mendonin për artin. Më pas kam luajtur shumë role jo vetëm në krijimin e artit, por edhe më pas. I kam krijuar një hapësirë speciale blerësve, disa lehtësira që besoj se nuk ua ka ofruar asnjë artist në Shqipëri, marr shembull: u kam shkuar edhe në biznesin e tyre, për të parë ambientin, ngjyrat e duhura, mënyrën si ta kombinojnë pikturën ose skulpturën me ambientin. Më pas një tjetër “risi” që kam aplikuar është se mund ta ndryshojnë produktin që kanë blerë të ne më një tjetër me të njëjtin çmim. Kjo i jep shumë siguri, garanci dhe e afron shumë blerësin, pasi unë mbaj përgjegjësi për veprën edhe pasi e kam shitur atë.
Historia e studios në fakt ngjason me një film të mirëfilltë, pasi normalisht nuk ka qënë e lehtë, por dedikimi 100% për të arritur synimin dhe për ta sjellë në një trajtë dinjitoze mund të them se është shpërblyer. Praktikisht kam jetuar në studio dhe u bë një pjesë e pandashme e jetës sime. Ngadalë, u shtuan porositë nga klientët, kërkesat ishin të shumta dhe hapësira ime e punës e kishte të pamundur ta suportonte diçka të tillë. Paraprakisht i kisha marrë masat dhe kisha blerë galerinë e sotme, pasi edhe kushtet ishin të tilla që do të pasonin me mbylljen e studios së atëhershme. Gjërat fatmirësisht ecën shumë mirë dhe galeria e sotme është një histori suksesi, e cila shumë shpesh ka shërbyer edhe si një pikë referimi e artistëve të rinj, të cilët promovojnë edhe ndonjë libër të ri, madje ka shumë kërkesa edhe për ta rezervuar në ditë të veçanta si një ekspozitë e një artisti i cili do të ekspozojë punimet e tij.

Galeria “E. Rira” numëron një numër të madh ekspozitash brenda dhe jashtë vendit, në Greqi, Bullgari, Rumani etj, a keni në program zhvillimin e një ekspozite të re?
Në fakt më vijnë shumë shpesh ftesa për të marrë pjesë në ekspozita të shumta, veçanërisht një interest tejet i madh për të promovuar punimet jashtë vendit dhe duke qënë se janë të shumta, gjithmonë i shqyrtoj. Të marrësh pjesë, ose të çelësh një ekspozitë kërkon shumë impenjim pasi realisht lë gjithçka që ke në dorë dhe dedikohesh që të servirësh më të mirën për publikun. Kam marrë pjesë në disa ekspozita, përmend këtu Kopenhagen e Nju Jork, të cilat janë ekspozita personale me një numër të madh krijimesh dhe pjesëmarrje në Paris, Hamburg, githashtu në vendin tonë. Ekspozita për vitin jubilar të Shqipërisë rezultoi e suksesshme, pasi aplikuam një metodë të re dhe shumë efektive. Përgjithësisht ekspozitat në Shqipëri mbledhin artistët, të cilët ndoshta anashkalojnë veprat për të biseduar me njëri-tjetrin, ndaj ne e ndamë ekspozitën në ditë të ndryshme, ftuam grupe të ndryshme artistësh, gjithashtu servirëm verë të mirë dhe një ambient që i afrohej shumë kulturës sonë shekullore, vajza të veshura me kostume popullore dhe u përpoqëm që artistët të fokusoheshin edhe te ambient i krijuar, edhe te galeria, por edhe te veprat.
Edhe ekspozita për ditën e Artit ishte mjaft e suksesshme, sepse konsistoi edhe me dëshirën e madhe të stafit për të festuar 2 dekada pranë shqiptarëve, me lodhjen dhe kënaqësinë që sjell arti. Bëmë kërkimet e duhura dhe pamë që nuk kishte asnjë event të tillë atë ditë, ndaj krijimi i ekspozitës zgjoi interes dhe mori vëmendjen e duhur, jo vetëm të artistëve tanë, por edhe të artistëve të huaj. Në fakt, nuk jam një admirues i ekspozitave, pasi mendoj se një galeri e hapur gjithmonë është ekspozimi më i mirë i punimeve të një artisti. Gjithsesi, në plan kemi çeljen e dy ekspozitave të reja, duke qënë se ka pasur kërkesa të shumta për vizatimet e mia. Ekspozita e dytë i dedikohet vëllait tim, Ajet Rira, i cili realizon fotografi artistike nudo shumë të veçanta. Gjithçka do marrë kohën e duhur në mënyrë që të realizohet në perfeksion, pasi unë gjithmonë kam qenë i mendimit se një sipërmarrje duhet të kryhet në mënyrën e duhur, për të arritur rezultatet më të mira.

 

Padyshim galeria ka një sukses të jashtëzakonshëm, por a e keni menduar zgjerimin e saj në hapësirë, ose krijimin e një linje të re?
Ëndrra ime është krijimi i një galerie në Evropë! Faktikisht, kur kam jetuar në Nju Jork më është propozuar si mundësi, bëhet fjalë për 10 vite më parë, por për arsye të ndryshme u ktheva në Shqipëri. Sigurisht, mundësia ekziston ende, por jo në të njëjtën formë si asokohe. Në fakt, në Gjermani, saktësisht në Dusseldorf Neuss kemi 4 vite e pak që kemi hapur një galeri e cila prezanton punët tona dhe mendojmë se është në rrugën e duhur. Për të kanë shkruar edhe mediat gjermane, “TopMagazine” është njëra prej tyre.

Leave A Comment

Your email address will not be published.

error: Content is protected !!