Në kuadër të nismës “Rrjeti i Pastër”, Telekom Albania është cilësuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit si “Kompani e Pastër”, duke i dhënë kështu Shqipërisë statusin e vendit të parë në rajon që i bashkohet kesaj nisme.
Telekom Albania është kompania e parë në vend dhe rajon dhe ndër të parat kompani në Europë, e cila cilësohet si një “Kompani e Pastër Telekomunikacioni”, përkrah kompanive të tjera si “Orange” në Francë, “Telefonica” Spanjë dhe Gjermani, “O2” në Britaninë e Bashkuar, “Tele2” në Estoni e disa të tjera.
Nisma “Rrjet i Pastër” është një përpjekje gjithëpërfshirëse për të vendosur standarde të pranuara ndërkombëtarisht për një internet të sigurt global dhe për mbrojtjen e transmetimit të thirrjeve dhe të dhënave përmes rrjeteve të komunikimit.
Përgjatë këtij viti, Telekom Albania po kryen një investim prej 92 milionë euro duke sjellë risi në programet e telekomunikacionit, me qëllim zëvendësimin e të gjithë pajisjeve të rrjetit me teknologjinë më të re nga kompania e njohur “Ericsson”.
Në këtë mënyrë, qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të përfitojnë nga një prej rrjeteve më moderne të telekomunikacionit, të ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare të sigurisë. Rrjeti i ri i Telekom Albania operon aktualisht në Tiranë dhe Elbasan dhe ofron thirrje pa ndërprerje dhe internet me shpejtësi shkarkimi mbi 200 megabits. Deri në fund të vitit, i gjithë territori i Shqipërisë do të mbulohet plotësisht me rrjetin e ri.
Elvin Guri, aksioner i Telekom Albania u shpreh se “Siguria është një zgjedhje dhe angazhim i padiskutueshëm për ne. Besojmë se, si një vend anëtar i NATO-s, Shqipëria duhet të ketë mundësinë që të ofrojë rrjetin më të sigurt të mundshëm për qeverinë, ushtrinë, policinë, si edhe për misionet diplomatike të shteteve partnere. Ne kemi bërë një investim të tillë që Telekom Albania ta ofrojë këtë siguri për vendin. Jemi të vendosur që ta mbështesim vendin për të qenë një partner i besuar për Shtetet e Bashkuara, në pararojë për komunikimin e sigurt në të gjithë rajonin”.
Drejtori Ekzekutiv i Telekom Albania, Emil Georgakiev, theksoi gjithashtu se “Jemi krenarë qe jemi vlerësuar si Kompani e Pastër Telekomunikacioni, shqiptarët do të kenë përfitime prej kësaj nisme”.
“Rrjeti i Pastër” është një shteg komunikimi nga fillimi në fund i cili nuk përdor pajisje transmetuese, kontrolli, kompjuterike, apo ruatjeje nga kompani teknologjike të pasigurta.
Ky shteg përdor standardet më të larta të sigurisë, kundër aftësisë së kompanive që paraqesin rrezikshmëri të lartë për të çorganizuar, manipuluar apo për t’i mohuar shërbime individëve privatë, institucioneve financiare, apo infrastrukturës kritike.
Për më shumë informacion rreth kësaj nisme, vizitoni faqen https://www.state.gov/the-clean-network/.
Për më shumë informacion rreth Telekom Albania vizitoni www.telekom.com.al.