Punimi në tezgjah është një zakon i hershëm e kulturës sonë. Rikthimi tek identiteti nuk është i panjohur për ne dhe disa qendra shërbejnë jo vetëm si një oaz ku mund të gjeni krijime fantastike, ku ndërthuret mjeshtërisht tradita dhe e reja, por njëkohësisht luajnë dhe role të rëndësishme në fuqizimin ekonomik dhe social të grave.
Pikërisht, një prej këtyre sipërmarrjeve është edhe “Qendra e Artizanatit Lezhë – Artistike Zadrima”, e cila me iniciativën e Znj. Tereza mban gjallë traditën dhe ofron krijime të mrekullueshme.
Punishtja juaj është ngritur në vitin 1993 dhe ende vazhdon të jetë një sipërmarrje e suksesshme duke sjellë gjithmonë krijime kreative. Si ka lindur si ide?
Punishtja është formalizuar në vitin 1993 vërtet, por puna mbi të cilën është ngritur është një traditë qindravjeçare që karakterizon zonën e Zadrimës. Tezgjahu është përdorur që në mesjetë pothuajse në të gjithë Shqipërinë, ashtu si edhe në shumë vende të botës si një mjet për të prodhuar pëlhura. Secila zonë ka karakteristikat e saj të punimit, por motivet e Zadrimës kanë qenë dhe janë të një larmie të veçantë. Zonja Terezë, themeluese e qendrës sonë, ishte një ndër gratë që e kishte të trashëguar nga nëna e saj zanatin e tezgjahut. Në një mënyrë rastësore puna e saj tërhoqi vëmendjen e misionarit italjan Don Antonio Sciarra. Nëpërmjet donacioneve ai siguroi një godinë të vogël në të cilën Tereza bashkë me disa gra të tjera, nisën të punonin duke ngritur kështu punishten e parë të punës me tezgjah.
Cili është rrugëtimi që ka përshkruar nga një traditë unike, në një sipërmarrje që gjeneron të ardhura?
Qëllimi është që prodhimi i pëlhurës dhe artikujve artizanalë të fillojë të dalë në treg. Blinishti ishte një fshat i vogël, Don Antonio dhe vullnetarët italianë të cilët vinin herë pas herë ishin blerësit e parë të këtyre produkteve. Gradualisht duke qënë ndër të parat punishte të kësaj natyre, tërhoqi vëmendjen e mediave dhe klientela nisi të rritej. Emigrantët që ktheheshin herë pas herë na vizitonin për të gjetur dhurata për miqtë e tyre, të një produkti autokton shqiptar.
Si funksionon punishtja e Artizanatit? Gratë shesin produketet e tyre apo janë të punësuara nga ju?
Baza e pëlhurës me të cilat ne krijojmë edhe artikujt e ndryshëm, është e punuar me tezgjah dhe me dorë. Gratë me të cilat bashkëpunojmë, dinë ta përdorin mirë tezgjahun. Disa nga ato e kanë në shtëpi dhe disa të tjerave ua kemi dërguar ne. Puna fuksionon si zinxhir, ku Tereza bashkë me bashkëpunëtoret ideon modelet, ngjyrat, cilësinë e fijes e me radhë, duke i furnizuar edhe më lëndën e parë që janë fijet e ndryshme të perit. Gratë punojnë pëlhurën në shtëpitë e tyre sipas orareve dhe mundësive që ata kanë dhe në bazë të sasisë së prodhuar, bëhet edhe pagesa. Ka gra të cilat bashkëpunojnë me qendrën që nga viti 1995.
Ju bëni një ndërthurje interesante mes traditës dhe modernes. Si është përqafuar kjo nga klientët tuaj?
Klientët janë këshilluesit tanë më të mirë, në bazë të kërkesave dhe shijeve të tyre orientojmë edhe ne punën tonë. Sikurse thamë, baza ngelet prodhimi me dorë dhe motivet artizanale, kjo është ajo dhe çfarë e bën të vecantë punën tonë. Prezanton një aspekt të rëndësishëm të kulturës së rajonit dhe trashëgimisë kulturore të vendit tonë. Pëlhura e prodhuar me tezgjah punohet përsëri në punishte ku dhe prodhohen artikuj të ndryshëm për tregun, të cilët janë edhe të veçantë në llojin e tyre, por edhe funskionale. Pra një çantë me motivet e Zadrimës nuk është një produkt që e gjen kudo. Kombinimi i ngjyrave nuk ka kufi në traditën dhe fantazinë tone dhe kjo i bën këto produktet të përshtatëm në çdo kohë dhe ambient.
Ju shërbeni si një mbështetje shumë e fuqishme për gratë e zonës së Lezhës duke i fuqizuar ato dhe duke iu siguruar të ardhura. Si ndikon kjo në motivimin tuaj?
Sikurse dhe e shpjegova, puna jonë është një punë që kërkon një sinergji të veçantë. Secila grua ka një rëndësi të barabartë në çuarjen përpara të aktivitetit. Me vitet, kemi parë dhe gëzuar së bashku benefitet duke u ndjerë si një familje. Është një punë që të lejon të hysh në shtëpitë dhe në ato familje ku nuk ka asgjë më shumë veç dëshirës për të punuar. Kur sheh që ndihmon sadopak jo vetëm ekonomikisht, por edhe në motivimin e grave, duke i përfshirë dhe duke i bërë të ndihen pjesë të kësaj familjeje që krijon një art më vete, motivimi dhe kënaqësia vijnë natyrshëm.
Cila janë planet mbi të ardhmen? Do të zgjerohet punishtja e Artizanatit duke qenë se puna me tezgjah është një traditë e përhapur në të gjithë vendin.
Në vitin 2005 jemi transferuar në qytetin e Lezhës dhe që atëherë qendra ka marrë një vizibilitet më të madh. Duke qënë se puna jonë u vjen në ndihmë shumë grave në nevojë, të cilat për një arsye apo tjetër nuk kanë pasur mundësi të arsimohen siç duhet apo të marrin një profesion, është parë nga shumë institucione apo organizata si një aktor i rëndësishëm për të bashkëpunuar.
Edhe këtu, kemi patur fatin të bashkëpunojmë me At. Antonio Leuci, drejtori i “Caritas Shqiptar”, i cili nëpërmjet projekteve zhvillimore, ka mbështetur jo vetëm qendrën tone, por ka ndikuar që kjo punishte të ofrojë kurse të ndryshme profesionale në tezgjah dhe rrobaqepësi, duke u bërë një qendër me rëndësi të veçantë për zhvillimin dhe mbështetjen e grave.
Qysh në themelimin tonë, inovacioni, kërkimi i të rejave dhe gërshetimi i modernes me tradicionalen kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë pika themelore. Për këtë kohët e fundit kemi hapur edhe një ecommerce tonin (www.artistikezadrima.al) ku ofrojme produktet e përpunuara në të gjithë Shqipërinë, gjithashtu me kanalet sociale dhe kontaktet e krijuara ndër vite, jemi gjithmonë në kërkim të bashkëpunimeve cilësore që sjellin në treg produkte të veçanta që respektojnë traditën dhe e çojnë këtë në nivele të larta estetike.