Catherine Wethington është një soprano mjaft e njohur në Amerikën e Veriut dhe Evropë. Fuqia e saj vokale, finesa dhe dramaticiteti në performancat e saj janë thjesht mahnitëse. Ajo do të vijë në Shqipëri, për të performuar në eventin e “Tre Tenorëve për Nënë Terezën”, që do të zhvillohet më 19 tetor, në Qendrën Kulturore të Katedrales së Kishës Ortodokse, në kryeqytet.
Catherine, faleminderit për këtë intervistë me revistën Elegance. Ç’të sjell në Shqipëri?
Faleminderit ty! Në Shqipëri më sjell fakti që po marr pjesë në eventin “Tre Tenorët për Nënë Terezën”, i organizuar për të kremtuar 20-vjetorin e lumturimit të saj. Koncerti do të zhvillohet më 19 tetor, në Qendrën Kulturore të Katedrales së Kishës Ortodokse në Tiranë. Ne do të performojmë disa pjesë të ndryshme operistike, ndaj të gjithë duhet të vijnë!
Nënë Tereza është simbol i punës së saj humanitare dhe dhembshurisë. Si të frymëzon jeta dhe kontributi i saj?
Trashëgimia e Nënë Terezës në shërbim të paqes është prova se dashuria dhe dhembshuria mund të kenë një ndikim solid dhe të jashtëzakonshëm në ndihmën ndaj njerëzve në nevojë. Jeta dhe shërbimet e saj, sigurisht, më kanë frymëzuar. Brenda komunitetit tim, unë punoj me të rinj anëtarë të kishës për të ndihmuar njerëzit që nuk kanë mundësi të sigurojnë ushqim dhe besimi im shërben si udhërrëfyesi im në këtë përpjekje, njëjtë siç bëri besimi për Nënë Terezën.
Cilat janë pritshmëritë e tua sa i përket publikut shqiptar? Si do e presë performancën në nderim të Nënë Terezës?
Unë besoj se muzika ka fuqinë të na lidhë dhe shpresoj që njerëzit në publik të ndihen më të lidhur me njëri-tjetrin dhe me komunitetin e tyre, pas koncertit. Jam e nderuar që do të këndoj “Himnin për Nënë Terezën”, i kompozuar nga Lorenc Antoni dhe Genc Tukiçi. Kjo është një vepër shumë speciale dhe e di që do të na frymëzojë për të treguar dashurinë dhe dhembshurinë ndaj të tjerëve.
Mund të na thuash diçka rreth sfondit tënd në fushën e muzikës? Cili ka qenë rrugëtimi yt për t’u bërë një soprano profesionale dhe e mirënjohur?
Unë kam lindur në një familje që adhuron muzikën. Ime më është këngëtare dhe vëllai, perkusionist. Muzika e mbushte shtëpinë tonë. Në moshë të re, kisha pasion këndimin dhe ndërkohë që rritesha, ime më më merrte me vete në leksionet e muzikës. Më pas, studiova për muzikë ndërsa ndiqja studimet në univeristet. Fillimisht, në “University of Michigan” dhe më vonë, në “Catholic University of America”, ku përfundova masterin dhe doktoraturën në performanca vokale.
Që në moshë të re, pata fatin të performoja në koncerte, recitale dhe opera dhe vijoj të bëj të njëjtën gjë në Amerikën Veriore dhe jashtë kufijve të saj.
A është kjo vizita e parë në Shqipëri? Nëse jo, kur ke qenë më parë?
Në fakt, kjo është hera e parë në Shqipëri, që prej vitit 2019 dhe hera e katërt që performoj. Në vitin 2019, isha me fat që u ftova për të performuar si pjesë e “KosovaKammerfest”, “Skupi Kammerfest” dhe festivali muzikal i “Arte Foundation”.
U riktheva në korrik të vitit 2022, për koncertin e “Derek Han Memorial”, ku performova në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe me Orkestrën Simfonike. Marsin e kaluar performova dhe mora Çmimin e Këngës në Konkursin e Operas “Marie Kraja” dhe jam shumë e lumtur që do të rikthehem, pasi Shqipëria është një vend fantastik.
Në aspektin personal: Cila është origjina jote, ku jeton dhe performon?
Kam lindur dhe jam rritur pranë Washington DC dhe ai është vendi të cilin vijoj ta quaj shtëpinë. Jam lumturisht e martuar me bashkëshortin tim, Henry dhe sapo kemi festuar 5-vjetorin e martesës sonë. Kemi dy qenushë, Hunter dhe Jack dhe jemi shumë fatlumë që familjet tona jetojnë pranë nesh.
Sa i përket performancave, performoj kudo ku mundem! Kam performuar në shumë vende të ndryshme, duke përfshirë: Shtetet e Bashkuara, Kanada, Mbretërinë e Bashkuar, Italinë, Greqinë, Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Mund të ndash me lexuesit tanë planet dhe projektet për të ardhmen?
Kam disa projekte emocionuese gjatë këtij sezoni, përfshirë koncerte dhe disa bashkëpunime. Jam e lumtur që do të performoj në rolin e Amina në “La Somnambula” këtë maj, në qytetin tim me operën Bel Cantanti.