Uji i Ftohtë Tepelena ka festur këtë fund maji 20 vjetorin e daljes së tij në tregun shqiptar. Me këtë rast pranë ambjenteve të stabilimentit të kësaj kompanie në qytetin e Tepelenës u zhvillua një ceremoni festive ku morën pjesë përfaqësues të biznesit shqiptar e të huaj, artistë e personalitete të jetës publike, perfaqësues të qeverisë shqiptare, kryetari i Bashkisë së Tepelenës e mjaft bashkëpunëtorë të kompanisë në vete. Ata u pritën nga themeluesja e kësaj kompanie Znj. Cristina Busi Ferruzzi, dhe bashkëpunëtorët e saj më te ngushtë në këtë rrugëtim, Luciano Cirillo, Luca Busi etj.
Në përshëndetjen e saj për të pranishmit Znj. Busi theksoi aventurën e madhe dhe sfidën e krijimit të kësaj kompanie në një vit të vëshrirë si ai i 97, ku për Shqipërinë ishin pothuajse inekzistente investimet e huaja. E megjithatë, me pasionin e madh për vendin tonë dhe dashurinë e mbështetjen e familjes së saj, ajo ja arriti ta kthente këtë investim në një prej kompanive më të rëndësishme në këtë fushë në vend.
“Më quajtën të çmendur kur ju tregova për investimin që kisha ndërmend të bëja këtu, në tokën e lashtë të Ali Pashait. Por më mbështetën në këtë sfidë timen të re. Sot jam e lumtur kur shoh se ku jemi e si ja kemi dalë mbanë të jemi lider në tregun shqiptar, pasi dhe ne vetë ndihemi qytetarë Shqiptarë. Ali Pashai nga lart na mbron në këtë ndërmarrje, dhe ne jemi krenarë kur shohim çfarë kemi krijuar këtu dhe planet për të ardhmen.”
Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë, Luca Busi tha për të pranishmit.
“Me kënaqësi të madhe ndajmë me ju një përvjetor të madh, 20 vite të kompanisë Uji i Ftohtë Tepelena në tregun shqiptar. Kompania jonë është rritur vit pas viti me ambicjen dhe dëshirën për tju sjellë shqiptarëve një ujë të veçantë mineral me cilësi të jashtëzakoshme dhe me emrin e një të vjetër e të bukur si Tepelena. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë konsumatorit tonë, duke punuar me risi dhe produkte si dhe me ambicjen për të shtuar tregje të reja ndërkombëtare nëpërmjet eksportit”
Të pranishmit në këtë 20 vjetor shijuan më pas guzhinën tradicionale të Tepelenës dhe ndoqën performancën e grupit isopolifonik të këtij qyteti.
Comments