Viktor Ferraj: Artisti humanist

Forma me të cilën prezantohet mund të përkufizohet lehtësisht si klasike post moderne, sepse një artist i kohës së sotme, i cilësdo rrymë a medium jeton kohën e vet. Mes kësaj rryme, ndalesa parësore e Viktor Ferraj është figura njerëzore, në fokus të të gjithë zhanreve artistike, nga piktura, tek skulptura, qeramika,etj. Ngjan se gjithçka është një vërtetësi ndjenjash, që artisti i materializon mandej në punime artistike individuale, plot vlera. Paleta e pasur kromatike, nis e çlirohet gradualisht nga format e rënduara, duke krijuar kushte dhe atmosferë artistike të favorshme, ngasje për të cilën ai ka investuar bindshëm ndër vite. Linja të pikturuara me ngjyra të forta, dhe evidentuese, duke krijuar hapësira të volitshme drejt një perspektive të caktuar. Tablo, imazhe njerëzore që transmetojnë gjendje dhe konkluzione artistike, të cilat përcillen mjeshtërisht nga piktori Viktor Ferraj në ekspozitat e njëpasnjëshme të tij, si ato individuale, ashtu edhe kompeticione artistike ndërkombëtare.

Ekspozita “Udhët 4”, ku gërshetimi i zhanreve të ndryshme të artit figurativ, nga piktura, tek skulptura, tablotë, fotografitë bën bashkë disa nga artistët dhe emrat më të njohur të artit në Shqipëri. Na flisni pak më shumë rreth krijimeve me të cilat u prezantuat?
E vërteta është që ka disa vite që jam prezent në Shqipëri pasi punoj si pedagog pranë Universitetit të Arteve, ndërkohë gjatë këtyre viteve jam përpjekur të jem aktiv për sa i përket aktiviteteve artistike domethënë ekspozitave kolektive të realizuara në FAB tek galeria Kalo etj. Për sa i përket ekspozitës kolektive “Udhët 4” u paraqita me një skulpturë në qeramikë, të titulluar “Disku”. Është një figurë portret në reliev që i brendashkruhet një forme të përgjithshme ovale, figura krijon një lloj paralelizmi me imazhin ikonografik të shenjtit në pikturën mesjetare ku aureola apo forma ovale bëhet pjesë e portretit domethënë shkrihet me të e gjitha kjo stilistikisht dhe plastikisht e dhënë në formën e një relikeje apo mbetjeje arkeologjike. Një lloj alegorie midis një figure shpirtërore ,etere dhe anës materiale të konsumuar nga koha.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Si është zhvilluar ndër vite stili juaj i krijimeve artistike nga piktura, skulptura, teknika mikse, etj?
Jo rrallë ndodhem të vështroj punët e mia të hershme nëpërmjet fotove të stampuara, katalogë të vjetër deri te fletë të zverdhura të vizatuara në periudhën e universitetit dhe pas tij, këto imazhe kanë vlerën të të zgjojnë bashkë me nostalgjinë e pashmangshme dhe idenë e një kontrasti vlerësimesh. Nga njëra anë të duken të dobëta, të pa përpunuara, naive, nga ana tjetër vështron në to diçka që me kalimin e kohës mund të ketë humbur ose pjesërisht e spostuar në vetëdijen tënde dhe që presin vetëm momentin të vijnë në sipërfaqe. Është fjala për gjenuinitetin, pafajësinë ,natyrshmërinë. Ju do të thoni ç’lidhje kanë me stilin dhe me evolucionin e tij, por është pikërisht aftësia për të parë qartësisht dhe me sinqeritet në qelizat e krijimtarisë tënde sidomos asaj të hershme që përcakton një rritje stilistike të shëndetshme, të natyrshme dhe mbi të gjitha autentike. Në krijimtarinë time kam lëvruar pa u preokupuar që nga vizatimi i thjeshtë mbi letër, skulpturën mbi dru, teknika të grafikës mbi dru, xham,bakër dhe shumë materiale të tjera shpesh të provuara në mënyrë eksperimentale, shpesh këto teknika grafike kanë qenë përzier dhe me teknikën e vizatimit dh sidomos të pikturës me vaj ose akrilik mbi sipërfaqe mikse. Ky lloj kursi ka prodhuar me kalimin e viteve një vepër mikse ndërtuar me materiale të ashtuquajtura të varfra, letër, stuko, pluhur druri,stof, ngjitës të ndryshëm ,të gjitha këto të finalizuara për të krijuar sipërfaqe të sheshta apo në reliev mbi të cilat përcillen me mjetet e vizatimit apo të pikturës imazhet e zgjedhura nga unë në një lojë iluzive dhe tre dimensionale. Pjesën qendrore të krijimtarisë time e zë skulptura në qeramike  apo gres, pikërisht në këtë material të vyer me mjete ekspresive të jashtëzakonshme, mu dha mundësia në Itali ta njihja, ta punoja dhe të eksperimentoja në baltërat e pjekura në temperaturat e larta, mbi 1200 gradë. Janë një numër i madh punësh, cikle të ndryshme në këtë material që kanë themeluar, përfaqësuar dhe prezantuar në një numër të madh ekspozitash nga viti 1992 deri me sot.

Çfarë specifikisht ju udhëheq në artin figurativ që ju lëvroni?
Unë operoj shpesh nëpërmjet imazhit të figurës së njeriut ose nëpërmjet lëvizjes së tij në një hapësirë të caktuar, por kjo hapësirë edhe pse ka elemente reale është një hapësirë imagjinare, ku këto personazhe qëndrojnë në vend  apo lëvizin pa ndonjë finalitet logjik apo të udhëhequra nga disa rregulla të pashpjegueshme si në një lojë absurde. Shpesh kjo hapësirë në figurat simbolike portretet, figurat përgjysmë, teknika mikse apo qeramike,shtrihet dhe brenda figurës duke luajtur shpesh me një figuracion abstrakt, jo të menduar por spontan dhe të rastësishëm, por gjithmonë duke kërkuar një lidhje të natyrshme me të tërën. Në një cikël veprash në skulpturë,qeramikë, unë kam punuar duke krijuar idenë e një gjeometrie imagjinare të kësaj hapësire ku vepra ndahej në seksione sipas numerologjisë mistike, o të ashtuquajturit numrat perfekte. Këtu i përkasin ciklit darka e të dymbëdhjetëve, tregim me tre figura, gjeometria e njeriut etj.