Dru qershie dhe ndjenja të vjetra nga Marica Bodroži?

E reja Arjetë mundet të ndahet prej shumëçkaje, por jo prej tryezës së gjyshes së saj. Teksa qëndron e ulur në këtë copëz trashëgimi në banesën e re në Berlin dhe shpërhap fotografitë që i kishin rënë në duar gjatë shpërnguljes, kujtimet zgjohen brenda saj…Si dikur druri i qershisë, kur ajo nisë të rrëfejë të gjitha historitë, si dëshmitare absolute e tyre. Aty janë qyteti i rrethuar dhe Istria, deti i fëmijërisë dhe i rinisë, ikja në fillim të viteve ‘90 që ndryshoi gjithçka. Sarajeva e fëmijërisë dhe e viteve të adoleshencës ka filluar të lulëzojë përsëri.  Sarajeva nga e cila ajo u largua pasi nisën bombardimet dhe pasi babai dhe dy vëllezërit e saj humbën jetën.  Por, aty janë para së gjithash edhe koha në Paris, ku kishte studiuar dhe kishte filluar një jetë të re, në një gjuhë të re bashkë me piktorin Arik, me të cilin ishte dashuruar kundër vullnetit të saj. Ornitologu Misha Vajsband bëhet i besuari i saj i urtë, fizikania Nadeshda, shoqja e saj më e ngushtë. Dy gratë i lidh një e fshehtë, që për vite të tëra e di vetëm Ariku. Vetëm kur të dyja përballen me njollat e errëta brenda tyre, e gjejnë rrugën për tek e vërteta. Në mënyrë mbresëlënëse, Marica Bodroži? rrëfen për një grua që kërkon mbështetje në një botë plot plasaritje. Dhe asaj i duhet të përballet me të shkuarën e saj, të ndrydhur për një kohë të gjatë, si dhe me kujtesën e copëzuar, nëse vërtet do të jetojë të sotmen. Një roman i jashtëzakonshëm, nga një prej zërave më të freskët dhe më origjinalë të letërsisë bashkëkohore gjermane. “Kohët e fundit e gjelbra është një ngjyrë që më jep ngushëllim. Hapësirat në kokën time janë zgjatuar. Korridore mes tyre. Lumenj dhe varre. Ura. Qelq venecian. Gur i bardhë, vezullues nën diell. Mite të lashta greke. Kaq shumë vend në kujtesën time të gjerë. Peizazhe në shuarje në njërën anë. Lugina në spikatje dhe dete të ronitura në anën tjetër. Fusha e Panonisë, treva e lindjes së Silvës, prej nga ajo ka ikur. Ajo ia ka dalë. I ka shpëtuar vrasësit të vet. Këtu, atë ia kishte shitur fati syve të tij lakmitarë. Unë e mbaj mend këtë fushë, edhe sytë e Bombës i mbaj mend.