Metamorfoza e Lori Hoxhës

Nuk flet për këpucët Louboutin! Për makinat e shpejtësisë, Ferrari apo Lamborghini! E zhveshur plotësisht nga ky profil për të cilin ajo  fiton shpesh një protagonizëm absolut në media, sot Lori Hoxha vjen me një rrëfim ndryshe…Për familjen, raportet me të ëmën, thashethemet që lëvrohen për jetën e saj, projektet e momentit dhe ato të pritshme. Zbuloni metamorfozën e saj…
 Trashëgimtarja e pasur e medies “Top Channel” bën një rrëfim gati atipik…Përshfaq një tjetër dimension të panjohur të karakterit të saj, që duket se nuk ngjet assesi me çupëlinën e dikurshme që mediet e kishin protagoniste të tyren vetëm si “ithtare” fashioniste dhe stylish girl e të gjitha kohërave. Stop! Lori Hoxha është rritur mjaftueshëm për të mbartur mbi supe(jo të brishta) detyra profesionale që ia dikton kompania mediatike e “ngjizur” nga i ndjeri, babai i saj Dritan Hoxha. Lori është sot në krye të edicionit të 12-të të kompeticionit muzikor “Top Fest”, sepse ka  marrë në dorë frerët e produksionit të këtij eventi i kthyer tashmë në një traditë të përvitshme artistike, por që duket se do të shenjojë edhe të fundit “Top Fest” për nga lloji i tij. Po, po e lexuat qartë! “Top Fest 12” do të jetë i fundit i sërës së tij që qarkullon me të njëjtën logo, pasi të tjera formate të ngjashme, por sipërmarrje më gjigante do të lëvrohen në vijim në ekranin e “Top Channel”. Lori gjen rastin për të folur përtej kontureve profesionale të një detyre të re së cilës i është bashkuar pa doreza, por plot devotshmëri për të prodhuar një format siç i ka hije ekranit të ideuar nga i ati, e vazhda e së cilit i është besuar mamasë së Lorit, Zonjës Vjollca Hoxha. E këtu përcjellë një nga ato marrëdhëniet idilike, pjesë e së cilës janë të katërt fëmijët e familjes, me një raport që duket se nuk diktohet nga rregulla, por pa të cilin ata nuk mund të funksionojnë si në një simibiozë që sendërton përditshmërinë(të paktën të tri vajzave të familjes). Këshilla, sugjerime, bashkëbisedime dhe pse jo vendime të marra bashkarish, të cilat krijojnë modelin e familjes së dëshiruar. Për të statusi financiar është një avantazh, por rruga drejt suksesit, edhe pse në terrenet e saj, nuk vjen pa kostot e përkushtimit dhe devotshmërisë. Thotë se di të vlerësojë të kaluarën, fëmijërinë e thjeshtë, atë të ngjashme me të shumëbashkëmoshatarëve të saj, duke quajtur fat pikërisht faktin se me pasurinë u takua shumë vite më vonë, çka e shtyn të dijë vlerën e vëretë të parave. E bukur, e pasur, me një karrierë profesionale në “shinat e duhura”, producentja e “Top Fest 12”, ç’armatoset për të na shpalosur anën e panjohur të sajën, përtej imazhit të kuruar, mes etiketave të markave të shtrenjta apo këpucëve dhe veshjeve të luksit. Lori Hoxha këtë herë flet për gjithçka, punën, familjen, thashethemet apo udhëtimet…Shijojeni!

Përshëndetje Lori! Të gjejmë në një moment super të ngarkuar për ju, sa i takon sferës profesionale. Keni marrë në dorë “frerët” e edicionit të 12-të të kompeticionit muzikor “Top Fest”. Çdo të thotë për ju ky angazhim?

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Dua t’ju shpjegoj që fatmirësisht për mënyrën time të përjetimit të televizionit, ngarkesa është e përditshme dhe ajo që ndryshon është vetëm titulli i projektit. Në këtë rast është Top Fest. Angazhimet televizive veçanërisht dhe mediatike përgjithësisht janë ato që më mbushin ditën. Megjithatë mund t`ju them që Top Fest kësaj rradhe merr gjithë ditën time dhe të gjitha energjitë mendore shkojnë në perfeksionimin e eventit muzikor të vitit. Them këtë sepse e gjej veten shpesh duke menduar për Top Fest edhe pasi kemi mbyllur ditën e punës. Është tashmë një ide fikse që ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm për të arritur në nivelin e pretenduar dhe kërkuar prej meje dhe jo vetëm.

Pse kishte nevojë Top Fest për Lorin producente?

Top Fest kishte nevojë për shumë gjëra. Mbi të gjitha për një grup pune të përkushtuar tërësisht. Edhe pse Top Channel është televizioni më i madh jo vetëm në Shqipëri, por kudo ku flitet shqip, ndonjëherë resurset, ato njerëzore kryesisht, ndahen midis disa programeve. Këtë vit jemi më të përqendruar në këtë event. Përjashtim bën vetëm Ledioni dhe Ergysi (Lubonja,) që shkëputen të shtunën pasdite për të shkuar në Big Brother. Edhe Arditi (Roshi) ka nevojë për mbrëmjen e të martës për Pop Channel. Çdo ditë tjetër, i gjithë stafi realizues është në komunikim të pandërprerë dhe me synimin e qartë: të bëjmë të gjithë më të mirën. Do të thoja që nuk është vetëm Top Fest që ka nevojë për mua, por edhe unë për Top Fest. Çdo program televiziv, i madh apo i vogël qoftë, ka pafundësisht shumë ingranazhe dhe unë jam në fazën e njohjes me to, studimit të tyre. Përfshirja në produksionin e Top Fest, me një grup të jashtëzakonshëm pune, me njerëz të përkushtuar, të pa lodhur, pasionantë, është një shkollë me vete që po më lumturon dita ditës më shumë.

Vit mbas viti, vlerësimet për Top Fest kanë qenë në një rënie të lehtë. Çfarë ndryshon në këtë edicion në aspektin e prurjeve artistike?
Nuk mendoj këtë…Mendoj që mënyra e formëzimit informal të industrisë muzikore tek ne, bën që festivalet të jenë ndjekës të trendeve dhe jo udhëheqës të tyre. Kjo është një dukuri që duhet të ndryshojë dhe për këtë po punojmë vërtetë fort. Duke nisur nga ky vit, besoj se është ndjerë kjo jo vetëm nga emrat që konkurrojnë, por edhe nga këngët me të cilat vijnë, ne po i japim një gjurmë tjetër muzikës dhe jo vetëm kompeticionit. Në vitet e kaluara kemi pasur një distancim të vogël me artistët, që siç thoni ju me të drejtë ka rezultuar në një rënie të lehtë të vlerësimit për Top Fest. Kjo edhe për shkak të një vonese reagimi tonën ndaj mënyrave të reja të të bërit muzikë. Dua të jem e qartë në këtë pikë, nuk po bëj ‘mea culpa’, por po them që jo gjithmonë ne jemi dakord me mënyrën se si muzika dhe artistët evolojnë. Është e thjeshtë të ndjekësh gjithnjë dëshirën e publikut, por a është gjithnjë rruga e duhur kjo? Them se jo sepse media dhe publiku duhet të ecin krahë për krahë duke përmirësuar njëri-tjetrin. Misioni i një televizioni nuk është të shes sa më shumë reklama për detergjentë, por të tregojë mënyra të reja, kulturë të re, mesazhe të sakta e të forta sociale. Edhe në muzikë, edhe në Top Fest, ne do të bëjmë pikërisht këtë. Krahë për krahu me spektatorin, të ngrihemi vit mbas viti, hap pas hapi, një shkallë më lartë. Ndaj edhe ky vit është i fundit për Top Fest…
I fundit Top Fest? Nuk do të ketë më festival?
Po i përgjigjem këtu  kësaj pyetje që është bërë shumë shpesh, sidomos në platformat sociale, pasi ne vet nisëm hashtag-un #topfestiifundit.  Në gjykimin tonë, festivali si formë e ka kryer tashmë misionin e tij. Top Fest nisi 12 vite më parë si një filizë në mes të shkretëtirës dhe vit mbas viti u rrit deri në pikën që është sot, pra po në mes të shkretëtirës por tashmë si një qytet madhështor, përfytyroni Dubai-n. Vit mbas viti ky festival ka evoluar duke nisur trende dhe mënyra të reja. Tashmë ndodh diçka tjetër. Publiku ynë është i mësuar me format europiane të vlerësimit të muzikës dhe ne nuk mund të pretendojmë të jemi më ekspert se Europa apo bota. Ne mendojmë që pika e kthimit tashmë ka ardhur dhe ky do të jetë viti i fundit i Top Fest siç e njihni. Nga viti tjetër, konkurrimi sigurisht që do vazhdojë, por tashmë jo vetëm nën logon Top Channel, por nën gjurmën e një kombi të tërë. Çdo artist, kompozitor, këngëtar e kështu me radhë, do të punoj jo më në mënyrë të veçantë për Top Fest, por do të punojë për artin e tij, veten e tij, publikun e tij. Ne, do të marrim përsipër të vlerësojmë punën e një viti të të gjithë artistëve në një mbrëmje të vetme, me një hybrid midis eksperiencës më të mirë botërore të “Grammy’s”, “MTV awards” e kështu me rradhë. Do të jetë një natë madhështore çmimesh, vlerësimesh, spektakli dhe feste. Do të doja t`ju thoja më shumë, por do të zbuloni të tjera detaje në ditët në vazhdim dhe sidomos në finalen e këtij viti të Top Fest, në 31 maj!
Fakti që operoni në “tokën tuaj”, pasi angazhoheni në formate televizive të Top Channel, televizioni lider i të gjithë shqiptarëve, gati një perandori mediatike e krijuar nga i ndjeri babai juaj, e mandej në vazhdën e mamasë suaj Vjollca Hoxha, a jua bën më të lehtë punën, angazhimin? Pra, ndjeni se e keni disi të shtruar rrugën?

Vetëm nga fakti që siç thatë edhe ju, Top Channel është televizioni lider i të gjithë shqiptarëve, rruga nuk mund të jetë kurrsesi e shtruar. Ky institucion mediatik nuk është më një sipërmarrje private. Përgjegjësitë e tij shkojnë deri në formëzimin e jetës së përditshme të një kombi dhe duke qenë kështu, nuk mund t’i lejoj vetes arrogancën e të menduarit që Top Channel është i imi apo i familjes sime. Angazhimi dhjetëfishohet nga pesha e përgjegjësisë dhe kërkesa personale për përmirësim. Ne shohim gjithnjë larg, duke u paraprirë nevojave që ndoshta ende nuk janë të qarta për shumëkënd. Ndaj është Top Channel.

Çfarë ndikimi kanë thashethemet tek ju dhe a të interferojnë ato në përditshmërinë e jetës tënde? Ndodh njësoj edhe në aspektin privat?

Thashethemet janë një pjesë e pandshme e mënyrës së jetesës së shumë njerëzve, si në gjithë botën ashtu edhe tek ne. Përballja që kam me to, shpeshherë më argëton sepse shoh deri ku shkon afantazia e njerëzve. Dikur ama, sigurisht që ndikohesha dhe më prishnin ditën. Sot jo më!

A mund të pohojmë Lori që pavarësia është standard i jetës suaj? Kujt ia dedikoni atë?

Pavarësia është standart i jetës së të gjithëve besoj. Se sa mund ta arrijmë është një tjetër çështje. Dedikimi i shkon natyrshëm karakterit personal të të gjithëve dhe më pas gjurmës familjare, edukimit e kështu me rradhë. Por sigurisht që një rol të madh e të rëndësishëm luan edhe mundësia ekonomike. Gjithsesi edhe këtë të fundit, shumë njerëz e kanë por jo të gjithë janë të pavarur në shpirt, për hatër të kompromiseve, ndonjëherë shumë të ekzagjeruara, që kanë bërë gjatë jetës.