E hënë
Për të nisur javën me freskinë dhe rehatinë e duhur, Anxhela na sugjeron një fustan të lirshëm, por shumë stylish, në ngjyrë neutrale dhe të këndshme. Fustani mund të jetë me mëngë të gjata, për ditët kur dielli nuk na viziton, ose me mëngë të shkurtra, gjithsesi detaji është gjithmonë i njëjti: fruda!
Për aksesorët, bukuroshja plot stil na sugjeron syze verore dhe një kapelë kashte.
E martë
Dita e dytë e javës na gjen me një kombinim që nuk zhgënjen kurrë dhe përmban 2 ngjyrat që definojnë stilin: e bardha dhe e zeza. Blogger-ja simpatike ka menduar që t’i shtojë elegancë pantallonave të lirshme, duke zgjedhur një dizenjo me polka. Veshja plotësohet me një crop top të zi, i cili ju bën të dukeni casual por shumë elegante.
Syzet e zeza janë aksesori i duhur, ndaj mos hezitoni t’i shtoni në kombinimin tuaj.
E mërkurë
Fustanet florale janë zgjedhja më e mirë për këtë sezon. Ne ju sugjerojmë një fustan të gjatë, të derdhur, i cili ju dhuron ndjesinë e lirisë dhe freskisë. Një byrzylyk i thjeshtë dhe një kapele e madhe janë bonuset që i shtojnë klas veshjes suaj fantastike.
E enjte
Kryefjala e stilit janë xhinset, ndaj e enjtja e gjen Anxhelën me një kombinim shumë të këndshëm me xhinse, një crop top dhe një këmishë me motive. Në ditën e katërt të javës, blogger-ja ka zgjedhur të shtojë aksesorët, duke na sugjeruar vëthët e mëdhenj dhe rrethorë, si dhe një bandana që nuk zhgënjen kurrë.
E premte
Kombinimet me të njëjtën ngjyrë do i shihni kudo këtë verë, ndaj ndiqni shembullin e Anxhelës, e cila na sugjeron një komplet lino, me pantallona komode dhe këmishë me mëngë të shkurtra, të cilat shkojnë fiks me stinën.
Aksesorët: Një çantë në të njëjtën ngjyrë dhe material, syze me refleks veror dhe shapka të bardha.
E shtunë
Fundjava është këtu dhe gati për t’u shijuar! Nëse jeni gati për të vizituar një vend të ri në Shqipëri, ju duhet një fusan në stil këmishe, një çantë kashte, sandale të rehatshme, një varëse minimaliste, dëshirë për të parë bukuritë e mahnitshme të vendit, si dhe një buzëqeshje rrëzëllitëse.
E diel
E mbyllim javën me një fustan të gjatë rozë, të ndarë në të dyja anët, me dizenjo unike te mëngët dhe jaka, si dhe me shumë ëmbëlsi. Për të plotësuar veshjen, Anxhela ka zgjedhur si aksesorë plotësues një palë Conversa të zeza dhe një varëse minimaliste.
Javë të mbarë dhe plot stil!
Fotot: Andi Allko