Leontina Nika në 10 Pyetje nga Elegance

Ku jeni tani dhe me çfarë po merreni?
Në shtëpi. Kam pak kohë të lirë dhe po lexoj ‘Babelin”e shkrimtarit belg Jan De Leeuw. Autori në qendër të librit të tij vë paranë, fenë dhe terrorizmin. Po i hyj pak në hak leximit që të përgjigjem për ju. (qesh)

Cili është vendimi më i mirë që keni marrë ndonjëherë?
Të shoh aspektin pozitiv dhe të ndjek dritën edhe aty ku ka errësirë. Në fakt, rezultati është shumë i mirë dhe jam e bindur që kjo është e vetmja mënyrë për të jetuar me pozitivitet.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Cila është blerja juaj e fundit?
Një fustan me lule, jo vetëm për tendencë, por meqë trokiti më në fund vera!

Kur e ndjeni veten të lumtur?
Shumë filozofë i kanë dhënë kuptime të ndryshme lumturisë, por veçoj Aristotelin i cili mendonte se lumturia është një masë e gjithë jetës tënde dhe sa mirë e keni jetuar atë. Rezultoj e lumtur, më mirë të them më e e lumtur se kurrë ndihem me familjen, argëtimi më dy vajzat dhe bashkëshortin nuk ka çmim.

Kur e ndjeni veten të trishtuar?
Kur jam e pafuqishme, për t’i ardhur në ndihmë një personi të afërt, ose kur nuk arrij të plotësohem personalisht.

Çfarë nuk do të kishit hedhur kurrë poshtë?
Mirënjohjen, e kujtoj gjithmonë me respekt besimin që më është dhënë për të arritur ku jam sot.

Cili është personi që i dedikoheni me gjithçka keni?
Nuk është një person, por familja ime e shenjtë.

Cila është ajo gjë për të cilën do të thonit: nuk do ta bëj kurrë?
Nuk bëj betime të tilla, por meqë duhet të përgjigjem, asnjëherë nuk do të harroj kush jam dhe nga vij.

Cilin konsideroni mëkatin më të madh?
Nuk kam bërë të tilla, por nëse mund të quhet i tillë kur më pëlqen ndonjë veshje, nuk i rezistoj, e boshatis kuletën jo vetëm për vete, por tashmë më shpesh shpenzoj për vajzat. Është shumë kënaqësi për mamatë që kanë vajza sepse ato kthehen ne kukullat e tua të preferuara që ti i vesh plot ngjyra.

Cili është qëllimi juaj në jetë?
Ta dua dhe gëzoj melodinë e jetës, e cila nuk ka kuptim pa familjen, shoqërinë dhe të jap kontributin tim intelektual në komunitetin tonë me ndershmëri.