Peter Eisenman është një arkitekt Amerikan, i konsideruar si një nga pjestarët e “New York Five”, Eisenman është gjithashtu i famshëm për esetë dhe fjalimet e tij mbi arkitekturën dhe dizajnin. Kritika e ka konsideruar atë, si një arkitekt modernist dhe dekostruktivist. Eisenman, ka një kontribut shumë të madh në arkitekturën monumentale, duke përmendur këtu një ndër veprat më të rëndësishme “Memoriali i Viktimave të Holocaust-it”, që gjendet në Berlin.
Peter Eisenman ka lindur në një familje me origjinë Hebre, në gusht të vitit 1932 në Newark, New Jersey. Në moshë të re ai ka studiuar në shkollën e mesme Columbia High School në qytetin e tij të lindjes. Ai u trasferua më pas në kolegjin e arkitekturës Cornell University, duke hequr dorë përfudimisht nga pasioni i tij i madh, noti. Ai u diplomua në këtë universitet dhe më pas mori titullin Master dhe Doktor Shkencash në ‘University of Cambridge’. Suksesi i tij i madh në radhët e studentëve e veçoi atë si një nga arkitektët më të rëndësishëm të shekullit të shkuar dhe njëkohësisht si një ndër personalitetet me më shumë influencë në botën e konstruksionit dhe projektimit. Në vitin 2007 ai mori një “Honoris Causa” nga Universiteti i Syracuse-s. Rruga e tij për t’u antarësuar, si një ndër pesë arkitektët më të suksesshëm të New York-ut, sigurisht që nuk ishte e lehtë, ai së bashku me Charles Gwathmey, John Hejduk, Richard Meier dhe Michael Graves do të themelonin një ndër studiot më të rëndësishme dhe do të realizonin disa nga projektet më të famshme botërore. Ajo që do ta diferenconte Eisenman nga të tjerët ishte rikrijimi i një prej projekteve më të mëdha të Le Corbusier, por duke zhvilluar një stil krejtësisht të personalizuar dhe plot të papritura. Më vonë analistët dhe kritikët e kryeveprave të arkitektit do ta përshkruanin atë si babain e Dekostruktivizmit. Aktualisht ai jep leksione mbi teoritë e avancuara të dizajnit në Universitetin e Yale-it dhe është profesor Emeritus në Cooper Union School of Architecture. Më parë ai ka qenë profesor në Harward University, University of Pennsylvania, Princeton University School of Architecture, dhe Ohio State University. Peter Eisenman është themelues i Institutit të Arkitekturës Urbane në vitin 1981. Puna e tij profesionale i referohet formalizmit, dekostruktivizmit, avangardës dhe modernizmit. Përshkrimi ideal i formave që bëhen të dukshme, identifikohen si karakteristika të rrymës së mendimit filozofik ekletik. Pikërisht shumë prej punëve dhe projekteve të tij të kthyera në makete apo prototipe janë tashmë pjesë e ekspozitave të Muzeut të Arteve Moderne në New York. Pjesa më e madhe e punëve të ekspozuara janë bashkëpunime me një ndër emrat më të rëndësishëm të arkitekturës, që konsiderohet edhe si post- struktuarlisti më i famshëm i historisë së arkitekturës, filozofi dhe arkitekti Jacques Derrida.
Karriera e tij mori një tjetër drejtim, kur për një periudhë ai u fokusua në të ashtuquajturën arkitektura “liberale”. Ky koncept u bë një pikë referimi në teorinë që ai e studioi për një periudhë të gjatë kohe. Ishte pikërisht ky studim që e çoi në realizimin e një ndër veprave më të rëndësishme të tij “The Wexner Center”. Kjo konsiderohet si puna e parë që i hapi rrugën projekteve dekostruktive.
Kërkimet që ai bëri, janë të fokusuar në çështje analitike si: emancipimi dhe automatizimi i disiplinave të historisë së arkitekturës. Pikërisht këto shkrime dhe botime e portretizuan atë si një figurë shumë antagoniste, sidomos nga kritika e arkitektit natyralist, Colin Rowe, i cili në vitin 1972 botoi një artikull në të cilin fliste pikërisht për modernizmin në arkitekturën Evropiane, duke e konsideruar Eisnaman si një autor veprash “post- humaniste”. Ai shton se: Mbase për shkak të përdorimit të elementeve të rilindjes Evropiane si shumë formale, punët e Eisenman bëhen të ftohta dhe të paprekshme nga njerëzit.
Eisenman të krijon idenë se është shumë apatik ndaj lëvizjeve të fundit “green” në arkitekturë, ku natyra integrohet në mënyrë shumë të gjallë brenda strukturave të objektit, duke i’u kundërpërgjigjur kritikëvë të tij, e duke polarizuar debatin në favor të arkitekturës së tij të ftohtë dhe pa ndjenja romantike të tepruara.
Siç e cituam edhe në fillmi të këtij artikulli, Eisenman ka hyrë në historinë e arkitekturës si një ndër arkitektët bashkëkohorë më influentë. Projekte më të famshme që mbajnë vulën e tij janë: Memoriali i Viktimave të Holocaust-it e, Berlin dhe struktura e re e kampusit universitar të Phoenix, në të cilën ai ndërtoi stadiumin e këtij universiteti në Arizona. Projekti më i madh i realizuar gjatë viteve të fundit është pikërisht një strukturë që imiton një qytet dhe mban emrin “City of Culture of Galicia” e cila gjendet në Santiago de Compostela, Spanjë.
Mbi të dhe projektet e tij janë realizuar një seri filmash dhe botimesh, pikërisht në vitin 2008 një dokumentar me titull: “Peter Eisenman: University of Phoenix Stadium for the Arizona Cardinals”, merr një rrëfim të artistit arkitekt, i cili realizon një tur në projektin e tij, i cili në atë kohë ishte drejt fundit. Në vitin 2001, ai u nderua me çmimin kombëtar për dizajnin dhe arkitekturën nga “Cooper-Hewitt National Design Museum”.
Memoriali i Viktimave të Holocaust-it, Berlin
Në përkujtim të viktimave të Holocaust-it, ky memorial i projektuar nga Peter Eisenman dhe zhvilluar nga Buro Happold, konsiston në një sipërfaqe prej 19,000m2 të mbuluar me 2711 kuba betoni të vendosura në mënyrë gjometrike të rregullt. Nën sipërfaqen e kësaj fushe gjendet gjithashtu një mur në të cilin janë shënuar rreth 3 milion emra të atyre që kanë humbur jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore, në kampet e përqëndrimit.
The Wexner Center, qendra e artit bashkëkohor, Ohio.
Kjo qendër shumë e rëndësishme botërore e hapi dyert në vitin 1989. Kjo qendër e artit bashkëkohor, multidisiplinore, hapi dyert në vitin 1989. Ajo shërben si një laborator për eksplorimin dhe avancimin e kërkimeve mbi artin dhe shprehjen e lartë të tij. Mbi këtë koncept Eisenman ndërtoi këtë objekt shumë ekstravagant për kohën, por që i qëndron besnik dekostruktivizimit të tij.
City of Culture of Galicia, Spanjë
Ky kompleks arkitekturor i ndërtuar në rajonin autonom të Galicia-s dhe pikërisht në kryeqytetin Santiago De Compostela, është një ndër projektet më të fundit të Eisenman. Ndërtimi ishte një sfidë e madhe, sepse duhet t’i përmbahej konceptit të autorit, i cili dëshironte të krijonte një formë të personalizuar për secilën nga 100 dritaret e kompleksit.
Nunotani, Japoni
Një ndër kompanitë e vetme në botë që prodhon busullat magnetike për anijet luftarake dhe tregtare, ia besoi ndërtimin e zyrave qëndrore të saj arkitektit me famë botërore Peter Eisenman. Përfundimi ishte një godinë shumë interesante, që i shkon kundër konceptit të ekzaktësisë që një busull ka.
Stadiumi University of Phoenix, Arizona
Me një kapacitet prej 63,400 personash, stadiumi i Universitetit të Phoenix në Arizona përfundoi në vitin 2005 dhe në 2006 hapi dyert për të pritur sportistët dhe tifozët e shumë sporteve.