Duken si pasazhe të shkëputura nga ndonjë pikturë, por në realitet ato janë vendet më përrallore në tokë. Destinacione interesante, me ngjyra nga më të larmishmet që ofrojnë një spektakël nuancash dhe vizualiteti, përpos relaksit aq shumë të dëshiruar në këtë sezon pushimesh…
Vende të ndryshme, me ngjyra të ndryshme…Asnjëherë nuk do të ndjeni “ngopje” me të tilla peizazhe të mrekullueshme që shtrihen para syve tuaj. Ngjyra të forta, kombinime të tyre, detaje multi kolore dhe shumëçka tjetër ofrohet në këto banesa, lagje karakteristike dhe plazhe që shtrihen anekënd botës. Nga riviera italiane, në zonat e Kilit dhe Tajlandës, një super katalog me sugjerime destinacionesh plot ngjyra që thjesht do iu mahnisin. Nëse ende nuk e keni prerë biletën e pushimeve të këtij sezoni veror, bëhuni gati për një dozë sugjerimesh tona plot ngjyra dhe iu sigurojmë që do të mbeteni gjatë me kokën pas…
Ishulli i Buranos, Venecia
Sikur gjithçka të jetë “stolisur” me dorë, aty ku reflekset e fasadave të shtëpive pasqyrohen mbi lumë, ndërsa kulla e famshme e këmbanës “Oblique Bell Tower” është një nga atraksionet kryesore për turistët.
Hoteli, The Saguaro Palm Springs, Kaliforni
Asnjë fasadë e lyer me të bardhë, por një panoramë multi kolore, e një prej hoteleve më me ngjyra në Kaliforni. Suita hoteli, shërbime luksoze, palma të larta dhe një atmosferë super relaksuese për pushuesit që shijojnë pishinën e këtij hoteli.
Tarraca, Hexa Grace, Monako
Ideatori i saj është Victor Vasarely, një nga protagonistët më dinjitozë të Op-Artit(Optical Art) të viteve 60’-të. Kjo është tarraca e realizuar me gurë dekorativ vullkanik, me kombinime ngjyrash të ndezura, i denjë për aristokracinë franceze.