Ku ndodheni tani dhe me çfarë po merreni?
Jeta ime është gjithmonë në lëvizje mes shteteve fqinje, por mund të them që Tirana është vendi që këto kohët e fundit po më mban mbërthyer. Kjo, si rrjedhojë e punës dhe angazhimeve artistike. Punoj në një shkollë muzike, jam profesoreshë e kantos dhe gjithashtu jam shumë aktive në evente të ndryshme ku bëhet muzikë live.
Cili është vendimi më i mirë që keni marrë ndonjëherë?
Absolutisht, muzika! Nuk më është dashur ta mendoj dy herë si zgjedhje, por gjithsesi e ndjej veten me fat që po bëj punën e duhur, diçka që më përmbush dhe jam e lumtur.
Kur e ndieni veten më të lumtur?
Lumturia ime vjen nga gjëra edhe shumë të vogla…Jam njeri që lumturohem shpejt, por nëse flasim për një lumturi të gjatë dhe të madhe është padyshim të shikoj të lumtur familjen dhe njerëzit e mi të dashur.
Kur e ndjeni veten të trishtuar?
Hmmm…ka ca momente që më trishtojnë. Jam natyrë e prekshme dhe nga kjo kam mësuar që momenteve të trishta t’ju iki, domethënë ia rregulloj vetes terrenin që të mos përfundoj e trishtuar. Por, gjithsesi jeta sjell plot gjëra dhe jo të këndshme, këto më mërzisin.
Çfarë nuk do kishit hedhur kurrë poshtë?
Ende vazhdoj t’i kem dhe i ruaj me fanatizëm rrobat që kur kam qenë foshnje, fletoret e parashkollores dhe dhuratat.
Kë doni më shumë?
Asnjë më shumë! Të gjithë i dua shumë.
Cila është ajo gjë për të cilën do të thoshit: “Nuk do ta bëj kurrë!”?
Të lëndoja dikë.
Cili është mëkati më i madh për ju?
Nuk kam bërë mëkate në jetë, por nëse ka një gjë që e ndiej edhe kur e bëjnë të tjerët, janë fëmijët. Mos i lëndoni kurrë fëmijët, sepse ky vërtet që është mëkat.
Cila është blerja juaj e fundit?
Jam pak e fiksuar me rrobat e menjëherë më shkoi mendja për atë çka bleva për herë të fundit. Por, pastaj mu kujtua që mund të përmend edhe blerjen e fundit që ishte pazari për gjërat e nevojshme të shtëpisë, fruta, perime…(qesh).
Cili është qëllimi i jetës?
Të le kujtim të mirë tek ata që do të vijnë pas meje.